Postuar më: 03/05/2019

Denaj-Chakrabarti: Mbështetja e BERZH do vazhdojë në sektorin publik dhe privat

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj priti në një takim Presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Sir Suma Chakrabarti.

Ministrja Denaj shprehu kënaqësinë për zhvillimin e këtij takimi dhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka dhënë për Shqipërinë.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe mbështetjen që BERZH i ka dhënë dhe i jep vendit tonë, si dhe bashkëpunimin mes qeverisë shqiptare dhe BERZH në vijim, fokusuar sidomos në programet e investimeve në turizëm dhe infrastrukturë.

Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me autoritetet shqiptare dhe shprehu angazhimin që ky bashkëpunim të forcohet akoma më tej.

Ministrja Denaj tha në një prononcim pas takimit me Presidentit e BERZH se qeveria është angazhuar në zhvillimin e disa sektorëve të ekonomisë ku dhe BERZH ka dhënë mbështetje në vitet e fundit, si turizmi apo bujqësia.

“BERZH ka treguar angazhim në këto sektorë dhe këtë angazhim e ka bërë nëpërmjet zhvillimit të portofolit të tij si në sektorin publik, me projekte në infrastrukturë, ashtu dhe në sektorin privat, sidomos me mbështetjen që i ka dhënë bizneseve në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe nëpërmjet mbështetjes që i ka bërë këtyre të fundit në akses në financë, në marrjen e kredive, me kushte më të mira dhe me superimin e problemit që ekziston te garancia nëpërmjet programeve të mbështetjes me fonde garancie, ku dhe qeveria shqiptare është e angazhuar në një prej tyre, në atë në bujqësi, në programin e 180 milionë eurove të cilin ne e kemi lançuar në 2016-ën, u shpreh Ministrja Denaj.

Angazhimi i BERZH në mbështetjen e këtyre sektorëve të ekonomisë është konfirmuar edhe në takimin e sotëm, ndërkohë është shprehur dhe angazhimi për të ndihmuar në përmirësimin e arsimit profesional në vendin tonë, duke e çuar atë në një nivel më të lartë.

“Ne jemi duke punuar si qeveri shqiptare në shkollat profesionale në disa drejtime, por në fushën e turizmit dhe të bujqësisë BERZH kërkon të angazhohet më shumë edhe në krijimin e një strukture më të qëndrueshme për bizneset, ajo që është forca punëtore, e cila të jetë jo vetëm e qëndrueshme, por të jetë dhe e aftë dhe kjo aftësi të mbështetet me programe suporti dhe nga BERZH”, tha Ministrja Denaj.

 Prononcimi i Ministres Denaj pas takimit:

Në takimin me drejtorin ekzekutiv të BERZH diskutuam zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe mbështetjen që BERZH i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në këtë zhvillim ekonomik, duke vijuar dhe çuar atë në një stad akoma më të lartë.

Ne si qeveri jemi të angazhuar dhe të fokusuar në disa sektorë ku dhe BERZH ka vendosur vëmendjen e tij në vitet e fundit, në sektorin e turizmit dhe të bujqësisë.

BERZH ka treguar angazhim në këto sektorë dhe këtë angazhim e ka bërë nëpërmjet zhvillimit të portofolit të tij si në sektorin publik, me projekte në infrastrukturë, ashtu dhe në sektorin privat, sidomos me mbështetjen që i ka dhënë bizneseve në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe nëpërmjet mbështetjes që i ka bërë këtyre të fundit në akses në financë; në marrjen e kredive me kushte më të mira dhe me superimin e problemit që ekziston te garancia nëpërmjet programeve të mbështetjes me fonde garancie, ku dhe qeveria shqiptare është e angazhuar në një prej tyre, në atë në bujqësi, në programin e 180 milionë eurove të cilin ne e kemi lançuar në 2016-ën.

Pra ky angazhim ekziston dhe është konfirmuar sot në takim që do të vijojë dhe do të zgjerohet më shumë. Fushat kryesore që BERZH shikon që do t’i zhvillojë edhe më tej është turizmi dhe njëkohësisht një zhvillim i ri është edhe ndihma që mund japë në përmirësimin e arsimit profesional dhe mundësitë për të rritur këtë diametër në një nivel më të lartë.

Ne jemi duke punuar si qeveri shqiptare në shkollat profesionale në disa drejtime, por në fushën e turizmit dhe të bujqësisë BERZH kërkon të angazhohet më shumë edhe në krijimin e një strukture më të qëndrueshme për bizneset, ajo që është forca punëtore, e cila të jetë jo vetëm e qëndrueshme, por të jetë dhe e aftë dhe kjo aftësi të mbështetet me programe suporti dhe nga BERZH.