Postuar më: 16/03/2021

Denaj në Kuvend: Treg funksional dhe transparent, rritje e  sigurisë së jetës së qytetarëve

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë prezantoi në Kuvend projektligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit,  i cili  synon rregullimin dhe përmirësimin e bazës ligjore në tregun e sigurimit të detyrueshëm.

Gjatë fjalës së saj Denaj theksoi se  qëllimi i këtij projektligji  është për të siguruar mbi të gjitha një treg funksional të sigurimeve motorike, por njëkohësisht në mbrojtje të konsumatorëve dhe në rritje të sigurisë së jetës së qytetarëve.

“Këto ndryshime do të sjellin një proces më transparent për përfituesit dhe shmangin problematikat dhe rastet abuzive në trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim. Gjithashtu synohet të ulim numrin e shkeljeve nëpërmjet shtimit të disa masave administrative dhe kjo e lidhur drejtpërdrejtë me drejtuesit e mjeteve të transportit, që qarkullojnë të pa pajisur me kontratën e sigurimit të detyrueshëm”, u shpreh Denaj.

Në hartimin e këtij projektligji janë marrë në konsideratë gjithashtu aktet ligjore të disa vendeve si: Serbia, Kroacia, Italia dhe Kosova, dhe ka synuar të jemi në linjë me të gjithë standartet e legjislacionit ndërkombëtar apo atij vendas, me problematika të ngjashme të tregjeve të sigurimeve.

 

-Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe ekonomisë, Anila Denaj

 

 

I nderuar Kryetar,

Të nderuar Deputetë,

Të nderuar Qytetarë,

 

Në këtë parlament të nderuar kemi kaluar disa ligje të rëndësishme të cilat përmirësojnë jo vetëm aspekte rregullatore, por mbi të gjitha edhe jetën e qytetarëve duke ulur edhe kostot e tyre.

 

Me të njëjtin objektiv vjen edhe ky projektligj sot i cili lidhet me sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit,  duke synuar rregullimin dhe përmirësuar bazën ligjore në tregun e sigurimit të detyrueshëm.

 

Janë 10 vite të cilat nuk kanë pasur ndryshime në këtë ligj dhe me ndryshimet e sjella së fundmi, ne synojmë që të gjitha aktet dhe nenet të mbrojnë konsumatorin dhe të përafrojmë këtë ligj me standartet europiane.

 

Cilat janë disa nga përfitimet e drejtpërdejta që prekin qytetarët?

 

  • Reduktim i shpenzimeve të sigurimit të qytetarëve në këtë sektor;
  • Rritja e masës së dëmshpërblimit, në përputhje me ngjarjet e ndodhura;
  • Shkurtimin e afatit për trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim;
  • Reduktimin e shpenzimeve të trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim. Kjo do të vijë si rrjedhojë e nënshkrimit të “Raportit Evropian të Aksidenteve”.
  • Përmirësimin e procedurave dhe afateve të trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ana e shoqërive të sigurimit.

 

Duke synuar kështu që këto ndryshime të sjellin një proces më transparent për përfituesit dhe shmangur problematikat dhe rastet abuzive në trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim.

 

Më tej, synojmë të ulim numrin e shkeljeve nëpërmjet shtimit të disa masave administrative.

 

Kjo e lidhur drejtpërdrejtë me drejtuesit e mjeteve të transportit, që qarkullojnë të pa pajisur me kontratën e sigurimit të detyrueshëm.

 

Në projektligji kemi parashikuar edhe trajtimin e kundërvajtjeve administrative si masë në mbështetje të qytetarëve.

Ndaj kompanive të sigurimit dhe Byrosë së Sigurimit janë parashikuar sanksione dhe penalitete në rast të moszbatimit të detyrimeve ligjore, deri në pezullim dhe revokim licence.

 

Të nderuar,

 

Një element kyc i këtij projektligji është sigurimi i pasagjerëve nga aksidentet në transportin publik.

 

Pronarët e mjeteve të transportit publik do të kenë detyrim lidhjen e kontratës së sigurimit të aksidenteve të pasagjerëve, të drejtën e tyre për dëmshpërblim, si dhe përgjegjësinë e shoqërisë së sigurimit.

 

Në ligj parashikohet minimumi i shumës së siguruar të jetë:

 

  1. a) 2 000 000 (dy milion) lekë në rast fataliteti;
  2. b) 4 000 000 (katër milion) lekë në rast paaftësie të përhershme për punë;
  3. c) 1 000 000 (një milion) lekë në rast paaftësie të përkohshme për punë dhe trajtimet mjekësore.

 

Projektligji parashikon gjithashtu sigurimin e përgjegjësisë:

 

  • së pronarëve të mjeteve lundruese për dëmin e shkaktuar palëve të treta, për cdo pronartë mjeteve lundruese me fuqi motorike më të madhe se 15 kë.

 

  • sikurse sigurimin e përgjegjësisë së pronarëve të avionëve për dëmin e shkaktuar palëve të treta.

 

Pronarët e cdo avioni të regjistruar në regjistrin shqiptar të avionëve civilë do të kenë detyrimin për të lidhur një kontratë sigurimi të përgjegjësisë për çdo dëm dhe humbje, shkaktuar palëve të treta përgjatë përdorimit të avionit.

 

Përmes këtij projektligji përafrojmë pjesërisht Direktivat Evropiane të fushës së sigurimit motorik, të cilat kanë për qëllim harmonizimin e funksionimit dhe mbikëqyrjes së kësaj veprimtarie.

 

Projektligji  respekton gjithashtu marrëveshjet ndërkombëtare të cilat Republika e Shqipërisë i ka ratifikuar më parë, ku vlen të përmendim edhe marrëveshjen për funksionimin e sistemit të kartonit jeshil.

 

Në hartimin e këtij projektligji janë marrë në konsideratë gjithashtu aktet ligjore të disa vendeve si: Serbia, Kroacia, Italia dhe Kosova, dhe ka synuar të jemi në linjë me të gjithë standartet e legjislacionit vendas apo atij vendas, me problematika të ngjashme të tregjeve të sigurimeve. 

 

Për  të siguruar mbi të gjitha një treg funksional të sigurimeve motorike por njëkohësisht në mbrojtje të konsumatorëve dhe në rritje të sigurisë së jetës së qytetarëve, unë mendoj se eshtë një ligj i duhur dhe në kohën e duhur ndaj ju ftoj ta miratoni atë.

 

Faleminderit!