Postuar më: 07/11/2014

Cani, marrëveshje 11 milionë Euro me Zvicrën për infrastrukturën e 7 ujësjellsave

Një grant i ri siguron që ndërmarrjet e ujësjellësve në 7 bashki të operojnë me eficiencë dhe 400,000 qytetarë të kenë furnizim të sigurt dhe me kosto të arsyeshme të ujit, si dhe kanalizime të përshtatshme. Marrëveshja nga pala shqiptare u nënshkrua nga Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto, ndërsa nga pala zviceriane nga ambasadori zviceran Sh.T. Christoph Graf.

Gjatë fjalimit të tij, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani theksoi përgjegjësinë që kanë qeveria, bashkitë dhe ndërmarrjet e ujit si përfitues . “Miqtë dhe partnerët tanë po na mbështesin. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje për ndihmë financiare na lehtëson nga disa dhimbje të buxhetit dhe na liron për të plotësuar nevoja të tjera të panumërta të ekonomisë. Por uji është i pari dhe ja pse e kemi kthyer ujin në prioritet”, tha ministri Cani. Ai gjithashtu falënderoi Ambasadorin Graf për kontributin e Zvicrës. Ndërsa Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto tha: “Ky projekt është në linjë me prioritetet e qeverisë për sistemin e ujësjellësve dhe kanalizimeve, veçanërisht me adresimin e humbjeve të ujit në këtë sektor, duke i shërbyer objektivit të madh të rritjes së nivelit dhe cilësisë së shërbimeve që i ofrohen qytetarëve”, u shpreh ministri.

Ndërsa ambasadori zvicerian u shpreh se: “Marrëveshja e re që nënshkruajmë sot kontribuon për të përmirësuar cilësinë e jetës për 400,000 qytetarë në Shqipëri. Në shtatë bashki banorët do të gëzojnë mundësinë për furnizim të sigurt me ujë të pijshëm, dhe për shkarkim të përshtatshëm përmes kanalizimeve”. Ai gjithashtu përmendi se granti përfshin punime edhe në destinacione turistike dhe kulturore si Berat dhe Gjirokastër.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Berati, Kuçova, Gjirokastra, Kamza, Lushnja, Delvina and Librazhdi do të kenë mundësi të forcojnë ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, dhe të përmirësojnë furnizimin dhe shkarkimin e ujrave. Një komponent kyç është forcimi institucional i ndërmarrjeve të ujit përmes menaxhimit më të mirë, përshtatjes së tarifave, dhe performancës eficiente. Ndërmarrjet e ujit në vendin tonë kanë patur performancë të dobët në të shkuarën.

Ndryshe nga grante të donatorëve të tjerë, kontributi zviceran prej 11,600,000EUR vjen në formën e një granti të parimbursueshëm dhe që nuk kërkon asnjë lloj pagese nga ana e palës shqiptare. Gjatë fazës së parë të punës ekspertët do të kryejnë studime vlerësuese dhe do të forcojnë ndërmarrjet në mënyrë që ato të jenë me kosto efektive dhe të orientuara nga konsumatori. Bazuar në gjetjet e kësaj faze, në fazën e dytë do të ketë investime në infrastrukturë.

Më poshtë lutem gjeni fjalën e plotë të ministrit të Financave, z.Shkëlqim Cani:

Përshëndetje,

 

Miqtë dhe partnerët tanë na mbështesin!

 

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje me qeverinë zviceriane për të na ndihmuar në një problem kaq të rëndësishëm siç është uji, është realisht një ndihmë e madhe edhe për buxhetin që po diskutojmë këto ditë. Gjithnjë buxhetet tona mezi i gjejnë paratë dhe mundësitë për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë shqiptare, e ky është një nga rastet që miqtë tanë na ndihmojnë.

 

Uji është i një rëndësie të veçantë. Uji është vetë jeta. Kështu që qeveria shqiptare e shikon me prioritet të madh çështjen e ujit dhe ashtu siç është premtuar në programin e qeverisë së kualicionit, uji është një nga 6 prioritetet e veta. Me këtë marrëveshje i jepet një mbështetje kësaj çështjeje.

 

Nënshkrimi i sotëm, në fazën III/IV të programit midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë zviceriane, është një tregues i seriozitetit, tregues i prioriteteve dhe vetë realizmit që tregon qeveria shqiptare për këtë çështje.

 

Me këtë nënshkrim  marrëveshjeje me një shumë prej 11.6 milionë euro, i vihet në ndihmë për çështjen e ujit 7 bashkive në Shqipëri.

 

Në fund të fjalës dua të falenderojë ambasadorin e Konfederatës Zviceriane për mbështetjen, dhe ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës për ndihmën dhe mbështetjen për të arritur në këtë nënshkrim marrëveshjeje.

 

Njëkohësisht uroj që marrëveshja të gjejë zbatim të shpejtë në të shtatë bashkitë, në mënyrë që uji të mos mungojë, të jetë edhe më i shtuar, edhe më cilësor për komunitetin e shtatë bashkive. Natyrisht uroj që nga 7, të jenë 59 bashki të reja që do të bëhen, dhe ato të plotësojnë të gjitha nevojat që kanë për ujin e pijshëm.

 

Faleminderit!

 

Të rejat e fundit