Postuar më: 25/09/2019

Qeveria Gjermane mbështet Shqipërinë për zhvillimin ekonomik dhe integrimin në BE

Ecuria e zhvillimit ekonomik dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian kanë qenë tema të diskutimit në takimet që Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, zhvilloi me përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe Bankës Gjermane të Zhvillimit (KfW). I pranishëm në takimin që Ministrja zhvilloi me përfaqësues të KfW ishte i pranishëm dhe Dr. Markus Aschendorf, Drejtor i Divizionit të Zhvillimit Ekonomik dhe Financiar për Europën Juglindore.

Ministrja Anila Denaj falënderoi Ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, z. Zingraf dhe qeverinë gjermane për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë, angazhimin dhe nxitjen për realizimin e prioriteteve madhore të Qeverisë Shqiptare.

Gjatë bisedimeve, palët kanë rënë dakord mbi shtyllat e bashkëpunimit bilateral në të ardhmen, të cilat do të konsistojnë në:

  • Asistencë teknike, si mbështetje për rritjen e kapaciteteve në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE;
  • Suport financiar për nxitjen e biznesit, zhvillimin e programeve për Start Up-et, të cilat mund të ofrojnë garanci deri në 70% për kompanitë e reja në Shqipëri;
  • Zhvillim të sektorit të energjisë dhe ujit, si dhe mirëmenaxhimin e mbetjeve urbane sipas një modeli të suksesshëm.