Postuar më: 27/08/2018

Treguesit e Konsoliduar Fiskalë të 7-mujorit 2018, të ardhurat e periudhës, 7 miliardë më shumë se një vit më parë

 

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar treguesit fiskalë të konsoliduar të shtatë-mujorit 2018.

Të ardhurat totale për 7 mujorin 2018 u realizuan në vlerën 256 miliardë lekë, 7.3 miliardë lekë më shumë se 7 mujori i vitit 2017 dhe me realizim në masën 97% kundrejt planit të periudhës.

Të ardhurat e arkëtuara nga “tatimet dhe doganat përfshirë kontributet e mbledhura nga D.P.T) për 7 mujorin 2018, janë 224.4 miliardë lekë, 8 miliardë lekë më shumë se 7 mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 98%.

Të ardhurat nga “Taksa Doganore” janë realizuar në vlerën 3.6 miliardë lekë, rreth 100 milionë lekë më pak se 7 mujori i vitit 2017 dhe me realizim në masën 92% kundrejt planit të periudhës.

Të ardhurat nga “Akciza” janë realizuar në vlerën 24.8 miliardë lekë, me realizim në masën 98% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 93.2% kundrejt planit të periudhës.

Të ardhurat nga “Renta Minerare” në eksport janë realizuar në vlerën 1.6 miliardë lekë, me një rritje 19.7% ose 271 milionë lekë më shumë krahasuar me 7-mujorin e vitit 2017, dhe realizim në masën 80% të planit të periudhës. Krahasuar me vitin e kaluar të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur, si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar dhe si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare.

Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” në total, janë realizuar në vlerën 81 miliardë lekë, me një rritje 3.4% ose 2.6 miliardë lekë më shumë se 7-mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit në masën 95%. Rritja e importit të karburantit ka ulur prodhimin vendas të këtij produkti dhe si rrjedhojë të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit. Rënia e kursit të këmbimit të monedhave të huaja (EURO dhe USD) kundrejtë monedhës vendase, ka dhënë efekte të ndjeshme negative në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja të importeve për të gjitha kategoritë e mallrave. Janë rimbursuar rreth 8 miliardë lekë, ose 1.4 miliardë lekë më shumë se 7-mujori i vitit 2017.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 20 miliardë lekë, me një rritje 3.3% ose 639 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe realizim në masën 95% të planit. Kriza energjitike e vitit të kaluar, me import të konsiderueshëm të energjisë elektrike, ka dhënë efekte negative në rezultatin financiar të kompanive të sistemit energjitik duke u reflektuar në uljen e fitimit të tatueshëm dhe tatimit të paguar në vitin 2018.

 

Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” janë realizuar në vlerën 20.9 miliardë lekë, 12.3% ose 2.3 miliardë lekë më shumë se 7-mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit në masën 95%. Krahasuar me 7-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat nga të punësuarit e sektorit publik dhe sektorit privat, janë rritur ndjeshëm, kjo si rezultat i rritjes së numrit të kontribuesve aktiv krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti i krijuar me planin lidhet kryesish me uljen e të ardhurave nga tatimi mbi dividentin, tatimi mbi interesat e depozitave të kursimit dhe bonove të thesarit për shkak të uljes në nivele minimale të normave të interesit.

Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar në vlerën 20.6 miliardë lekë, me realizim 4.5% ose 887 milionë lekë më shumë se plani.

Të ardhurat nga “Kontributet e D.P.T-së” janë realizuar në vlerën 52 miliardë lekë, me një rritje 8.2% ose 4 miliardë lekë më shumë se 7-mujori i vitit 2017 dhe 7.1% ose 3.5 miliardë lekë më shumë se plani. Rezultati i lartë me rritje të qëndrueshme buron kryesisht nga situata pozitive ekonomike dhe rritja si rrjedhojë e numrit të të punësuarve. Nga ana tjetër aksioni antiinformalitet ka dhënë efekte të dukshme në formalizimin e tregut të punës.

 

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e shtatë të vitit 2018, arritën në rreth 252.8 miliardë lekë, me një realizim në masën 95.1 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 3 përqind më i lartë ose rreth 7.3 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim optimal, respektivisht në masën 97 përqind dhe rreth 88.3 përqind të planit të periudhës.

Shpenzimet korente për 7-mujorin 2018 rezultuan në rreth 218.1 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 1.7 përqind më i lartë ose rreth 3.6 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për 7- mujorin 2018 paraqesin një realizim në masën rreth 34.7 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë është 19.1 përqind më i lartë ose rreth 5.56 miliardë lekë më shumë.

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskalë të konsoliduar, ky nivel i realizimit të shpenzimeve dhe të ardhurave të përgjithshme, është shoqëruar me një suficit buxhetor prej rreth 3.1 miliardë lekë.