Postuar më: 12/07/2021

Barazia gjinore, zhvillimet dhe prespektivat në Shqipëri

Fokus në strategjinë dhe në politikat mbështetëse të Qeverisë, si dhe disa efekte të para pozitive inkurajuese për të vijuar më tej

 

 

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka në fokus të politikave të saj mbështetjen e grave nëpërmjet instrumentave të ndryshëm, sidomos në biznes dhe aksesin në financë.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga INSTAT për rolin e grave dhe burrave në ekonomi, në vendimmarrje dhe biznes, rezulton se:

– Përqindja e grave pronare ose administratore në ndërmarrjet aktive është 25,5 %, nga 25,4 % në vitin 2019, pavarësisht situatës së pandemisë;

– Ndërmarrjet me pronare apo administratore gra janë të përqendruara në qarkun e Tiranës me 32,8 %, ndjekur nga qarku i Lezhës me 28,5 %;

– 43,2 % e huamarrësve dhe 43.5 % e depozituesve në bankat tregtare ishin gra.

Roli i gruas në shoqëri u prek ndjeshëm nga pandemia Covid-19, e cila ndikoi në rritjen e papunësisë dhe të punës së papaguar brenda familjes.

Ndonëse të dhënat e fundit paraqesin një përmirësim në shumë prej indikatorëve të barazisë gjinore, Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet e angazhuar për të forcuar rolin e gruas më tej dhe për të mbyllur boshllëqet gjinore përmes politikave të saj.

Aktualisht gratë përbëjnë 50,2 % të popullsisë gjithsej, me një moshë mediane 38,6 vite.

Sipas të dhënave, në vitin akademik 2019-2020, nga afërsisht 33 mijë studentë të diplomuar në arsimin e lartë, vajzat përbënin 65,3 %.

Studentet preferojnë kryesisht degët: biznes, administrim dhe ligj (28,4 %), shëndet dhe mirëqenie (16,3 %) dhe art dhe shkenca humane (13,0 %).

Ndërsa referuar të dhënave nga tregu i punës dhe mbrojta sociale ( grup mosha 15-64 vjeç) mund të veçojmë se pjesëmarrja e grave në forcat e punës llogaritet në masën 61,2 % dhe shkalla e punësimit është 61,2 % rreth 16 pikë përqindje më e ulët krahasuar me burrat;

– 43,3 % e grave janë të punësuara me pagë, ndërsa 22,8 % e tyre punojnë pa pagesë në biznesin e familjes;

– Punësimi që mbizotëron është ai në sektorin e bujqësisë, me 41,4 % e të punësuarave gra;

– Hendeku gjinor në paga është 6,6 %, një ulje me 3,5 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019;

– Nga përfituesit e pensioneve urbane, 47,4 % janë gra dhe mosha mesatare e daljes në pension është 61,1 vite, krahasuar me 65,1 vite për burrat.

Referuar barazisë gjinore në Qeverisje, Shqipëria renditet në 5 vendet më të ekuilibruara në botë përsa i përket përbërjes së kabinetit qeveritar, me 53.3% gra në pozita ministrore dhe 29.0% gra, anëtare të Parlamentit.

Cili ka qënë roli i politikave mbështetëse të qeverisë?

Prej vitesh tashmë Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka dhënë  mbështetje duke vendosur fokus në barazinë gjinore në raport me vendosjen e një zëri të veçantë në  buxhet për gratë, ndërsa Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që ka përfshirë në ligjin organik të buxhetit edhe buxhetimin gjinor.

Aktualisht 9% e shpenzimeve buxhetore, deri në vitin 2023 parashikohet të dedikohen për adresimin e objektivave gjinorë, ku qëllimi është sigurimi për gratë dhe vajzat, përmes politikave, mbështetje të vazhdueshme financiare.

Rezultatet janë të dukshme në nivelin e integrimit të Buxhetimit të Përgjigjshëm Gjinor në Programin Buxhetor Afatmesëm, ku numri i programeve buxhetore që përfshijnë në mënyrë efektive objektivat e lidhura me elementë gjinorë është rritur nga 9 Programe në 2015, në 38 të tilla në 2020.

Integrimi i perspektivës gjinore vazhdon të mbetet angazhim i shtuar në politikat e MFE në përpjekjet për realizimin e parimit të barazisë gjinore dhe respektimit  plotësisht në vendin tonë gjithashtu edhe nëpërmjet nismave ligjore që kanë qënë rezultative, si

  1. a) Ligji Nr.15/2019 “Për Nxitjen e Punësimit” , që ka për qëllim rritjen e punësueshmërisë së forcave të punës, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe programeve publike të punësimit, të vetëpunësimit dhe të kualifikimit profesional.
  2. b) Ndryshimet e Kodit të Punës , që janë në linjë me legjislacionin e Bashkimit Europian, për të mbështetur barazinë gjinore në tregun e punës, kryesisht të lidhura me rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjen e fuqizimit ekonomik të grave në tregun e punës
  3. c) Ligji Nr.110/2018 “Për Noterinë”, është një arritje në çështjet e rregullimit të barazisë gjinore në aspektin e mbrojtjes së pasurive të grave dhe vajzave. Zbatimi i tij zvogëlon ndjeshëm pengesat për akses në financë për femrat dhe garanton të drejtat e pronësisë së bashkëshortëve për pasuritë e fituara gjatë martesës, kur bashkëshortët janë në regjimin pasuror martesor në bashkësi.
  4. d) Ligji Nr. 111/2018, “Për kadastrën”, rregullon çështjet e barazisë gjinore, lidhur me regjistrimin e pasurisë së bashkësisë ligjore.
  5. e) Ligjit Nr.65/2016, “Për Ndërmarrjet Sociale në Republikën e Shqipërisë”, rregullon veprimtarinë e ndërmarrjeve sociale, me qëllim mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të grupeve vulnerabël duke shënuar një hap thelbësor drejt barazisë gjinore, pasi këto shërbime lehtësojnë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.

Në Strategjinë e re të Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2021-2027 sigurohet një mbështetje më e madhe për përmirësimin e klimës së biznesit në tërësi dhe suportin e grave sipërmarrëse në veçanti.

Është në proces disbursimi i kredisë për Mbështetjen e Barazisë Gjinore në akses për mundësi ekonomike në Shqipëri falë marrëveshjes me Bankën Botërore dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD).

Disbursimi i huasë ka për qëllim përmirësimin e aksesit të femrave tek asetet, rritjen e mundësive të tregut të punës për femrat dhe forcimin e masave institucionale për krijimin e politikave të informuara gjinore.

Përtej angazhimit konstant në politikë bërje brenda vendit të Qeverisë Shqiptare, Ministrja Anila Denaj mban edhe rolin e anëtares në Komitetin Këshillues të Bankës Botërore për Çështjet Gjinore dhe Zhvillimin, prej Qershorit të vitit 2020, me një mandat 2 vjeçar.

Në këtë funksion, anëtarët e këtij këshilli ndihmojnë Bankën Botërore të vlerësojnë masat për të përshpejtuar ngushtimin e hendekut midis burrave dhe grave në mundësitë ekonomike dhe fuqizimin dhe ofrojnë rekomandime dhe sugjerime për të forcuar efektivitetin e politikave për barazinë gjinore.