Postuar më: 05/10/2018

Reformat shpërblyen qytetarët. Paketa fiskale 2019, lehtësi për qytetarët dhe bizneset

Fjala e Ministrit Ahmetaj në takimin me gazetarët:

Përshëndetje,

Pas emetimit të suksesshëm të Eurobondit mendova që të bënim edhe një rikthim të ngjarjeve ekonomike të këtij viti dhe ndërkohë, edhe pas verës së 2018-ës nuk jemi takuar për të bashkëbiseduar përsa i përket ecurisë ekonomike.

Sa i përket Eurobondit, në krahasim me dy emetimet e mëparshme, është interesi më i ulët, me kupon 3.5 %, me maturitet më të lartë, me vlerë siç i referohet “benchmark” rreth 500 milionë euro. U targetua tregu evropian dhe tregu amerikan. Kompozimi i investitorëve ishte shumë më cilësor dhe u shoqërua me menaxhim detyrimesh, që është hera e parë që Ministria e Financave në tregun ndërkombëtar bën atë që quhet teknikisht “liability managment”, pra menaxhimi i detyrimeve në favor të uljes së risqeve, qoftë në aspektin e shumave për vitin 2020, qoftë në aspektin e interesave në potencë në rritje, siç janë sinjalet në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve, për shkak të ndryshimeve në normat bazë të interesit nga Banka Federale Amerikane, dhe sigurisht nga lëvizjet e fundit në tregun europian, duke iu referuar problematikave financiare dhe ekonomike të Italisë, ngjarjeve të fundit me referendumin në Maqedoni, ndryshimit të qëndrimit të Bankës Qendrore Europiane përsa i përket gjithë instrumentit të vet të mbështetjes që ka bërë në pesë vitet e fundit, gjatë dhe sidomos pas krizës financiare, dhe sigurisht edhe luhatjes së monedhës turke.

Unë dua që shumë shpejt t’ju referoj disa nga efektet pozitive të Eurobondit për vitin 2018. Në 7 vite potencialisht do të jenë, për shkak të buyback (riblerjes), rreth 37.5 milionë euro, të kombinuara me emetimin e ri dhe dua të mos harroni asnjëherë efektin që blerja/emetimi në tregun ndërkombëtar do t’i bëjë tregut të brendshëm. Siç e theksova, ne do të bëjmë menaxhim detyrimesh dhe në tregun e brendshëm, që do të thotë që qeveria do të tërhiqet në një farë mase dhe nga tregu i brendshëm, për të lejuar zgjerimin e kreditimit për sektorin privat. Pra, likujditeti dhe pozicionet e bankave të mos angazhohen kryesisht nga qeveria por të angazhohen nga tregu privat. Kjo do të sjellë patjetër, për shkak të tërheqjes që po dhe do të bëjmë, uljen e interesave në tregun e brendshëm, qoftë të bonove të thesarit, qoftë pastaj potencialisht edhe të kredisë. Kursimi në potencë është rreth 10 miliardë lekë.

Ndërkohë, thjesht për t’ju kujtuar se ku jemi sot me rajonin. Shumë gjëra i marrim për bazë dhe si të garantuara, sikur gjërat ndodhin sepse ashtu duhet të ndodhin. Përtej të gjithë asaj që ka bërë ekonomia shqiptare para tre ditësh, prezantimin në tregun ndërkombëtar, qëndrojnë reformat. Në grafikun që ju kam paraqitur, tregohet krahasimi nëse do të dilnin të treja vendet e rajonit së bashku, në të njëjtën kohë, në momentin që po flasim, pra janë çmimet e kuponit, interesat që do të merrte secili vend, duke iu referuar qoftë primeve të rrezikut, qoftë tregtimit të kuponit në atë moment.

Pra, megjithëse ne kemi borxh më të lartë se Maqedonia, megjithëse ne kemi borxh më të lartë se sa Mali i Zi, megjithëse Maqedonia është në rating BB, ne kemi arritur të emetojmë një kupon më të lirë. Kjo nuk ka absolutisht asnjë interpretim tjetër përveçse besimit që kanë investitorët dhe jemi duke folur për investitorë, në kuptimin e të bërit biznes të ftohtë. Nuk jemi duke folur që këto janë marrëdhënie midis shteteve ku Berlini, Roma, Vjena e Brukseli po ndihmojnë Shqipërinë. Jo, nuk është kjo korsi. Këtu jemi duke folur për tregje të ftohta financiare që të skanojnë po me ftohtësi dhe të refektojnë të vërtetën.

Kuponi 3.5 % nuk është thjesht një shifër, maturimi 7-vjeçar nuk është thjesht një kohë, por është reflektim i besimit që investitorët kanë te ekonomia shqiptare. Imagjinoni që investitorë të rëndësishëm, janë duke mbajtur në pasurinë e tyre Eurobonde të Shqipërisë. Pra, investitorë në vende të zhvilluara europiane kanë kaq besim tek ekonomia shqiptare, tek reformat e Shqipërisë, sa që kanë vendosur të ardhmen e tyre ta mbajnë aty, te bonot e thesarit, Eurobonde të Shqipërisë. Kjo ka ardhur vetëm për shkak të reformave.

Në të gjithë prezantimin tim prej gati 8 ditësh në qendrat financiare ndërkombëtare, historia e Shqipërisë ishte histori pozitive. Pra, pritej me shumë vëmendje dhe respekt për reformat që ne kemi bërë. Ishte gjithashtu një thirrje që domosdoshmëria e vazhdimit të reformave është e panegociueshme. Ulja e borxhit publik është domosdoshmëri dhe detyrë kombëtare. Ulja e borxhit publik është detyrë kombëtare, deri kur ne ta çojmë 45%. Konsolidimi fiskal do të vazhdojë. Ishte në qendër të vëmendjes së investitorëve.

Reformat do të vazhdojnë. Janë në qendër të vëmendjes së investitorëve dhe do t’ju lutesha me modesti që t’ia transmetojmë dhe qytetarëve, përderisa keni instrumentin e penës dhe të fjalës, që në finale Shqipëria pas gjithë atyre reformave të dhimbshme, të thella, por të domosdoshme, është kthyer një vend normal, ku në mendjen dhe në veshin e investitorëve, të ftohtë apo me ngjyra, emri i Shqipërisë është një emër normal, ekonomia shqiptare është një ekonomi normale, me problemet e veta strukturore, me problemet e veta financiare, por një ekonomi që rritet me 4 % dhe unë besoj që do të reflektojë shumë mirë dhe me tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Ndërkohë, jo më larg se dje, por besoj se nuk kishim nevojë për t’u konfirmuar, edhe pse kënaqësi është kur konfirmohemi nga një institucion ndërkombëtar siç është Banka Botërore, rritja ekonomike ka kaluar në 4.3 %. Diskutimi që mjafton apo nuk mjafton është diskutimi më me vlerë për t’u bërë, por mos harroni që një moment reflektimi është i domosdoshëm. Vite më parë nuk ishte as 1 %, sot është 4.5% dhe 4.3 %. Parashikimi po shkon drejt 4.3 për vitin tjetër, dhe besoj që ka filluar të ndjehet dhe tek qytetarët. Sigurisht që asnjë shtëpi nuk bëhet dot për një ditë. Asnjë vend nuk bëhet dot për një mandat. Kthesa që ka bërë Shqipëria në 4 vite për shkak të reformave të qeverisë Rama tregon vetëm një gjë, do angazhim dhe vendosmëri polititike për të bërë reforma të guximshme sepse në finale, nëse bëjmë gjënë e duhur, siç kemi bërë, paguhet mbrapsht pozitivisht për qytetarët, dhe do t’i përmend më vonë tek Paketa Fiskale apo tek buxheti i vitit 2019.

Ne këtë vit kemi mundësi që të jemi vendi me rritjen më të lartë në rajon dhe ndërkohë mund të shikoni se si kemi kaluar mbi parashikimet që ka bërë Banka Botërore përsa i përket rritjes ekonomike.

Rritja ekonomike në tremujorin e dytë është mbi nivelin e parashikimit vjetor. Siç e shikoni, po shkojmë drejt 4.2 % në fund të këtij viti. Gjithsesi, mbetet për t’u parë në vazhdimësi. Energjia ka qenë një nga kontribuesit, por kemi kontribut të konsoliduar të shërbimeve dhe të industrisë. Pra, po diversifikohemi në burimet e rritjes ekonomike dhe fatmirësisht e kemi lënë mbrapa kohën kur rritja nuk shoqërohej me punësim.

Edhe në raportin e Bankës Botërore Shqipëria referohet si një performues i dalluar në krahasim me vendet e rajonit përsa i përket tregut të punës. Ajo që është e rëndësishme, nëse disa vende e kanë ulur punësimin duke ulur në konseguencë, jo me qëllim sigurisht, pjesëmarrjen në forcat e punës, mos e harroni këtë se kjo është shumë cilësore për vendin, Shqipëria jo vetëm që e ka rritur pjesëmarrjen në forcat e punës, por ka ulur dhe papunësinë në nivele rekord historike 12.3 %. Papunësia nuk ka qenë asnjëherë më e ulët se kaq.

Unë e kuptoj shumë mirë që shumë qytetarë, siç bëjnë normalisht e legjitimisht në rrjetet sociale, do fillojnë të thonë “po ku janë vendet e punës?!”. 234 mijë vende të reja pune. 52% është rritur punësimi që nga 2013-ta. Patjetër që ka shumë për të bërë por të mos harrojmë, ia vlen të reflektojmë, që kanë qenë 450 mijë vende pune në shtator të vitit 2013 dhe sot janë 684 mijë e 200 vende të reja pune. Që do të thotë që fatmirësisht, cilësia e rritjes në themel ka ndryshuar dhe industria dhe shërbimet, së bashku me energjinë, janë motorrë të rëndësishëm, që pulsojnë shumë fort.

Kam sjellë dhe një slide përsa i përket stimulimit të krijimit të vendeve të punës. Siç e shikoni, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është në 59.2 %. Numri i të punësuarve rritet me 3 %. Shkalla zyrtare e papunësisë 15 vjeç e lart 12.4 %, që është realisht më e ulëta historike. Unë nuk e them fare këtë shifër për t’u mburrur, se në një vend si Shqipëria nuk besoj se e kemi luksin që të mburremi me çfarëdo lloj arritje të çfarëdo lloj mase sepse beteja me varfërinë vazhdon, sepse ka aty jashtë përtej këtyre mureve të paktën 76 mijë qytetare dhe qytetarë të regjistriar si të papunë që kanë nevojë për punë dhe më shumë se kaq në të gjithë Shqipërinë që, megjithëse nuk janë regjistruar, kanë nevojë për t’u punësuar. Numrat janë zyrtarë. Mund t’i verifikoheni nëpërmjet borderove të Tatimeve, ku janë gati 234,019 më shumë të punësuar se shtatori 2013, 52 % rritur punësimi.

Do të fillojmë debatin për pagat, për vlerën e shtuar, shumë shpejt. Shqiptarët kanë nevojë të paguhen më shumë, e lidhur me produktivitetin, patjetër, sepse asgjë nuk vjen artificialisht. Por, debati tjetër do të fillojë me cilësinë e pagës.

Rritja e pagës mesatare vazhdon të rritet. Unë kam marrë një citim të raportit të Bankës Botërore. Siç e shikoni, në vazhdimësi kemi rritje të pagës mesatare për një të punësuar.

Kam sjellë konsumin final të popullatës që do të thotë shumë dhe janë 12 tremujore rresht që konsumi rritet. Është konseguencë e një rritje të ekonomisë dhe rritjes së të ardhurave të qytetarëve.

Anketa e fundit e publikuar nga INSTAT, midis të tjerave flet edhe për ngushtimin e pabarazisë, duke iu referuar ritmit të rritjes së konsumit të familjeve në kategori të ndryshme, me të ardhura të larta apo me të ardhura më të ulëta.

Ndërkohë, këtë slide nuk e mora as nga Kryeministria, as nga Ministria e Financave, por e mora nga raporti i Bankës Botërore dje. Ulja e varfërisë. A ka hapësirë për pafund e pafund më shumë? Patjetër, por ky slide tregon se politikat tona ekonomike kanë shkuar në drejtimin e duhur. Varfëria nuk mundet me një ditë dhe duke u përpjekur të turbullosh ata që janë të varfër. Varfëria luftohet me reforma dhe ky grafik ka nevojë për një reflektim edhe të forcave politike. Ulja e varfërisë nuk është mburrje për një qeveri. Ulja e varfërisë është qëllim në vetvete e të gjitha forcave politike, qëllim në vetvete i qeverisë Rama 1, Rama 2, edhe Rama 3, dhe këtu mund të vërtetojmë se çfarë do të thotë të bësh reforma të guximshme, që të dalësh një ditë dhe t’i thuash shqiptarëve se ky vend po vazhdoi kështu, shkon në humnerë.

E mbani mend se çfarë ka thënë Kryeministri në 2013, ditën që mori detyrën? Mbrapa kemi një gropë, përpara kemi një shkëmb. Cila ishte rruga? Rruga e vetme ishte rruga e reformave. Ja ku është referenca, ja ku është kosenguenca, ja ku është arritja, ulja e varfërisë. Jam i bindur që qytetarët do të thonë “Po Shqipëria ka varfëri në Tiranë, në Durrës, në Librazhd”. Patjetër që ka. Beteja me varfërinë nuk është as një ditëshe, as një vjeçare. Baza nga e kemi nisur është e ulët dhe ajo që duhet të bëjmë është akoma më e madhe. Por, kemi nevojë të reflektojmë tek e vërteta.

Përsa i përket flukseve hyrëse të investimeve direkte, na keni dëgjuar ndonjëherë në parlament? Jam i bindur që kaloni nga parlamenti, tek filmat multiplikativ pastaj. Diskutohet “jo ikën investitorët, jo erdhën investitorët”. Ja ku i keni shifrat dhe shifrat janë 6 mujor për 6 mujor, 28 % më të larta, 2018-2017. Jo do iki Statkraft, jo mbaron TAP. Të dyja janë duke i përfunduar fazat e investimeve. Po çfarë e ka sjellë rritjen? Manifaktura, turizmi, pra shërbimet në tërësi, industria. A e dini që ne nuk e themi mjaft, por duhet ta themi më shumë që është riaktivizuar industria përpunuese e mineraleve? E mbani mend kur mburreshin me krom për frymë e ferrokrom të përpunuar? E mbani mend që u shua kjo industri? Epo kthehuni sot, janë dy fabrika përpunimi ku vlera e shtuar në Shqipëri, krahasuar me një mineral bruto edhe me një ferrokrom të përpunuar, është 1 me 6. Asnjë nuk e përmend këtë, por duhet ta përmendim se industria është kthyer në burim rritje dhe është i qëndrueshëm.

Përsa i përket inflacionit vazhdojmë të mbetemi në ato nivele. Unë nuk jam këtu për të gjykuar Bankën e Shqipërisë por besoj që puna e Bankës së Shqipërisë është shumë për t`u vlerësuar, qoftë në aspektin e uljes së kredive të këqija, qoftë në aspektin e monitorimit të sistemit financiar që është i qëndrueshëm, qoftë në aspektin e inflacionit.

Keni dëgjuar tek filmi multiplikativ i parlametit që “ikën bizneset, u mbyllën bizneset, u larguan bizneset, u ulën qepenat” në mënyrë romantike të trishtë? Ja ku e keni numrin e bizneseve të çregjistruar, të regjistruar dhe numrin neto. I verifikueshëm. Nuk është shifër romantike e trishtë, as shifër romantike e fryrë, këto janë regjistrat e bizneseve. Janë krijuar 14,929 biznese reja, janë çregjistruar në normalitet ekonomik 5572 biznese. Janar – shtator 9357 biznese të reja neto dhe besoj që do të shkojë të paktën 12 mijë në neto. Kjo është e vërteta që dëgjojmë për bizneset.

Për herë të parë kam sjellë një shifër që besoj thotë shumë, fitimi i bizneseve dhe këtu kam hequr kompanitë publike se dikush mund të më thoshte se “ke llogaritur kompanitë publike këtu dhe një ditë bie shi, një ditë bie borë, një ditë është thatësirë”. I kam hequr kompanitë publike. Në vitin 2017 fitimi i kompanive është rritur me 16.7 miliardë, pra kompanitë në Shqipëri, përveç kompanive publike, 167 milionë më shumë sesa 1 vit më pare. Siç e shikoni, kjo flet shumë.

Ndërkohë, përsa i përket turizmit, në gusht të vitit 2018, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 1.449.952, pra gusht 2018 me gusht të vitit 2017, 26.9% rritje. Numri i shtetasve të  huaj të hyrë në vendin tonë në 8 mujor ka shkuar 4 milion e 397 mijë, gati 17 % rritje, rritje 2 shifrore. Nëse do të vazhdojë rritja e numrit të turistëve me dy shifra, në vitin 2022 do të presim 10 milionë turistë dhe zëri i shërbimeve të lidhura përgjithësisht me turizmin u zgjerua me vlerën 785 milionë euro ose 8.7 % më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Tregtia e jashtme – eksportet po rriten në nivele dy shifrore, importet (makineri dhe pajisje) në nivele 7.8 % dhe importet në tërësi 4 %. Eksportet janë diversifikuar, që është shumë e shëndetshme, akoma jo mjaftueshmërisht, por kanë filluar diversifikimin. E mbani mend kur kemi folur përpara 4 vitesh? Kemi thënë që një nga risqet e ekonomisë është gama dhe difersifikimi i ngushtë i eksporteve. Tani, po kalojmë në një fazë tjetër. Jemi akoma larg për të thënë që kemi kaluar ciklin e brishtë, jemi po patjetër në cikël të brishtë, por jemi në drejtimin e duhur.

Përsa i përket performacës së të ardhurave kemi një rritje prej 4.2%. Dua të ndaj me ju që është rreth 6 miliardë goditja nga vlerësimi i lekut por gjithsesi tempi vazhdon në rritje. Përsa i përket punësimit, janë të regjistruara 37 mijë vende të lira pune, janë bërë mbi 17 mijë punësime nga Zyrat e Punës nëpërmjet ndërmjetësimit dhe deri në fund të këtij viti objektivi është 25 mijë.

Para se të flas për paketën fiskale, dua t`ju them që çdo gjë që bën buxheti dhe paketa e vitit 2019 është konseguencë e drejpërdrejtë e asaj që ka thënë Kryeministri: reformat janë të dhimbshme, janë të vështira, por të domosdoshme. Rritja e pagave që po planifikojmë në buxhetin e vitit tjetër, për arsimtarët, mjekët, ushtarakët; paketa e solidaritetit; bonusi i bebeve që nuk është bërë kurrë në ato nivele, për të promovuar rritjen demografike dhe patjetër ndihmë për familjen në ato momente kur i vjen një fëmijë në jetë; librat falas; taksa progresive; përfshirja në shërbim shëndetësor universal edhe të atyre që janë edhe të pasiguruar; rritja e pagave të administratës sërish. Të gjitha këto janë konseguenca të reformave. Kur të bëjmë bilancin, një qeveri si e jona sigurisht që nuk e ka luksin të mburret me arritjet por një reflektim kemi nevojë ta bëjmë. Për shkak të reformave kaluam të gjitha momentet e vështira që na lanë në kurriz ata që sot bëjnë atë që bëjnë, qeveria e dikurshme, opozita e sotme!

Përsa i përket paketës fiskale, pa hyrë në shumë detaje, do preket ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, do të ketë rritje të kufirit të pagës që tatohet me 23 % nga 130 mijë në 150 mijë, pra do t`iu ulet taksa 15,400 të punësuarve. Do ulet dividenti dhe kuptohet do përfshijmë dispozita antishmangie për fitimet jo-kapitale të jo-rezidentëve, por detajet më vonë.

Përsa i përket taksës nacionale, kemi pasur një kërkesë nga industria për taksimin e ambalazheve plastike dhe më në fund jemi në gjendje që ta relaksojmë atë industri dhe t’i taksojmë në mënyrë më racionale. Duke qenë se duam zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së përpunimit vendase, kemi propozuar një rritje të rentës minerare për eksportit të kromit nga 6 në 9, dhe sigurisht janë për mendimmarrje.

Sa i përket akcizave kemi disa rregullime. Tatimi mbi vlerën e shtuar ka disa ulje të konsiderueshme, një normë e reduktuar e TVSH-së për importin e autobuzave elektrik. Po fillojmë të mendojmë në mënyrë racionale edhe në korsi për ambjentin.

Këto janë në përgjithësi elementë të paketës të cilat do të detajohen në vazhdimësi nga qeveria dhe besoj do të kemi diskutim edhe me parlamentin.

Ju faleminderit!