Postuar më: 29/03/2021

Përmbledhje e Performancës Paraprake 2 – Mujore të të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 2 mujore Janar – Shkurt 2021 reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Të ardhurat totale për 2-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 99.5 % të planit të 2-mujorit.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e dytë të vitit 2021, arritën në rreth 69.17 miliard LEK me një realizim në masën 89.9 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 2.5 përqind më i lartë ose 1.67 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 2 mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 11.7 përqind të planit vjetor..

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i suficitit për periudhën 2 mujore të vitit 2021 rezultoi në 354 milion lekë.

 

Performanca Paraprake 2 Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 2-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 69.5 miliardë lekë ose 99.5 % të planit të 2-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat kanë pasur një tkurrje nga efektet e pandemisë prej 1.7 miliard lekë.

 

  Grafiku 1: Të ardhurat e Përgjithshme (në milionë Lekë)

 

 

  Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)

 

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 63 miliardë lekë, 191 milionë ose 0.3% më pak, krahasuar me vitin 2020, si dhe 688 milionë ose 1.1% më pak se plani 2 mujor për vitin 2021. Në këtë mosrealizim kanë ndikuar faktorë të cilët do të shpjegohen në analizën specifike të secilit prej tatimeve më poshtë.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 23.7 miliardë lekë, 219 milionë lekë ose 0.9% më pak se 2 mujori 2020, si dhe 536 milionë lekë ose 2.2% më pak se plani i të ardhurave doganore për 2 mujorin e vitit 2021. Sipas Analizës së 60 grup mallrave, peshën më të madhe të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zë karburanti total me rreth 23.5% të të ardhurave (nga ku 23.3% karburant importi), cigaret me rreth 13.8% të të ardhurave, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre zënë 5.6% të të ardhurave totale doganore. Ndërkohë, ndikimin më të madh në rritje krahasuar me 2 mujorin e vitit 2020 e kanë dhënë të ardhurat nga importi i cigareve, automjetet e perdorura, energjia elektrike dhe materialet e ndertimet. Një rënie kundrejt periudhës së mëparshme kanë pasur të ardhurat doganore nga karburantet e importit, mishi, metalet bazë, automjetet e reja dhe birrë importi.

Të ardhurat nga TVSH në import për 2 mujorin rezultojnë 15.8 miliardë lekë, 50 milionë lekë ose 0.3% më shumë se një vit më parë, si dhe 1.9 miliardë ose 10.8% më pak se plani për 2 mujorin 2021. Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në mosrealizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Situata ekonomike prej Covid-19 është reflektuar në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja e mbledhur në doganë për disa kategori artikujsh. Gjatë 2 mujorit 2021, renia e sasisë së importuar të karburanteve të importit krahasuar me vitin 2020, ka sjellë efekt -277 milionë lekë në të ardhurat doganore, megjithëse efekti nga ndryshimi I çmimit ishte +110 milionë lekë, efekti total në të ardhura ishte -167 milionë lekë. Kjo ndikoi në uljen e bazës së TVSH-së për karburantet e importit, të cilat zënë një peshë të konsiderueshme rreth 13% në strukturën e TVSH-së në import. Gjatë 2 mujorit 2021, produket doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë importi i energjisë elektrike, automjeteve të përdorura, materialet e ndërtimit, dhe cigare, të cilat kanë një kontribut pozitiv +0.5 miliardë lekë. Ndër produket me efekt negative renditen karburante importi, automjetet e reja, mishi,fruta perimet dhe metalet bazë, me një efekt -0.8 miliardë lekë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 6.6 miliardë lekë, 143 milionë lekë ose 2.1% më pak se viti 2020, si dhe 1 miliardë lekë ose 19.3% më shumë se plani i akcizës për 2 mujorin 2021. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga akciza ka pasur produkti i cigare, me një rritje +9 ton (+2.2%) me një efekt +322 milionë lekë më shumë se viti i kaluar. Produktet e akcizueshme që kishin ndikim negative janë karburantet e importit, me një rënie prej 7.4 mijë ton (-8.6%) krahasuar me një vit më parë, duke sjellë një efekt negative në akcizë me -260 milionë lekë.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 437 milionë lekë, 93.9% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 115.6% kundrejt planit, ose 59 milionë lekë më shumë. Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 347.6 milionë lekë, 50.4 milionë ose 12.7% më  pak se renta e vitit 2020. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë pësuar rënie si rezultat i rënies së sasisë së sasisë së prodhimit të naftës bruto e cila për 2 mujorin 2021 është 3.3% më pak se viti i kaluar me efekt -13 milionë lekë, por në të njëjtën kohë edhe rënia e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë një efekt -37 milionë lekë. Gjatë 2 mujorit 2021 kemi një rënie të rentës për njësi nga 3.1 lekë/ton në 2.8 lekë/ton. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rritje në masën 33 milionë lekë, për shkak të rritjes së çmimit të mineraleve, me efekt +43 milionë lekë.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 856 milionë lekë, 99 milionë lekë ose 10.3% më pak se 2 mujori 2020, si dhe 240 milionë lekë ose 39% më shumë se plani i 2 mujorit 2021. Peshën më të madhe në taksën doganore e zënë produket si cigaret (11.1%), fruta perimet (8.2%), mish importi (7.8%), metalet bazë (7.4%), veshjet e këmbës (8%), etj.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 2 mujorin 2021  u realizuan në masën 39.3 miliardë lekë, 410 milioneë ose 1.1% më shumë se 2 mujori i vitit të kaluar, si dhe 153 miliardë lekë, ose 0.4% më pak se plani i 2 mujorit 2021. Peshën kryesore në mosrealizimin e planit e zë mosrealizimi i Tatimit mbi Fitimin dhe TVSH.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 9.6 miliardë lekë, 261 milionë ose 2.8% më shumë se 2 mujori 2020, si dhe 1.8 miliardë ose 16.2% më pak se plani i TVSH për tu arkëtuar në 2 mujorin 2021. Mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH-ja Bruto vjen si pasojë e goditjes që mori ekonomia shqiptare nga tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemisë Covid-19. Rimbursimet për periudhën 2 mujore 2021 arritën 3.8 miliardë lekë, 1.6 miliardë lekë ose 72.7% më shumë se 2 mujori 2020, si dhe 517 milionë lekë ose 15.7% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 2 mujorin 2021.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 3.7 miliardë lekë 791 milionë lekë, ose 17.6% më pak se 2 mujori 2020, si dhe 306 milionë lekë ose 7.6% më pak se plani 2021 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 6.7 miliardë lekë, 644 milionë lekë ose 10.5% më shumë se 2 mujori 2020, si dhe 0.7 miliardë ose 10.9% më shumë se plani 2 mujor 2021.

Taksat nacionale, për peridhën Janar-Shkurt 2021 u realizuan në masën 5.8 miliardë lekë, 0.6 miliardë lekë ose 12.1% më shumë se 2 mujori 2020, si dhe 958 milionë lekë ose 19.6% më shumë se plani i përcaktuar për 2 mujorin 2021.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 17.1 miliardë lekë, 1.3 miliardë lekë ose 8% më shumë se 2 mujori 2020, si dhe realizim 105.6% të planit për 2 mujorin 2021.

 

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e dytë të vitit 2021, arritën në rreth 69.17 miliard LEK me një realizim në masën 89.9 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 2.5 përqind më i lartë ose 1.67 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 2 mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 11.7 përqind të planit vjetor

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, për periudhën 2 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 88.7 përqind dhe 106.7 përqind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 13.5 përqind dhe 5.6 përqind të tij.

Grafiku 2: Shpenzimet korrente dhe kapitale Plan vs Fakt (në milionë Lekë)

 

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)

 

Niveli i suficitit për periudhën 2 mujore të vitit 2021 rezultoi në 354 milion LEK, ose rreth 3.38 miliard LEK më i ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 2 mujore ishte planifikuar deficit në masën rreth 7.07 miliard LEK.

 

Grafiku 3: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt 2 Mujori 2021  (në milion Lekë)

 

 

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)