Postuar më: 13/09/2018

Vëmendje për ish të përndjekurit politikë. Miratohet kësti i 9 për kategorinë parësore, lehtësohen pagesat e trashëgimtarëve.

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Parlament:

Do të flas shumë shkurt për ligjin e ish të përndjekurve, duke ju referuar vetëm thelbit të ndryshimeve, por përpara se të vij tek ndryshimet dua t`ju bëj gjithashtu të ditur disa statistika që unë i konsideroj të rëndësishme, për të parë, për të prekur dhe për të ndjekur me vëmendje atë që forcat politike ndër vite kanë treguar ndaj kësaj kategorie.

Përgjatë harkut kohor 2009-2018 janë miratuar rreth 13,100 dosje të aplikuara nga ish të përndjekurit politik që ndërkohë, në retrospektivë financiare, praktikisht janë shpërndarë deri tani 8 këste për kategorinë parësore dhe për shkak të kufizimeve ligjore të kësteve, ku ligji i referohet jo më i madh se 1 milionë dhe jo më i vogël se 100 mijë lekë, ka dalë domosdoshmëria e ndërhyrjes në ligj për të bërë të mundur dhënien e këstit të 9, për një pjesë të kësaj kategorie, të cilët për shkak të madhësisë dhe kufizimit të kësteve nuk kanë arritur të marrin atë që iu takon. Do të thotë që kësti i 9 do të bëjë të mundur një herë e mirë mbylljen e pagesës së dëmshpërblimit të kategorisë parësore.

Janë rreth 1200 dosje, kategoria parësore dhe jo parësore, që do të përfitojnë nga ky ndryshim ligjor. Siç e theksova, nëpërmjet këstit të 9, ne do të mbyllim të gjithë pjesën e kategorisë parësore, ata që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti dënimin.

Ka pasur një debat të gjatë dhe në parlament përsa i përket asaj se çfarë ka ndodhur me ish të përndjekurit politik. Unë do të ndaj me ju disa shifra të rëndësishme. Fatkeqësisht, Partia Demokratike në qeverisjen e saj i ka përdorur shifrat dhe këtë kategori vetëm për efekte elektorale. Po të shohësh, në vite elektorale shifrat rriten, pas viteve elektorale shifrat bien në minimume historike.

Që nga viti 2010 deri në vitin 2014, pra në 4 vite, janë shpërndarë 7.9 miliardë lekë. Nga viti 2014 deri në vitin 2018, pra në 4 vite të qeverisë Rama, janë shpërndarë 9.1 miliardë lekë. Këto janë shifra fare të thjeshta. Pra, 79 milionë dollarë njëra forcë politike dhe 91 milionë dollarë qeveria Rama. Këtu dallohet drejtpërsëdrejti se çfarë vëmëndje ka pasur njëra parti, njëra mazhorancë, një qeveri, me partinë, mazhorancën apo qeverinë e dikurshme. Gjithë debati, jo këta komunistët, jo këta që na mbështetën, jo këta demokratët, kthehet në debat qesharak, sepse shifrat flasin vetë.

Do t`ju sjell një shembull tjetër përsa i përket parësorëve. Për qytetarët, këta “komunistët”, sipas këtyre, i paskan dhënë atyre që janë dënuar e kanë vuajtur drejtëpërsëdrejti në vetë të parë, këta me demek komunistët, i kanë paguar dëmshpërblim 70 milionë dollarë.

70 milionë dollar kanë marrë ish të përndjekurit, ata që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti, kategoria parësore, nga mazhoranca e majtë, nga qeveritë e majta në këto katër vite. Ndërsa, nga këta demokratët që i paskan mbështetur “emocionalisht” ndër vite, ata që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti në vet të parë kanë marrë vetëm 15 milionë dollar.

Janë shifra të verifikueshme. Unë e kuptoj shumë mirë që dikush mund të jetë me emocion dhe të më kthehet mua apo qeverisë, e të na thotë siç e kanë zakon ata të djathtët ekstrem që me demek ruajnë vlerat e të djathtës ekstreme: “Ore ju pinjollë të komunistëve me kë talleni ju?”. E unë me modesti e me vëmendje ndaj vuajtjes që kanë pësuar kategoria parësore ju them, ne, qeveritë e majta e konsiderojmë këtë kategori si një nga gjithë kategoritë e qytetarëve, ne këtë kategori nuk e konsiderojmë si balancë politike. Jo. Ne nuk bëjmë dallim mes veteranëve të Luftës Nacional Çlirimitare dhe ish të përndjekurve. Ne i trajtojmë dy kategori që kanë nevojë për vëmendje si qytetarë të këtij vendi dhe fakti statistikor i trajtimit, ka mbrapa drejtpërsëdrejti vëmendjen për qytetarët.

Kjo mazhorancë e majtë, 70 milionë dollar për parësorët dhe ajo mazhoranca e dikurshme, me demek përfaqësuese e vlerave të djathta, iu ka dhënë vetëm 15 milionë dollarë, pra i ka përdorur si kontigjent politik elektoral.

Jo, ne i shohim si qytetarë, si një kategori që ka vuajtur në regjimin komunist, që meriton vëmendje dhe kjo vëmendje është materializuar dhe sërish në këtë ndryshim ligjor materializohet një vëmendje e mëtejshme ndaj këtyre qytetarëve, duke bërë të mundur mbylljen e pagesës së dëmshpërblimit për ata që janë kategori parësore, që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti dhe do të vazhdojmë me pagesën për trashëgimtarët.

Këtu kemi hequr edhe atë kusht, raport midis 70/30. E kemi hequr për ta bërë të mundur pagesën më fleksibël ndër vite dhe mendohet që ndër vite të paguhen gati 490 milionë dollarë për katëgorinë e ish të përndjekurve politikë. Pra, minimalisht në përllogaritjet tona shkon në rreth 500 milionë dollarë, përveç shumave që janë paguar në dy forma kryesore, në ‘cash’ dhe në avancim privatizimi me bono privatizimi, ku shuma vetëm për këtë kategori të fundit shkon gati 34 milionë dollarë.

Duke i mbledhur të gjitha shumat bashkë që kanë përfituar kategoria e ish të përndjekurve, shuma totale shkon mbi 220 milionë dollarë në vitet e fundit.

Këtu unë do ta mbyll diskutimin tim dhe i kërkoj grupit parlamentar të Partisë Socialiste që t’i votojë ndryshimet që janë të domosdoshme për të përshpejtuar pagesën e dëmshpërblimit ndaj kategorisë së ish të përndjekurve politikë, që ne i shohim si qytetarë që kanë nevojë për vëmendjen e qeverisë dhe ata i kanë parë në vazhdimësi jo si qytetarë, por thjesht si kontigjent politik dhe elektoral i tyre.

Faleminderit.

Të rejat e fundit