Postuar më: 27/10/2020

Denaj: Në 2021 synojmë rikthim në parametrat pozitivë të zhvillimit ekonomik

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi projektligjin “Për buxhetin e shtetit 2021”, në Komisionin  parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

Gjatë prezantimit Ministrja Denaj, u shpreh,  se objektivi i Qeverisë Shqiptare nëpërmjet projektbuxhetit 2021, është  rimëkëmbja ekonomike dhe rikthimi në parametrat pozitivë të zhvillimit ekonomik, ulje e mëtejshme e papunësisë dhe konsolidim fiskal në afatmesëm.

“Baza e kuadrit makroekonomik, fatmirësisht deri tani ka qëndruar relativisht e qëndrueshme, tha Ministrja, gjatë këtij prezantimi, duke theksuar,  se, qëndrueshmëria e financave publike përbën një tjetër fondament tejet të rëndësishëm për perspektivën e ekonomisë, ndoshta më të rëndësishmin për tipologjinë e ekonomisë shqiptare, si dhe në kontekstin e dy goditjeve, tërmetit dhe pandemisë”.

Sipas Denajt,  në vitet e fundit financat publike kanë hyrë në një trajektore të sigurtë dhe optimale të konsolidimit fiskal, e materializuar në parametrat më kyç të qëndrueshmërisë.

Deri në shtator 2020, rezulton se ekzekutimi në tërësi i buxhetit është plotësisht brenda parametrave kryesorë (deficiti, borxhi, huamarrje neto) siç përcaktohet në rishikimin e fundit të ligjit vjetor të buxhetit.

Megjithatë,  tha Denaj, zgjerimi i deficitit fiskal do të jetë krejt i përkohshëm dhe i targetuar mirë për të amortizuar ndikimin e dy goditjeve. Njëkohësisht, në afatin e mesëm në vijim synohet dhe programohet ruajtja e një niveli të investimeve publike në rreth 5 % të PBB në vitet 2021-2023, esenciale kjo për të mbështetur nivele relativisht të larta rritjeje në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

 

Fjala e plotë e Ministres Denaj :

I nderuar Kryetar i Komisionit, të Nderuar Deputetë!

 

Projektligji i buxhetit të vitit 2021 është një projektbuxhet ambicioz, ka si objekiv prioritar rimëkëmbjen ekonomike, pas dy goditjeve të njëpasnjëshme, që kemi kaluar, atë të tërmetit dhe të pandemisë. Sigurisht që ekonomia shqiptare ka ndjerë pasojat e kësaj të fundit shumë fort këtë vit, sigurisht edhe si rezultat edhe i mbylljes së ekonomisë në pjesën e parë të vitit ne kemi rishikuar recesionin e këtij viti,  kemi sjellë në këtë propozim një ulje me -6.1% të ritmit të rritjes ekonomike të këtij viti, për të projektuar në vitin e ardhshëm një rritje ekonomike në nivelin 5.5% dhe duke konverguar një rritje ekonomike në 4% për periudhën pasardhëse.

Në këtë prezantim do të ndalemi në tre pjesë.

Pjesën e parë të prezantimit do ta kem në raport me situatën makroekonomike, pjesën e dytë në raport me nivelin e të ardhurave dhe pjesën e tretë në raport me shpenzimet.

Në raport me pjesën makroekonomike do doja të përmendja këto elementë kryesorë.

Së pari, rënia ekonomike e gjashtëmujorit e parë rezultoi 6.6%.  Kjo rënie ka ardhur në një masë të konsiderueshme nga disa faktorë dhe më kryesisht nga fakti se sektori i turizmit, pati goditjen më të madhe si rezultat i pandemisë, por njëkohësisht edhe shumë marrëdhënieve, të cilat janë të lidhura ngushtësisht me sektorë ekonomik në BE, që janë të prekura drejtpërdrejt.

Pasojat e këtyre masave shtrënguese, të cilat synonin ruajtjen e shëndetit, por njëkohësisht patën një goditje edhe në aspektin e njësive ekonomike, sollën ulje të konsumit familjar, por njëkohësisht edhe ulje të investimeve në sektorin privat.

Në asnjë moment gjatë vitit që po kalojmë, investimet publike nuk u tkurrën, edhe kur ne përgatitëm  paketat e ndihmës për emergjencat në raport me dy fatkeqësitë natyrore, tërmetin e 26 Nëntorit dhe pandemisë së COVID – 19.

Nga optika e kërkesës agregate, në gjysmën e parë të vitit 2020, vlerësohet se të gjithë komponentët e saj kanë pësuar rënie duke reflektuar kështu një tkurrje të fortë të rritjes ekonomike. Ndërsa nga pikëpamja e ofertës agregate, me përjashtim të sektorit të bujqësisë dhe atij të pasurive të paluajtshme, të cilët kanë pasur një rritje pozitive gjatë 6-mujorit të pare, me respektivisht 3% dhe 4.2%, të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë kanë pësuar rënie.

Disa prej tyre nga më të rëndësishmit janë: tregtia me -16.1%, ndërtimi me -13.8%, industria me -8.7%.

Ndërkohë, tkurrja e mprehtë e aktivitetit ekonomik është reflektuar në një masë të konsiderueshme në tregun e punës. Konkretisht papunësia regjistroi 12.5% në tremujorin e dytë të vitit 2020.

Ne parashikojmë që, do të jetë një ritëm i rritur deri në fund të vitit, në mbi 13 %, por duke synuar që në 2021 të ketë ulje të këtij treguesi.

Shumë e rëndësishme për të caktuar si element kyç të ekonomisë dhe mënyrën se si ka reaguar ekonomia ndaj kësaj situate janë fondamentet bazë makroekonomik dhe konkretisht të lidhur me:

-Pozicionin i jashtëm i ekonomisë, i cili ende mbetet relativisht solid. Ka një zgjerim të deficitit të llogarisë korrente, kryesisht për shkak të tkurrjes së fortë të flukseve hyrëse tipike nga turizmi, eksportet e mallrave dhe gjithashtu një rënie të ndjeshme të remitancave.

Sidoqoftë, ky zgjerim i deficitit të llogarisë korrente ka qenë relativisht i përmbajtur, kompensuar kryesisht nga frenimi i flukseve dalëse dhe kjo përfshin kryesisht importet e mallrave dhe gjithashtu në një masë të konsiderueshme edhe frenimi i “importit të shërbimeve turistike”.

Dua të theksoj që pak më herët në diskutimet që janë bërë në raport me efektet në turizëm ne kemi thënë që parashikimet tona në raport me ritmin e uljes së zhvillimit ekonomik të sektorit do të ishin më negativë dhe falë këtyre lëvizjeve apo importeve të shërbimeve turistike  në njëfarë mënyre këto parashikime më negative nuk u materializuan. Këto elementë, kanë amortizuar disi ndikimin e lartë negativ që pritej në këtë sektor.

Një fondament tejet i rëndësishëm dhe tipikishit vulnerabël në kriza të tilla, ka pasur zhvillime relativisht pozitive edhe në llogarinë financiare. Gjatë këtij viti është pritur një rënie e konsiderueshme e flukseve hyrëse nga Investimet e Huaja Direkte. Deri më tani është kompensuar nga rritja e flukseve hyrëse financiare, kryesisht në formën e huamarrjes së huaj të qeverisë.

Në këtë vit kemi realizuar disa transaksione shumë të rëndësishme, falë edhe mbështetjes së të gjithë sektorëve tanë ndërkombëtarë, duke filluar nga FMN-ja, Delegacioni i BE-së, BE-ja, BB-ja dhe një pjesë e tyre janë realizuar si flukse hyrëse dhe pjesa tjetër parashikohet të realizohet deri fund të vitit.

Qëndrueshmëria e financave publike është një fondament tejet të rëndësishëm për perspektivën e ekonomisë, ndoshta më i rëndësishmi për tipologjinë e ekonomisë që kemi.

Deri në shtator 2020, rezulton se ekzekutimi në tërësi i buxhetit është plotësisht brenda parametrave kryesorë (deficiti, borxhi, huamarrje neto) siç përcaktohet në rishikimin më të fundit të ligjit që është bërë në korrik të këtij viti.

Në vitet e fundit financat publike kanë hyrë në një trajektore të sigurt të konsolidimit fiskal, ajo që lidhet kryesisht me treguesit makroekonomik, borxh mbi PBB,  deficiti dhe balanca primare pozitive.

Ndërkohë objektivi themelor për dy vitet e ardhshme është të ruajmë përtej zgjerimit  që i është bërë këtyre treguesve për arsye  të logjikshme, objektivi i MFE-së dhe i qeverisë është të hyjë përsëri stabilizim të  të gjithë këtyre parametrave.

Në afatin e mesëm në vijim synohet dhe programohet ruajtja e një niveli të investimeve publike në rreth 5 % të PBB, në vitet 2021-2023, esenciale kjo për të mbështetur nivele relativisht të larta rritjeje në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Në aspektin makro, rritja ekonomike përgjatë periudhës 2021-2023 pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet. Ndërkohë kërkesa e huaj neto pritet të ketë pothuajse një efekt neutral.

Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit dhe nga përmirësimet në tregun e punës, duke gjeneruar më shumë punësim dhe rënie të nivelit të papunësisë në 12.2% në 2021 krahasuar me 13.9% që pritet në fund të vitit 2020.

Në aspekt të sistemit financiar në Shqipëri dua vetëm të përmend dy tregues, që janë një element shumë i rëndësishëm i fondamentit ekonomik  në Shqipëri. Ne kemi siguruar edhe këtë vit një sistem financiar solid , jo vetëm që është i mirëkapitalizuar, por njëkohësisht është dhe likuid, ku ritmi i kreditimit dhe depozitave përgjatë këtij viti nuk u frenuan. Në raport me ritmin e kreditimit dhe mbështetjes që është dhënë me garancitë sovrane nëpërmjet paketës së parë dhe të dytë, por edhe përtej saj ritmi i kreditimit ka vijuar sikurse dhe rritja e depozitave.

Ndërkohë, ky sistem ka mbështetur në mënyrë aktive të gjithë daljet që janë bërë në tregun e brendshëm dhe huamarrje dhe në të gjitha rastet mbulimi me kërkesën për këtë ka qenë mbi njëherë dhe norma e interesit nuk është rritur dhe kjo tregon edhe një besim të shtuar ndaj financave publike. Edhe më herët në raport me daljen tonë në Eurobond, patëm një mbulim pothuajse 4 herë  me normë interesi krahasimisht me vendet e rajonit, por edhe me historinë tonë të përpara dy vjetësh,   është e suksesshme dhe kjo përsëri  ka një tregues të një konsolidimi të një besimi të financave publike të qeverisë.

Kjo është pjesa e parë e prezantimit në aspekt makro,  tani do të më lejoni të futem në disa detaje që lidhen me zëra buxhetore duke filluar së pari me të ardhurat.

Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të arrijnë 479 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 437 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të  ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 311 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 99,7 miliard lekë.

Krahasuar me të pritshmin e vitit 2020, të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit rriten 10.6 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të rriten 12.2 %.

Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” parashikohet të jetë 143.5 miliardë lekë, 15.4 miliardë lek ose 12% më shumë se pritshmëria për vitin 2020. Burimet e rritjes së TVSH-se në vitin 2020 do të jenë:

  • TVSH-së që do të gjenerohet si rezultat i rritjes ekonomike;
  • TVSH nga rritja e volumit të importeve dhe koniunktura e çmimeve ndërkombëtare;
  • Përmirësimi i mirëadministrimit fiskal.

Njëkohësisht, të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” vlerësohen me rritje 19.2% ose 5.3 miliardë lekë më shumë se viti 2020, pra parashikohet të arkëtohen 33 miliardë lekë. Rritja e parashikuar në tatimin mbi fitimin bazohet:

  • Në rikuperimin e ekonomisë dhe rritjen e saj, çka do reflektohet edhe në deklaratat e tatimpaguesve;
  • Në forcimin e kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut;

Duhet të theksojmë që, sigurisht të ardhurat në krahasim me të pritshmin e 2020 janë ambicioze. Ne kemi diskutuar ditën e djeshme edhe në Komisionin e Ekonomisë se sa realiste do të jenë këto të ardhura. Ne besojmë që krahasimi me vitin 2020 është një krahasim që tregon një rritje të konsiderueshme, por ne do ta shikojmë edhe me vit normal, pasi bazë e programimit të projektbuxhetit të vitit 2021 ka qenë parakushti që situata e emergjencës së pandemisë  nuk është në të njëjtin nivel siç ka qenë këtë vit dhe me këtë parakusht ne sigurisht  do të parashikojmë që përtej rritjes së investimeve publike dhe zhvillimit  të treguesve me ritëm pozitiv në ekonomi, të gjitha këto do të përkthehen  dhe në tregues pozitiv të ritmit të atyre tregues që përmenda më parë.

Në raport me TVSH dhe tatim-fitimin dhe më herët të gjithë elementët, që kanë të bëjnë me përmirësimin e ndihmës që është dhënë biznesit këtë vit, kryesisht në raport me ndihmën indirekte, atë të shtyrjes së tatim-fitimit, pothuajse 19.1 miliardë lekë ka qenë rezultati si efekt  i këtyre shtyrjeve të tatim-fitim të këtij viti, të cilat sigurisht vitin tjetër, në parakushtin që situata e pandemisë nuk do të jetë më në të njëjtën mënyrë siç ishte në fillim të këtij viti janë të reduktuara.

 Në raport me shpenzimet:

Shpenzimet Buxhetore për vitin 2021 të programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB, me rritje në terma nominalë me rreth 8 miliardë lekë krahasuar me Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2020, do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit, i cili edhe më herët  ka treguar objektivin e qeverisë, jo vetëm për të mbajtur premtimin  për kthimin në banesa e të gjithë individëve që sot janë të dëmtuar nga fatkeqësia e parë, ajo e tërmetit, por edhe realizimin e saj në kohë optimale.

Shpenzimet e Personelit për vitin 2021, të parashikuara në masën 92.1 miliardë lekë ose 5.5% e PBB, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave për dy sektorët prioritarë shëndetësi dhe arsim.

Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 8 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 40% për punonjësit shëndetësor, me një vlerë prej 4.5 miliardë lekë dhe rritjen e pagës për funksion me 15% për punonjësit mësimor të sistemit arsimor parauniversitar me një vlerë prej 3.5 miliardë lekë.

Nga kjo politikë e re e rritjes së pagave përfitojnë:

  • 4,650 Mjekë në kujdesin parësor dhe dytësor;
  • 13,765 Infermierë dhe Laborantë;
  • 35,883 Mësues të Arsimit Parauniversitar

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2021 janë parashikuar në masën 45.9 miliardë lekë ose rreth 2.7% e PBB-së.

Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si skema e fermerëve, programet e nxitjes së punësimit, mirëmbajtja e aseteve rrugore kombëtar dhe infrastrukturës IT, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe zhvillimi i sportit.

Gjithashtu, si politikë e re për vitin 2021 është miratuar dhe një fond prej 1 miliardë lekësh në formën e skemës së mbështetjes së fermerëve përmes përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 43.8 miliardë lekë ose 2.6% të PBB. Këtu kemi një fond shtesë prej gati 4.5 miliardë lekë.

Në këtë shumë përfshihet dhe një fond kontingjent prej 4.5 miliardë lekë ose 0.3% e PBB për të përballuar çdo risk të mundshëm të rritjes së normave të interesit.

Subvencionet janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke pësuar një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë. Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve janë planifikuar në vlerën prej 193.97 miliardë lekë ose 11.5% e PBB në vitin 2021:

Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2021 parashikohet në masën 144.6 miliardë lekë ose 8.6% e PBB.

Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 2.4 miliardë lekë.

Dëshiroj të theksoj këtu se kjo skemë ka një varësi gjithnjë e më të ulët nga transferta e buxhetit qendror, e cila për vitin 2021 pritet të ulet në masën 41.6% të totalit, dukshëm më ulët se niveli i regjistruar në vitin 2013 prej 46.6% të totalit.

Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2021 janë parashikuar në masën 46.3 miliardë lekë ose 2.8% e PBB nga 43.8 miliardë lekë të pritshme për t’u realizuar në vitin 2020.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total në masën 3 miliardë lekë.

Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë.
  • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 22.2 miliardë lekë, duke pësuar një rritje nominale me 1.2 miliardë lekë.
  • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë.

ose 0.1% e PBB.

  • Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë.

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2021, planifikohet në masën 4 miliardë lekë, përbëhet nga tre elementë të rëndësishëm.

Së pari, Fondi Rezervë, ai që është në dispozicion të Këshillit të Ministrave , në vleftën e 2 miliardë lekë, 1 miliard lekë fond kontigjence për mbështetjen e procesit zgjedhor dhe ndërkohë është shtuar një fond prej 1 miliard lekë si fond rezervë për studime dhe projektime për projektet e investimeve publike strategjike që lidhen me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të planifikuar nga BE për Ballkanin Perëndimor.

Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë.

Në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu, si edhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.

Për sa i përket zërave buxhetorë, mbështetjes së sektorëve prioritarë dëshiroj ta filloj me Arsimin ku synojmë të mbajmë një nivel konstant në raport me PBB prej mbi 3% përgjatë periudhës 2021-2023.

Shëndetësia, ku financimi do të mbetet në nivelet 3% mesatarisht për periudhën 2021-2023.

Duhet të theksojmë që në raport me Përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19;

Për vitin 2021, kostoja totale e prioriteteve për përballimin e pandemisë COVID-19 që do të financohet nga buxheti është rreth 6 miliardë lekë, ku përfshihet dhe kosto e parashikuar për vaksinën anti-COVID (COVAX), dhe do të garantojë një menaxhim sa më të mirë dhe efikas të pandemisë COVID 19 (këtu nuk përfshihet kostoja e rritjes së pagave me 40% për stafin mjekësor).

Bujqësia, do të vazhdojë të përfitojë në terma realë 0.8% të PBB për periudhën 2021-2023, ku:

Shtohet numri i përfituesve nga skema e masave mbështetëse në bujqësi.

  • 70 mijë fermerë të regjistruar përfitues potencial nga skema e përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe karbonit.

Në infrastrukturë synohet:

  • Kompletimi i Rrugës së Arbrit dhe fillimi i projektit të ndërtimit të Tunelit të Llogarasë;
  • Avancimi i punimeve në disa segmente rrugore si: Kardhiq – Delvinë, By – Pass Shkodër, By – Pass Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës;
  • Kompletimi i segmenteve rrugorë brenda 2021 me financim të huaj si: By Pass i Vlorës, Qukës – Qafë Plloçë;
  • Vënia në funksion e Aeroportit të Kukësit, si dhe ndërtimin e Aeroportit të Vlorës;

Së fundmi, por jo më pak i rëndësishëm, për efektin që do të ketë si në aspektin social dhe në ekonomi është fondi i rindërtimit.

Në vitin 2020 ne kemi parashikuar  në buxhet, në aktin normativ  të korrikut të këtij viti një vlerë prej 34 miliardë lekësh. Konkretisht, 31 miliardë mbështetje buxhetore dhe 3 miliardë që janë pjesë e donacioneve që kalojnë nëpërmjet llogarisë së thesarit në Qeverinë Shqiptare.

Ndërkohë vitin që vjen parashikohet një fond  28 miliardë lekë për përballimin e procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Krahas 34 miliardë lekë të parashikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit 2020 dhe 6 miliardë të parashikuar në vitin 2022, buxheti i rindërtimit do të mundësojë:

  • 3470 banesa individuale;
  • 4646 banesa kolektive;
  • 145 objekte arsimore;

Si dhe gjithë infrastrukturën shoqëruese të nevojshme për vënien në funksion të plotë të tyre.

Në vijim të reformës administrativo-territoriale janë bërë refoma të thella në drejtim të menaxhimit financiar në nivel vendor.

Në projektbuxhetin e vitit 2021 është parashikuar një fond për banesat sociale në nivelin e 1.5 miliardë lekë.

Në pushtetin vendor, sigurisht ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që reforma e decentralizimit është një reformë  nisur më herët, është një reformë e suksesshme e Qeverisë Shqiptare, e cila synon një qeverisje si në aspekt të politikave, por edhe financave  të pushtetit vendor. Megjithatë qeveria ka politika mbështetëse në formulat e saj të shpërndarjes granteve të pakushtëzuara dhe ka mundësuar mbështetje të disa prej politikave që pushteti vendor kërkon të nxisë.

Këtë vit është bërë e mundur që pesha e buxhetit vendor të rritet nga 2.1% e PBB-së në vitin 2013 në 3.3% të PBB-së në vitin 2021.

Në buxhetin e vitit 2021, njësive të vetëqeverisjes vendore u është akorduar një fond për mbrojtjen civile prej 500 milion lekë.

Ky fond i akorduar njësive të vetëqeverisjes vendore së bashku me fondin që këto do të adresojnë përbën fillimin e një reforme të rëndësishme për mbrojtjen civile.

Lidhur me rreziqet buxhetore që shoqërojnë projektbuxhetin 2021:

Detyrimet e Prapambetura, ku në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2020 rezultoi 6.81 miliard lekë, me ulje prej rreth 4.3% krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti. Vlen për t’u përmendur këtu se një pjesë e konsiderueshme prej rreth 57.8% e këtij stoku detyrimesh i referohen detyrimeve për vendime gjyqësore.

Ekspozimin e buxhetit ndaj pagesave të PPP aktive, ku për vitin 2021 ky ekspozim do të jetë dukshëm brenda limitit ligjor prej 5% të totalit të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës, duke mbajtur një trend të lehtë rritës nga 3.3% të regjistruar në 2019 në 3.7% në vitin 2021.

Vlen të theksohet se ky raport parashikohet në ulje përgjatë 2022 (3.5%) dhe 2023 (3.2%) duke shtuar më tej nivelin e sigurisë për respektimin e këtij rregulli të rëndësishëm fiskal.

Së fundmi, lidhur me huamarrjen e re për të financuar deficitin buxhetor, theksoj se do të jetë në nivelin prej rreth 63.5 miliardë lekë e cila do të konsistojë në huamarrje në tregun e brendshëm prej 49.9 miliardë lekë  dhe huamarrje e huaj prej 13.6 miliardë lekë.

Nga pikëpamja e kompozimit të borxhit, pritet të ketë një rritje në favor të borxhit të dominuar në valutë vendase, duke qenë se huamarrja e brendshme planifikohet të jetë ndjeshëm më e lartë se huamarrja e huaj.

Në mbyllje të prezantimit, dëshiroj të ritheksoj dhe njëherë objektivin e Qeverisë Shqiptare nëpërmjet projektbuxhetit 2021, rimëkëmbjen ekonomike dhe rikthimi në parametrat pozitive te zhvillimit ekonomik, uljen e mëtejshme të papunësisë dhe konsolidimin fiskal në afatmesëm.