Postuar më: 23/12/2020

Denaj në Kuvend: Shtyrja e afatit të rivlerësimit të pasurive, lehtësi për qytetarët dhe biznesin

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti në Kuvend projektligje të rëndësishme për qytetarët dhe biznesin.

 

Një ndër më të rëndësishmit ishte shtyrja e afatit të Ligjit për Rivlerësimin e Pasurive të Paluajtshme, nga 31 dhjetor 2020, në dhjetor të 2021.

 

Ministrja Denaj në fjalën e saj vlerësoi se kjo është një lehtësi tjetër për individët, të cilët kanë pasuri të paluajtshme dhe duan që të rivlerësojnë pasuritë e tyre me një lehtësi fiskale në 3%.

 

“Sigurisht, ky vit ishte një vit i vështirë. Ne parashikuam një numër më të konsiderueshëm sesa ai që u realizua. Konkretisht, vetëm për periudhën e muajve Mars – Maj u realizuan 4 835 rivlerësime nga 15 071 rivlerësime që ishin në periudhën Janar-Mars. Ne gjykojmë që pandemia ka krijuar një frenim edhe të këtij procesi dhe propozuam në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për ta shtyrë deri në muajin shtator dhe ata e shtynë deri në muajin dhjetor”, tha Denaj.

 

Gjithashtu Ministrja paraqiti para ligjvënësve, Aktin Normativ, që Qeveria ka propozuar për krijimin e mundësisë ligjore për të trajtuar financiarisht familjen Rasha, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, si dhe projektligjin “Për faljen e detyrimeve, qe ish-punonjësit e nëntokës kane ndaj fondit te sigurimeve shoqërore”.

 

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministres Anila Denaj në Kuvend

 

 

Në prezantimin e këtij akti normativ në radhë të parë dua të shpreh ngushëllimet e mia familjes Rasha për këtë dhimbje të madhe.

 

Ky akt normativ që paraqitet për shqyrtim dhe miratim ka si synim për t’i ardhur në ndihmë familjes në një situatë të vështirë.

 

Qeveria ka propozuar që të krijohet mundësia ligjore për të trajtuar financiarisht familjet e personit që ka humbur jetën si rezultat i kësaj situate. Sigurisht, bashkohemi me dhimbjen e familjes dhe këtë qeveria e kryeministri Rama e ka shprehur që ditën e parë.

 

Më lejoni që të japë dhe një përmbledhje të disa akteve që sot në seancën parlamentare dhe për arsye të kohës së kufizuar do më duhet të përmbledh disa nga aktet që Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka plotësuar.

 

Në kuadër të plotësimit të masave ligjore të parashikuara në Kapitullin 16 “Tatimet” të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, transpozimi i legjislacionit fiskal është një ndër elementët e rëndësishëm të këtij procesi.

 

Për këtë arsye transpozimi i pjesshëm i Direktivës 2009/133, parashikon shtyrjen e fitimeve të kapitalit për operacionet e përcaktuara nga kjo Direktivë.

Qeveria ka propozuar në këtë fazë të procesit të integrimit përafrimin e pjesshëm me direktivën, duke krijuar kushtet vetëm për shtyrjen e fitimeve të kapitalit për rezidentët për

 

  • operacionet e bashkimeve,
  • ndarjeve, ndarjeve të pjesshme,
  • transferimet e aktiveve dhe
  • shkëmbimet e aksioneve ndërmjet shoqërive të parashikohet për shoqëritë rezidente shqiptare.

 

Për sa më sipër, përmes këtyre ndryshimeve ligjore Qeveria propozon përafrimin e legjislacionit për katër situata që hasin sipërmarrësit shqiptarë:

  • përfshirja e biznesit,
  • transferimi i biznesit,
  • shkëmbimi i aksioneve
  • dhe bashkimi

 

Sigurisht, ky është një përafrim i pjesshëm i cili do të vijojë me hapat që ka ndërmarrë gjatë gjithë kësaj kohe Ministria e Financave për përafrimin e të gjithë kapitujve, e cila është përgjegjëse, përfshirë edhe këtë kapitull. Jemi në rrugën e duhur me kohën dhe me të gjithë përafrimet e nevojshme.

 

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.90/2019 ‘Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”

 

Njëkohësisht në ditën e sotme për shqyrtim janë edhe disa shtesa në Ligjin për Rivlerësimin e Pasurive të Paluajtshme.

Më lejoni të kujtojë për të gjithë qytetarët, por edhe për deputetët që ne kemi ndërmarrë një nismë vitin e kaluar në projektbuxhetin dhe në paketën fiskale të vitit kaluar të diskutuar në Komisionin e Ekonomisë për të dhënë një lehtësi tjetër për individët, të cilët kanë pasuri të paluajtshme dhe duan që të rivlerësojnë pasuritë e tyre me një lehtësi fiskale në 3%.

 

Sigurisht, ky vit ishte një vit i vështirë. Ne parashikuam një numër më të konsiderueshëm sesa ai që u realizua. Konkretisht, vetëm për periudhën e muajve Mars – Maj u realizuan 4 835 rivlerësime nga 15 071 rivlerësime që ishin në periudhën Janar-Mars.

 

Ne gjykojmë që pandemia ka krijuar një frenim edhe të këtij procesi dhe propozuam në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për ta shtyrë deri në muajin shtator dhe ata e shtynë deri në muajin dhjetor.

Kjo është një thirrje edhe për të gjithë qytetarët që kanë pasur përfundimin e afatit muajin dhjetor të këtij viti, të marrin kohë sepse do e kenë këtë mundësi deri në dhjetor të vitit 2021.

 

Të nderuar Deputetë e Qytetarë,

 

Prej vitesh disa kategori nuk kanë gjetur adresim apo zgjidhje të problematikës së tyre me sigurimet shoqërore, pensionet apo trajtimit financiar për shkak të vështirësive, mosplotësimit të disa kritereve të vendosura nga ligjvënësit e mëparshëm.

 

Në një situatë kur Qeveria, Komisionet Parlamentare dhe ju keni treguar një kontribut të rëndësishëm për të diskutuar disa nga përmirësimet e këtyre elementeve për të cilat jo pak qytetarë kanë përfituar nga skemat e ndryshuara pas vendimmarrjes në parlament.

 

 

Unë jam e lumtur që ditën e sotme miratojmë disa akte, të cilat i sigurojnë trajtim financiar të vazhduar këtyre qytetarëve dhe familjeve të tyre.

 

Përmes ndryshimin e ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, bëjmë të mundur përfshirjen në skemën e trajtimit të veçantë dhe marrjen e një pagese mujore të ish-punonjësve të ndërmarrjeve ushtarake.

 

Dua të falënderoj ministren Xhaçka për iniciativën, sigurisht edhe Komisionin. Qeveria Rama e ka treguar vëmendjen ndaj të gjithë këtyre punonjësve që kanë pasur nevojë për vëmendje dhe vijmë sot në propozime konkrete që shpresoj të miratohet nga ju.

 

Të gjithë përfituesit e këtij ndryshimi ligjor, ish punonjës të Kombinatit Mekanik Poliçan, Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzinës Mekanike Gramsh, si dhe Uzinën e Riparimit të Avionëve në Kuçovë (141 persona) do të kenë të drejtën të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore deri në datën 01 Prill 2021.

 

Përmes projektligjit “Për faljen e detyrimeve, qe ish punonjësit e nëntokës kane ndaj fondit te sigurimeve shoqërore, zgjidhim gjithashtu një ngërç, për detyrimet e papaguara të punonjësve të nëntokës – minatorëve në funksion të trajtimit të tyre financiar të posaçëm apo për efekt të pensionit të pleqërisë.

 

Të mos harrojmë se falë këtij projektligji, njihen edhe detyrimet si pasojë e vendimeve të formës së prerë të gjykatave. Detyrimet që mund të krijohen për shkak të punësimit te personave të përcaktuar pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk falen.

__________________________________

Përmes projektligjit për njohjen si periudhe sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore të kohës së punësimit në ish-kooperativat bujqësore lehtësojmë një proces të vështirë për qytetarët e këtij vendi, të cilët jo pak herë janë gjendur para dyerve së Gjykatës për të gjetur të drejtën e tyre. Ndaj, edhe nëpërmjet këtij projekt akti ne gjykojmë që qeveria shqiptare ka dhënë një kontribut të çmuar për të lehtësuar këtë shërbim dhe për të marrë atë që meritojnë një numër i konsiderueshëm për gati rreth 40 kooperativa, nga ato në Kukës, Shkodër, Tiranë apo në Vlorë e Sarandë.