Postuar më: 06/06/2019

Zbatimi i rekomandimeve të KE për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet ligjore

Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat dy projektligje, pjesë e paketës së ndryshimeve ligjore në kuadër të rekomandimeve të raportit të vlerësimit “Moneyval” të Këshillit të Europës, për çështjet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Projektligji i parë është ai “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar dhe projektligji i dytë ai “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”.

Zv.Ministri Haxhi tha se paketa e ndryshimeve ligjore në kuadër të raportit “Moneyval” synon zbatimin e rekomandimeve dhe se adresimi në një kohë të shpejtë i gjithë problematikave të evidentuara ka një rëndësi të veçantë, sepse kërkon angazhim ndërinstitucional për të siguruar përputhshmërinë.

Me anë të ndryshimeve ligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit synohet forcimi i integritetit të sistemit parandalues në vend, siguria në përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare në këtë fushë; zvogëlimi i rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, nëpërmjet politikave të koordinimit dhe bashkëpunimit, parandalimi i hyrjes së produkteve dhe veprave penale; si edhe të fondeve të mbështetjes së terrorizmit në sektorin financiar ose zbulimi dhe raportimi i tyre.

“Amendamentet që përmban ky projektligj janë përpiluar në pasqyrim të gjetjeve të raportit “Moneyval”, në funksion të rritjes së efektivitetit dhe përputhshmërisë të sistemit në parandalimit e financimit të terrorizmit dhe zbatimit në kohë edhe me efektivitet të masave të kërkuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB”, u shpreh z. Haxhi.

Lidhur me projektligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, Zv.Ministri sqaroi se ai synonngritjen e një niveli më të lartë të të gjithë procesin aktual të administrimit të pasurive duke vendosur themele ligjore në procedurën që ndjek agjencia.

Pas diskutimit të dy projektligjeve, anëtarët e komisionit të Ekonomisë i miratuan ato nen për nen, parim dhe tërësi.

Në mbledhjen e sotme, komisioni i Ekonomisë shqyrtoi dhe miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), për bërjen palë në kuadrin gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar mbi erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimit (BEPS)”.