Postuar më: 12/11/2021

AFD financon 50 milion euro për mbështetjen e Reformës në Sektorin e Energjisë

Qeveria shqiptare nënshkroi me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) Marrëveshjen e Huas për financimin e Projektit “Politika për mbështetjen e Reformës në Sektorin e Energjisë në Shqipëri”.

Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ndërsa për palën franceze nga Ambasadorja e Republikës së Francës në Tiranë, znj. Elisabeth Barsacq dhe nga znj. Cécile Couprie, Drejtoreshë e Agjencisë Rajonale të AFD për Euroazi/Kaukaz.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte dhe Zëvendëskryeministri, z. Arben Ahmetaj.

Në fjalën e mbajtur pas ceremonisë së nënshkrimit, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se marrëveshja e nënshkruar me Agjencinë Franceze për Zhvillim është në mbështetje të reformës madhore që Shqipëria ka ndërmarrë në sektorin energjetik.

“Sapo firmosëm marrëveshjen me Agjencinë Franceze për Zhvillim, e cila vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vazhdueshëm që stafet tona teknike kanë realizuar për tu finalizuar sot. Nëpërmjet kredisë së butë prej 50 milionë eurosh që u firmos sot, mbështetet sektori i energjisë. Në fakt është në vijim të reformës madhore që Shqipëria ka ndërmarrë në sektorin e energjisë, e cila sot më shumë se kurrë është e nevojshme, bazuar në zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Kjo kredi synon të përmirësojë dhe konsolidojë strukturën e OSHEE, pra ndarjen e operatorëve të OSHEE, synon të nxisë funksionimin e bursës së energjisë dhe krijimin e një tregu konkurrues për energjinë. Është në vijim të një marrëveshje tjetër kredie po për sektorin e energjisë, të financuar nga qeveria gjermane, bazuar në marrëveshjen që qeveria shqiptare, gjermane dhe ajo franceze kanë për nxitjen dhe mbështetjen e sektorit të energjisë”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Nga ana e saj, znj. Couprie vlerësoi se nënshkrimi i marrëveshjes shënon një dialog strategjik të vendosur me autoritetet shqiptare për të mbështetur sektorin e energjisë. Vënia në funksion e  instrumenteve financiare dhe ekspertizës së AFD, tha ajo, përbën një mjet shtesë që kontribuon për intensifikimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes Francës dhe Shqipërisë.

“Mandati i AFD ka për synim të ndihmojë Shqipërinë të përshpejtojë programin e saj të integrimit në BE, falë financimeve dhe projekteve të qëndrueshme dhe risive novatore, duke pasur një dimension të fortë mjedisor dhe shoqëror dhe duam të përgëzojmë qeverinë shqiptare për nismat e ndërmarra në këtë kuadër”, u shpreh znj. Couprie.

Ndërsa Ambasadorja znj. Barsacq tha se nënshkrimi i marrëveshjes është një shembull i mirë i bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Krijimi i një tregu transparent të energjisë merret në kuadër të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe ky krijim do të inkurajojë rritjen ekonomike të vendit dhe rritjen e investimeve të sektorit privat në treg”, u shpreh Ambasadorja.

Marrëveshja e nënshkruar është në përputhje me angazhimet e Memorandumit të Mirëkuptimit për bashkëpunimin financiar mes Shqipërisë, Francës dhe Gjermanisë në lidhje me programin “Mbështetja e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri” nënshkruar më 2018.

Gjithashtu, është vazhdimi i angazhimit të Qeverisë Shqiptare për të finalizuar reformimin e të gjithë sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri duke plotësuar angazhimin ndërkombëtar të tyre në lidhje me këtë reformim, i cili do të përfshijë, ndër të tjera, konsolidimin e ndarjes së OSHEE – Furnizuesit Universal dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, funksionimin e Bursës të Energjisë (APEX) dhe hapjen graduale të tregut të shitjes me pakicë, së bashku me krijimin e një tregu konkurrues të energjisë.