Postuar më: 30/12/2020

Denaj: Incentivojmë sektorin minerar, nxisim investimet

 

Nga data 1 janari përjashtohet nga renta minerare për një periudhë 3-vjeçare grupi i mineraleve metalore që përpunohen në vend.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj së bashku me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS, njëkohësisht edhe deputet i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla zhvilluan takime në disa nga bizneset më të mëdha në vend që operojnë në fushën minerare, për t’i njohur me këtë incentivë të ndërmarrë nga qeveria, që vjen si më mbështetje për  biznesin vendas në një kohë të vështirë.

 

“Duke filluar nga data 1 janar, zerojmë rentën minerare për tre vitet e ardhshme, për të gjithë industrinë  nxjerrëse  dhe përpunuese në vend, të cilët pastaj eksportojnë këto produkte dhe të tjera, për të rritur vlerën e këtyre produkteve, por njëkohësisht për industrinë, edhe për të nxitur investimet në këtë sektor. Erdhi si një nevojë për të mbështetur sektorin, në veçanti siç e thashë edhe më parë përpunues dhe prodhues në vend për punonjësit, pasi në një vit të vështirë si ky, i goditur nga tërmeti dhe nga pandemia, shumë ndërmarrje u ndihmuan ose në mënyrë të drejtpërdrejt, por edhe nëpërmjet skemave”, u shpreh ministrja Denaj.

 

Kjo është një skemë, përmes së cilës qeveria synon mbajtjen në punë të punonjësve për këto sektorë, por mbi të gjitha shtron perspektivën në 3 vitet e ardhshme  që të rriten investimet dhe të rritet punësimi.

 

“Qeveria dhe ligjvënësi ka folur, e ka bërë fakt për tre vjet renta minerare është zero, jo vetëm ka një kursim në këtë element, por siç e thashë pak më parë, nxitja e sektorit drejt investimit do të rrisë vlerën e këtij produkti, i cili duke u eksportuar me një vlerë më të lartë rrit vlerën në treg dhe e ka mundësinë që të sjelli dhe gjenerojë më shumë të ardhura për biznesin, më shumë punësim dhe pse jo edhe paga më të larta”, theksoi ministrja Denaj.