Postuar më: 02/04/2021

Denaj: Qeveria shqiptare e angazhuar në mbështetje të fuqizimit ekonomik të gruas

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në  takimin  e Komitetit Këshillues të Bankës Botërore për Cështjet Gjinore dhe Zhvillimin, i cili është struktura kryesore konsultative e jashtme, që ndihmon Grupin e Bankës Botërore të promovojë barazinë gjinore si një parakusht i angazhimit për t’i dhënë fund varfërisë.

Komiteti diskutoi ndër të tjera ecurinë e Strategjisë Gjinore të Grupit të Bankës Botërore dhe rezultatet e progresit afatmesëm.

Ministrja Denaj gjatë këtij takimi i njohu të pranishmit, se Qeveria Shqiptare numëron një sërë strategjish sektoriale dhe politikash, me qëllim promovimin dhe arritjen e barazisë gjinore.  Një ndër to është Strategjia e tretë Kombëtare për Barazinë Gjinore (SKBGJ) dhe Plani i saj i Veprimit 2016-2020 me qëllime strategjike siç është fuqizimi ekonomik i gruas ndër të tjera.

“Nxitja e sipërmarrjes nga vajzat dhe përmirësimi i pjesëmarrjes në tregun e punës me qëllim uljen e hendekut gjinor, është pjesë e Strategjisë Kombëtare mbi Punësimin dhe Aftësimin 2014-2020, si dhe masave të përfshira në Planin Kombëtar të Veprimit për Gratë Sipërmarrëse 2014-2020”, tha Denaj .

Ministrja  vlerësoi se Programet e Reformave Ekonomike,  cilësia e financave publike është gjithnjë në përmrësim duke filluar që në vitin 2014, si dhe janë ndërmarrë një seri masash dhe iniciativash për të krijuar një mjedis të përshtashëm për vajzat sipërmarrëse, vecanërisht në teknlogji dhe inovacion.

“Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor është një histori suksesi, që nga fillimi i tij në 2015. Programet buxhetore me bazë gjinore janë rritur në mënyre progresive nga 9 programe në 2015, në 38 në 2020, tha Denaj, duke shtuar,  se ngritja e  kapaciteteve të gruas sipërmarrëse nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit është rritur, ndërsa punësimi nëpërmjet tyre në vitin 2020, arriti në  2,776 gra ose 67 % e totalit të të punësuarve”.

Ndërsa lidhur më perspektiven në të ardhmen, Ministrja Denaj tha,  se  në bashkëpunim  dhe me partnerët do të punojmë për

-Përmirësimin e aksesit të femrave në asete: fizike por edhe financiare;

– Rritjen e mundësive të tregut të punës për femrat dhe

– Forcimin e masave institucionale për krijimin e politikave të informuara gjinore.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka filluar procedurën e ratifikimit për Konventën 190 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës “Dhuna dhe Ngacmimi në Botën e Punës”.

 

INFO

Komiteti Këshillimor i Grupit të Bankës Botërore për Cështjet Gjinore dhe Zhvillimin është struktura kryesore konsultative e jashtme,  që ndihmon Grupin e Bankës Botërore të promovojë barazinë gjinore, një parakusht i angazhimit për t’i dhënë fund varfërisë.

Këshilli mblidhet dy herë në vit për të shqyrtuar përparimin dhe kufizimet ndaj barazisë gjinore në të gjithë botën, dhe për të siguruar reagime dhe këshilla mbi punën e Bankës Botërore në këtë fushë.