Postuar më: 04/06/2021

Denaj: Statusi OEA, një “pasaportë” për biznesin në tregjet rajonale

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  dhe  Drejtori i Përgjithshëm I Doganave, Genti Gazheli,  zhvilluan një  vizitë në kompaninë “Eurolab”, një ndër  distributorët më të mëdhenj  në vend  që operon në industrinë ushqimore.

Me  një ekspërience  prej vitit 1995, dhe tashmë prezente ne tregun rajonal, kjo kompani  ka aplikuar prenë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për përfitimin e statusit  Operator Ekonomik i Autorizuar.

Gjatë kësaj vizite  Ministrja Denaj u shpreh,  se certifikata  e operatorit ekonomik të autorizuar është një certifikatë që njihet në vendet e BE-së.

“Mbi të gjitha është një certifikatë sigurie për shërbime të shpejta doganore, e cila vjen pas një marrëveshjeje të vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendeve CEFTA, që kanë rënë dakord për një pakete të masave për të lehtësuar  jo vetëm lëvizjen e lirë të mallrave në aspektin ekonomik dhe kohor, por edhe duke rritur prestigjin e administratave respektive doganore në shërbim të biznesit.

“Kompania  juaj ka 6 mijë deklarata doganore në vit dhe është një vëllim i konsiderueshëm transaksioni me pika të ndryshme të kufirit që sigurisht nëse çertifikoheni, do ju sjellë një kohë të konsiderueshme të fituar për biznesin tuaj, tha Ministrja, e cila e cilësoi këtë staus,  si një “pasaportë ekonomike diplomatike”,  që në raport edhe me vendet e tjera të rajonit, por edhe me vendet të cilat ju keni bashkëpunim të drejtpërdrejtë, tregon që kompania është në një standard,  por që edhe administrata jonë doganore ka hyrë në një standard tjetër të të bërit administrim të shërbimeve dhe është në vijë të të gjithë projeksioneve që kryeministri ka prej kohësh”.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, shprehu mbështetjen e  gjithë institucionit që ai drejton për sipërmarrjen edhe në drejtim të asistencës teknike dhe proceduriale për marrjen e statusit OEA.

Drejtuesi i kësaj kompanie Dritan Bellaj, shpjegoi shtrirjen e kësaj kompanie në tregjet e gjithë vendeve të rajonit, si dhe projeksionet e saj në të ardhmen.

Vetëm pak ditë me parë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë,  Anila Denaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, dhanë certifikatat e para të statusit  Operator Ekonomik i Autorizuar për 4 kompani shqiptare, ndërkohë që dhe 4 sipërmarrje të tjera janë në process për përfitimin e këtij statusi.