Postuar më: 21/11/2019

Shqipëri-Gjermani, zgjerim i bashkëpunimit ekonomik në turizëm, bujqësi, agropërpunim dhe arsimin profesional

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, priti në një takim Sekretaren e Shtetit për Çështjet Ekonomike, Transportin, Bujqësinë, të Shtetit Rheinland Pflaz, të Republikës Federale të Gjermanisë, znj. Daniela Schmidt.

Në deklaratën për mediat pas takimit, Ministrja Denaj dhe znj. Schmidt informuan mbi çështjet e diskutuara mes tyre, me fokus në thellimin dhe zgjerimin e  bashkëpunimit ekonomik në turizëm, bujqësi, agropërpunim, arsimin profesional, etj.

Gjermania ka një model të arsimit profesional të suksesshëm, modelin dual, i cili ndërthuret mes teorisë dhe praktikës, dhe Shqipëria mund të përfitojë shumë nga përvoja gjermane.

Ministrja Denaj dhe znj. Schmidt nënshkruan mes tyre një memorandum mirëkuptimi, të cilën e konsideruan si një bazë shumë të mirë për zgjerimin bashkëpunimit.

Ministrja Denaj shprehu falënderimet e saj për mbështetjen që Gjermania ka dhënë për Shqipërinë në shumë fusha, një prej të cilave është arsimit profesional, ndërsa theksoi se ky bashkëpunim ka potencial të zgjerohet akoma dhe më shumë.

“Në lande të veçanta, sidomos në Landin që përfaqëson znj. Schmidt, ku fusha e bujqësisë dhe agropërpunimit është një fushë që ka pjesën më madhe të zhvillimit ekonomik, mund të përdoret si një platformë bashkëpunimi mes bizneseve të dy vendeve, për të ndihmuar në dy aspekte. Së pari, për të parë se si zhvillimi teknologjik mund të rrisë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e biznesit, atij shqiptar në veçanti; së dyti, si arsimi profesional të ndihmojë të dy këto elementë për të rritur më tej jo vetëm cilësinë, por edhe konkurrueshmërinë”, u shpreh znj. Denaj.

Gjithashtu, Ministrja shprehu falënderimet për qeverinë gjermane për mbështetjen në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Nga ana e saj, Sekretarja e Shtetit, znj. Daniela Schmidt, shprehu gatishmërinë e Landit që ajo përfaqëson për të mbështetur Shqipërinë, sidomos sa i përket arsimit profesional, ku Gjermania ka një përvojë shumë të mirë në arsimin dual.

“Arsimi dual ishte një nga temat kryesore për të cilat diskutuam gjatë ditës së djeshme dhe të sotme me Ministren. Ne diskutuam edhe për bashkëpunimin në fusha të tjera si turizmi, bujqësia, prodhimi i verërave dhe me nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit krijuam një bazë shumë të mirë për zgjerimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi”, u shpreh znj. Schmidt.