Postuar më: 13/03/2020

Rritja e çmimeve në mënyrë abuzive do të ndëshkohet sipas ligjit

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së Covid-19, si dhe në kushtet e ndalimqarkullimit, përmes strukturave të saj po monitoron sjelljen e tregjeve për të shmangur çdo abuzim të mundshëm nga tregtarët.
Për këtë qëllim është në dispozicion edhe numri i gjelbër pa pagesë 0800 14 14, ku të gjithë mund të bëjnë denoncime të rasteve që konstatojnë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë inkurajon qytetarët që të përdorin këtë mjet komunikimi, për të ndihmuar në evidentimin e rasteve, të cilat do të ndiqen me prioritet, bazuar kjo edhe në ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit” i cili përcakton ndalimin e praktikave të padrejta tregtare, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit.
Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, nuk përbëjnë vepër penale, por kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me penalitetet përkatëse në fuqi.