Postuar më: 06/01/2021

Denaj: Ndoqëm të gjitha procedurat ligjore për projektin e Lumit të Vlorës

Banorët e Selenicës do të marrin rrugën e premtuar pas gati 30 vitesh, duke bërë realitet investimin infrastrukturor, që lidh gjithë zonat malore të jugut me bregdetin.

Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë një konference për media ditën e sotme.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka ndjekur me përpikmëri hapat e nevojshëm në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi që rregullon procesin e huamarrjes në Republikën e Shqipërisë. Proceset e huamarrjes për financimin e projekteve që sjellin zhvillim dhe përfitime për qytetarët dhe rajonet në të gjithë Shqipërinë, janë praktikë 30 vjeçare e MFE-së”, theksoi Denaj.

Sipas ministres, MFE-ja ka informuar institucionin e Presidentit të Republikës me dy shkresa në lidhje me procesin e huas, termin negocim dhe arsyet e ndryshimeve të kërkuara.

 

Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj

Së pari ju uroj të gjithë shqiptarëve një vit të mbarë, shëndet e shumë suksese.

Sot, në vijim edhe të informacioneve dhe qëndrimeve të shprehura nga z. Meta, si përfaqësuesi më i lartë i Institucionit të Presidentit, dua të sqaroj opinion publik se:

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka ndjekur me përpikmëri hapat e nevojshëm në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi që rregullon procesin e huamarrjes në Republikën e Shqipërisë.

Proceset e huamarrjes për financimin e projekteve që sjellin zhvillim dhe përfitime për qytetarët dhe rajonet në të gjithë Shqipërinë, janë praktikë 30 vjeçare e MFE-së.

Presidenti i Republikës është informuar me dy shkresa në lidhje me procesin e huas, termin negocim dhe arsyet e ndryshimeve të kërkuara.

Në frymë të transparencës dhe informimit si obligim institucional sqaroj publikun dhe banoret e zonave që janë pjesë e përmirësimeve të dukshme infrastrukturore, si më poshtë:

NUK BËHET FJALË PËR MARRJEN PËRSIPËR TË NJË DETYRIMI TË RI FINANCIAR PËR REPUBLIKEN E SHQIPËRISË, JASHTË PARASHIKIMEVE BUXHETORE DHE TERMAVE TË NEGOCIUAR MË PARË.

Ky është një rialokim i një detyrimi të siguruar me marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar në Kuvend me ligj të veçantë.

Ajo që kërkohet të arrihet është që me të njëjtin fond dhe burim financiar, të negociuar dhe siguruar sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore, të realizohet një projekt infrastrukturor, ne te njëjtin qark.

Dakordësia me palën Saudite për të ndryshuar objektin e financimit, por jo termat financiare, theksoj as shumë, as normën e interesit, as afat kohor, u arrit në muajin gusht.

Kjo solli edhe nevojën juridike për të vijuar paralelisht me dy procese:

Fillimin e procesit për të ratifikuar në parlament këtë ndryshim objekt investimi.

Për rrjedhojë edhe anulimin juridik të objekt kontratës së mëparshme, të cilën në termin juridik e njohim si Denoncim Marrëveshje dhe e kemi ratifikuar në parlament në 17 shtator 2020.

Ku qëndron kundërshtia me kushtetutën në këtë pikë? Në qëllim, në frymë apo në germë? NË ASNJË NGA KËTO!

Në qëllim dhe në frymë, ai është lehtësisht i lexueshëm dhe i qartë për popullin e  zonës së Vlorës, por edhe atë të të gjithë hapësirës shqiptare.

Në germë, gjithashtu procedura është plotësisht ligjore pasi rasti përbën zbatim të instrumenteve ligjore në funksion të qëllimit dhe interpretimit të bazuar të dispozitave ligjore.

SQAROJ zyrën e Presidentit se:

 

Vetëm në kushtet kur projekt marrëveshjet e propozuara, përmbajnë parashikime të caktuara, për të cilat institucionet përgjegjëse, NUK janë dakord me kushtet bazë të një marrëdhënieje financiare me një institucion ndërkombëtar partner ngrihen grupet negociatore, duke u kërkuar lëshimin e autorizimit nga Presidenti/Kryeministri me qëllim dhënien e plotfuqisë për negocim nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Fakti që ligji 43/2016 nuk e konsideron realizimin e procesit të negociatave, si një fazë të detyrueshme për t’u ndjekur për çdo kategori marrëveshje ndërkombëtare, konfirmohet  në rastin e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare financiare, të cilat edhe vetë Presidenti i ka dekretuar. Për ta konkretizuar përmendim rastet:

Ligji nr. 157/2020 “Për ratifikimin e  marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë si huamarrës, Bankës së Shqipërisë si agjent për huamarrësin dhe Bashkimit Evropian si huadhënës, për ndihmën makro-financiare për Shqipërinë”, në të cilat është vepruar në të njëjtën mënyre dhe Presidenti ka firmosur.

Ligji nr. 47/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes për një hua shtesë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e projektit të rehabilitimit të Rrugës së Lumit të Vlorës”.

Për këto marrëveshje mes palëve NUK janë zhvilluar negociata, palët janë dakordësuar dhe nevoja për grup negociator nuk ka qenë e nevojshme. Kjo shkresë konfirmon (paraqitur në monitor) përsëri firmën e zotit President  në përputhje të plotë ligjore për të lëshuar autorizimin, sikurse në rastin konkret kërkojmë prej disa muajsh.

Por Presidenti, për të mbështetur arsyet e refuzimit të kërkesës për autorizimin e plotfuqisë për këtë procedurë ligjore, interpreton në mënyre jo të bazuar zbatimin e procedurës së negocimit që sipas tij nuk është kryer sipas parashikimeve ligjore.

Dhe jo vetëm kaq, por mbi këtë argument ngre akuza për mashtrim, kundërshti me kushtetutën të panevojshme për t’u përsëritur sepse nuk është ky qëllimi i qeverisë. Në të njëjtin stil, Presidenti tenton të paraqesë si një veprim arbitrar dhe diskriminues anulimin e marrëveshjes ekzistuese për projektin e Lumit të Vlorës.

Kërkoj të sqaroj opinion publik se, nevoja për të ndryshuar objektin e investimit lidhet me një arsye të vetme, maksimizimin e një procesi huamarrjeje në investime infrastrukturore.

Analiza e vlerësimit të projektit të parë të Lotit 4 të rrugës së Lumit të Vlorës, e kryer nga autoriteti përgjegjës Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili nxori një vlerë më të lartë, se sa vlera e huas dhe vetë projektin e parë jo ekonomik.

Në këto kushte, deri sa të përgatitej një projekt i ri më ekonomik,  u rakordua mes institucioneve përgjegjëse, kalimi i fondeve tek një projekt po aq i rëndësishëm për zonën.

Kryeministri Rama edhe me herët ka u premtuar banorëve të Selenicës që, infrastruktura në këtë zonë do të realizohet. Kërkoj pak durim, por premtimi do të mbahet.

Prandaj, përfitoj nga ky rast për të siguruar popullin e Vlorës dhe Selenicës se projekti i ri ekonomik është gati dhe FSHZH është në fazën finale për ta rakorduar financimin e tij.

Kujtoj të gjithë banoret e zonës se pas shumë vitesh gati 30 vjet po bëhet realitet një investim infrastukturor që do lidh gjithë zonat malore me bregdetin.

Lidhja e Tepelenës me Bregdetin e Jugut po realizohet aktualisht përmes Rrugës Gusmar-Kuç dhe Rrugës Bënçë – Let-dush, që financohen në kuadër të Programit të Rrugëve Lidhëse Rajonale dhe Lokale me mbështetjen e Bankës Botërore.

Kjo rrugë, e cila do të sigurojë lidhjen më të shkurtër dhe më të shpejtë të Tepelenës dhe të zonave të tjera të juglindjes me rrugën e Lumit të Vlorës dhe daljen më bregdet, është një potencial i madh për zhvillimin e jetës ekonomike në këto zona.

Ndërlidhja e kësaj infrastrukture me projektin e ri infrastrukturor ne zonën e  Selenicës do finalizoje një premtim të mbajtur të qeverisë dhe Kryeministrit Rama.

Së fundmi, gjej rastin të falënderoj Fondin Saudit për Zhvillim dhe partnerët e tjerë të zhvillimit, të cilët përgjatë gjithë viteve, por edhe në një vit të veçantë dhe të vështirë si ai që kaluam, na u gjenden pranë në me mbështetje financiare, e cila ka qenë e domosdoshme për të siguruar financim për nevojat tona, jo vetëm në aspekt të shpenzimeve, por edhe për të mos ulur investimet publike, të cilat janë shumë të nevojshme, që në vitin 2021 pritet të japin një kontribut në rritjen ekonomike.

Ju faleminderit.

 

Autorizim i Presidentit_Marreveshja Makro-Financiare me BE

Autorizim i Presidentit_Marreveshja e Financimit_Loti III_Rruga e Lumit te Vlores