Postuar më: 14/09/2018

Reforma e rikualifikimeve, kurse profesionale falas për mbi 76 mijë të papunë të regjistruar!

Fjala e Ministrit Ahmetaj:

Përshëndetje të gjithëve!

Unë dua të falënderoj edhe Philip, edhe znj. Limya, UNDP-në dhe qeverinë Zviceriane për mbështetjen e vazhdueshme që ka afruar jo vetëm me fonde, por edhe me dituri në fushën e punësimit dhe sidomos me këtë program që duket si i thjeshtë por në fakt shkon në genin e përmirësimit të punësimit dhe vetëpunësimit në Shqipëri, duke rritur aftësitë.

Besoj ky është dhe thelbi i sfidës që ne kemi në të ardhmen për të përmirësuar apo për të rritur punësimin, duke përmirësuar të gjitha ato aftësi që të rinj, të reja dhe jo vetëm, duhet të kenë për të qenë më të punësueshëm në tregun e punës.

Thelbi i projektit dhe i programit është fokusi tek të rinjtë dhe të rejat, tek Start Up-et. Besoj që rezultatet i ka dhënë, pra janë gati 76 aplikantë të cilët kanë përfituar mbështetje dhe janë të suksesshëm. Unë besoj që këtu kemi një sfidë të rëndësishme së bashku, me të gjithë donatorët, qeveria e Shqipërisë, UNDP, qeveria Zviceriane, që është një donator shumë i rëndësishëm në këtë fushë, apo donator të tjerë, që t’i koordinojmë përpjekjet në mënyrë që zinxhirin e mbështetjes ta kemi që nga momenti i idesë dhe deri tek suksesi i start up-it. Kjo është sfida dhe në vazhdimësi ne do të bisedojmë si të lidhim qoftë përpjekjet, qoftë institucionet tona, qoftë financimin, në mënyrë që idetë të mos ngelen rrugës, të mos mjaftohemi me mbështetjen fillestare, por të fokusohemi tek produkti. Cili është produkti? Produkti është Start- Up-i i sukseshëm dhe zgjerimi i punësimit.

Në diskutime edhe me donatorë të tjerë, në këtë periudhë kur po planifikojmë edhe përpjekjet tona për disa vite që vijnë, po diskutojmë për mbështetjen dhe financimin e Start- Up-eve. Në të gjitha analizat që kemi bërë së bashku, një nga problemet e aksesit në financë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë kapacitetet e dijes brenda ndërmarrjeve, që nga të planifikuarit duke balancuar risqet dhe benefitet që mund të ketë biznesi, që nga idetë teknologjike apo jo, që nga mënyra e të bërit plan biznesi, që nga kontabilizimi i të gjitha shtyllave, debive dhe kredive, që duket sikur janë të thjeshta por për ndërmarrjen e vogël i humbasin mundësinë për të pasur akses në financë.

Mëgjithatë, unë gjej rastin dhe besoj që është një forum i duhur për ta përmendur. Punësimi në Shqipëri në 4 vitet e fundit ka njohur një ndryshim shumë të madh pozitiv dhe në debatet që kemi me njëri-tjetrin, përtej këtyre mureve dhe debatet politike, kur flet për punësimin nuk besoj se ka vend për asnjë qeveri që të mburret, të thotë “Po, në 4 vite ne së bashku, ekonomia, shoqëria, me mbështetjen e qeverisë, hapëm 234 mijë vende të reja pune”.

Asnjëherë nuk do ta themi si një mburrje përpara atyre njerëzve që kanë sot një punë apo përpara atyre që janë duke kërkuar një punë. Arsyeja pse e theksojmë nuk është fare statistikore, për të dhënë dekorata. Arsyeja është për t’i dhënë akoma më shumë shpresë atyre 76 mijë të papunëve të regjistruar dhe po kaq shumë që janë pa punë dhe nuk janë të regjistruar që po, ka një shpresë, një shpresë të bazuar, për të gjithë ata që janë të papunë, që në qoftë se bëjmë politikat e duhura, ashtu siç i kemi bërë deri tani, në qoftë se fokusohemi tek përmirësimi i gjithë aftësive, sidomos atyre teknike, kemi mundësi që edhe ata të papunë, qoftë të regjistruar, qoftë të paregjistruar, apo të dekurajuar, të rikthehen në 3, 4, 5 vitet e ardhshme në tregun e punës me sukses.

Ju besoj e ndoqët edhe Institutin e Statistikës së fundmi, që doli me shifrën e papunësisë dhe nga 18.2 % që ka qenë në vitin 2014 ka zbritur në 12.4 %. Prapë e theksoj, nuk e sjell shifrën për t’u krenuar. Nuk ka asgjë për t’u krenuar ndërkohë që ka akoma edhe 160 mijë e 180 mijë qytetarë shqiptarë për t’u punësuar. Por, trendi është shumë i rëndësishëm, është rënës dhe ne kemi sfidën që në fund të këtij mandati papunësia të shkojë në një shifrore.

Ajo që më tërhoqi vëmendjen, përtej statistikave të tjera të pjesëmarrjes në forcat e punës apo të punësimit, ishte pjesëmarrja në forcën e punës të të rinjve dhe rënia e papunësisë tek të rinjtë, që është një debat që ia vlen të bëhet nga profesionistë, nga shoqëria civile, nga sektori privat, nga politika patjetër, ka qenë mbi 33% papunësia e të rinjve në 2014-ën, sot është rreth 22%. Pra, ka një rënie të konsiderueshme të papunësisë, megjithëse është rritur pjesëmarrja në forcën e punës.

Besoj që kemi bërë politikat e duhura, por 22% të rinj të papunë është një sfidë akoma më e madhe dhe këtu dua të ndaj me ju që së shpejti, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Shërbimi Kombëtar i Punës, së bashku me donatorët, do të nisë një fushatë jo një ditore, jo një mujore, jo tremujore, por një vjeçare të rikualifikimit të të gjithë të papunëve që janë në moshë pune, me detyrim, me pagesë nga buxhetit i shtetit.

Pra, rikualifikimi i të gjithë forcës që është e punësueshme, është në moshë pune, brenda të papunëve të regjistruar apo anëtarëve të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, por që janë në forcë pune e në gjendje pune, një rikualifikimi i aftësive të tyre teknike brenda një viti.

Objektivi ynë, me një instrument administrativ, politik dhe financiar që do të drejtohet nga Shërbimi Kombëtar i Punës, kuptohet nën drejtimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, është që në fund të vitit 2019 të dalim dhe të themi: “Ne kemi riakualifikuar prej vërteti 76 mijë të papunë të regjistruar në 10 apo 12 kurse teknike, apo të kombinuara me atë që i referohemi “soft skills” me të drejtë, dhe në fund të kurseve që do të jenë falas dhe të detyrueshme, të gjithë ata të papunë të regjistruar do të kenë jo thjesht një certifikatë, një letër në dorë, por do të kenë dalë nga ato kurse kualifikimi me aftësi të vërteta teknike e jo vetëm, dhe do të jenë shumë herë më të punësueshëm. Kuptohet që këtu, siç e theksova, partnerët tanë do të jenë sektori privat dhe patjetër donatorët.

Këtu po e mbyll fjalën time dhe i uroj suksese të gjithë aplikantëve që do të aplikojnë dhe në valën e tretë.

Faleminderit.