Postuar më: 01/10/2019

Zv.Ministrja Ikonomi prezanton në komisionet parlamentare dy projektligje për zhvillimin urban të kryeqytetit

Zv.Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Belinda Ikonomi, ka prezantuar në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe komisionin parlamentar për  Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dy projektligje, të cilat lidhen me zhvillimin urban të kryeqytetit.

Bëhet fjalë për projektligjin “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban”.

Zv.Ministrja Belinda Ikonomi theksoi se nëpërmjet këtij projekti do të mundësohet krijimi i një shtrati me regjim hidraulik efeçent, për të eliminuar problematikën e përmbytjeve në këtë zonë, si dhe krijimin e hapësirave të nevojshme të zhvillimit urban të zone.

Nëpërmjet projektligjit të parë synohet ratifikimi i kontratës financiare ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban”, në shumën prej 8 milionë eurosh.

Ndërsa, nëpërmjet projektligjit të dytë, synohet ratifikimi i marrëveshjes së grantit mes Shqipërisë Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban”, në shumën prej 2,4 milionë eurosh.

Projekti do të zbatohet nga Bashkia Tiranë në shkurt të vitit 2022.