Postuar më: 30/10/2019

Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, Zv.Ministri Haxhi në konferencën e FMN dhe BB në Vjenë

Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Elton Haxhi, mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë me temë “Strategjia Afatmesme e të Ardhurave- Ndërtimi i Sistemeve Tatimore më Efektive”.

Konferenca u organizua në Vjenë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Ministria e Financave e Austrisë dhe Banka Botërore.

Zv.ministri Haxhi ishte ishte pjesë e panelit ku u diskutua mbi çështje rreth fillimit të një dialogu në vende të ndryshme sa i përket reformës në vazhdim të sistemit të taksave dhe kalimit drejt kuadrit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.

Në fjalën e tij, z. Haxhi u ndal në eksperiencat dhe sfidat në zhvillim për hartimin e një Strategjie Afatmesme të të Ardhurave në Shqipëri.

Gjatë diskutimeve, panelistët vunë theksin në disa çështje kryesore që lidhen me të ardhurat dhe sistemin e taksave, si:

Përpjekjet e vendeve të ndryshme për reformën në vazhdim të sistemit të taksave, administrimit dhe kuadrit ligjor duhet të hartohen me kujdes;

Rregullime efektive qeverisëse që nga qeveria qendrore duhet të vendosen për të siguruar përgjegjshmëri dhe zbatimin e afateve kohore;

Nevojitet një plan aksioni për hartimin Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, përfshirë përgjegjësitë dhe afatet kohore.

Qasja e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave ndaj Reformës së Sistemit të Taksave u vendos nga Platforma për Bashkëpunimin mbi Taksat- një përpjekje e përbashkët për të mbështetur përmirësimin e sistemeve të taksave të vendeve- lançuar në prill 2016 nga FMN, OECD, OKB dhe BB.