Postuar më: 09/06/2021

Denaj: Akreditimi i institucioneve publike e private, siguri dhe standard më të larta për qytetarët

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Akreditimit, Armond Halebi, zhvilluan një vizitë në  laboratorin “Sarp&Lab”, ku panë nga afër kushtet teknike të analizimit të matërialeve të ndërtimit.

Kjo vizitë u bë në kuadër të 9 Qershorit, Dita Botërorë e Akreditimit, ku këtij laboratori iu dha dhe Certifikata e Akreditimit. Laboratori  “Sarp&Lab” është në tregun shqiptar që në 2003 dhe është I pari  laborator I akreditiuar nga  Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit.

Ministrja Denaj vlerësoi,  se të gjithë sektorët dhe bizneset të vendosin në fokus cilësinë, sepse vetëm kështu ne do të kemi edhe një produkt që do ti rezistojë kohës, do të jemi më afër standardeve ndërkombëtare, sidomos atyre të Bashkimit Europian, dhe do të rrisim vlerën.

“Eshtë e padiskutueshme, që nëse punon pa standard ndoshta çmimi është më i ulët, por do të konsumohet shpejt dhe do të ketë dëme. Ndërkohë që  të gjithë e më shumë  Ministria e Financave dhe Qeveria Rama ka punuar për ta rritur cilësinë, edhe pse me një kosto më të lartë, por për t’i rritur vlerën dhe për t’i rezistuar kohës sepse në fund të ditës jo vetëm që rritet kerkesa per produktin ,  por ka vlerë më të lartë ekonomike”, u shpreh Denaj.

Ministrja iu bëri një thirrje të gjithë bizneseve në çdo sektor që ti adresojnë të gjithë kërkesat e certifikimit të produkteve,testimit,inspektimit dhe certifikimit të personelit drejt organizmave te vleresimit te konformitetit te akredituara nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, që është në fakt prej vitesh duke realizuar këtë funksion, ,  pasi sipas saj, është bërë një punë shumë të madhe, jo vetëm me marrëveshjet ndërkombëtare dhe të Bashkimit Europian, por edhe përafrimin e legjislacionit, për ta bërë që çdo sektor të ketë mundësinë e akreditimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Akreditimit, Armond Halebi, theksoi se akreditimi që bëhet në Shqipëri nga DPA është i të njëjtit nivel me trupat më të mira në Europë. Sipas tij,  vitet e fundit është rritur me 3 herë kërkesa për akreditim nga ana e bizneseve, të cilët nëpërmjet  këtij procesi përmirësojnë cilësinë dhe rrisin shitjet e produkteve të tyre. Kështu në vitin 2013 numëroheshin 32 trupa të akredituara, ndërsa në vitin 2021 janë 92 trupa që kanë përfituar shërbimin e akreditimit.

Akreditimi është një mekanizëm që ndikon në rritjen e besueshmërisë dhe ndihmon autoritetet, ekonominë dhe shoqërinë që të gjykojnë nëse laboratorët e provave, organizmat e inspektimit, certifikimit plotësojnë detyrat specifike. Bizneset përmes akreditimit kanë më shumë gjasa të tërheqin konsumatorë që kërkojnë cilësi dhe të rrisin shitjet.

Shërbimi i akreditimit ofrohet për laboratorë testues dhe kalibrues sipas fushave, mjedis, ndërtim, ushqim, karburante, verifikim  metrologjik, metale, gaz industrial, etj, si dhe për trupa inspektues që operojnë në fushat e ashensorëve, enë nënpresion, mjete rrugore, verifikim metrologjik, pajisje elektrike, tahograf, pajisje mbrojtëse personale, pajisje ngritëse.