Postuar më: 21/11/2019

Projektbuxheti 2020, mbështetje për reformat kyçe drejt integrimit europian

Qeveria shqiptare mbetet tërësisht e angazhuar në zbatimin e prioriteteve në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian dhe më gjerë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, prezantoi përpara deputetëve të Komisionit të Integrimit Europian Projektbuxhetin e vitit 2020, i cili mbështet reforma të rëndësishme të ndërmarra nga qeveria në këtë mandat dhe reformat e nevojshme për integrimin e vendit në familjen europiane.

Ministrja u shpreh se prioritet në Projektbuxhetin 2020 mbetet mbështetja për sektorët prioritarë, për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe infrastrukturën.

Sa i përket plotësimit të kriterit politik dhe atij ekonomik në kuadër të integrimit europian, Ministrja theksoi se dy janë momentet më të rëndësishme: Reforma në Drejtësi dhe Reforma në Administratën Publike.

“Që prej vitit 2016, kur u miratuan ndryshimet kushtetuese lidhur me Reformën në Drejtësi, buxheti i shtetit ka përballuar një kosto vjetore të kësaj reforme, që në vitin 2020 pritet të shkojë në 6 miliardë lekë. Kjo shifër e konsiderueshme tregon më së miri, seriozitetin e angazhimit të qeverisë për të akomoduar çdo kosto të nevojshme në mënyrë që kjo Reformë të zbatohet me sukses”, u shpreh znj. Denaj.

Reforma në Administratën Publike është e rëndësishme në përmbushjen e detyrimeve të vendit në kuadër të integrimit europian dhe mbetet prioritet i qeverisë shqiptare.

Ministrja përmendi faktin se, në kuadër të modernizimit të sistemit të administratës publike si dhe në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë, gjatë vitit 2020 do të financohet me prioritet mirëfunksionimi i tre sistemeve të informacionit të menaxhimit: IPSIS, AFMIS dhe EAMIS, të cilat kanë si qëllim final planifikimin dhe monitorimin e integruar të politikave strategjike dhe menaxhimin e ndihmës financiare/të huaj përmes një sistemi të integruar për qeverisje të mirë.

“Vënia në eficiencë të plotë e këtyre sistemeve gjatë vitit 2020, do të lehtësojë së tepërmi procesin e vendimmarrjes politike mbi prioritetet strategjike dhe reflektimin e tyre të plotë në buxhetin afatmesëm dhe atë vjetor.  Gjithashtu, nëpërmjet këtyre sistemeve do të bëhet e mundur rritja e nivelit të transparencës në planifikimin dhe përdorimin e fondeve buxhetore, duke plotësuar kësisoj dhe kriteret e Bashkimit Europian për këtë qëllim”, u shpreh znj. Denaj.

Në fjalën e saj, Ministrja u ndal edhe në reformën e shërbimeve publike, në kuadër të organizimit dhe funksionimit të administratës publike, si një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare.

“Në vitin 2020, shërbimet e qendërzuara të ofruara nga ADISA do të shtohen me dy 2 qendrave të reja, me kosto përkatësisht rreth 21 milionë lekë për 30 punonjës shtesë. Në total financimi për këtë Agjenci do të shkojë rreth 375 milionë lekë, të cilat do të rriten më tej gjatë viteve në vijim, si pasojë e mbulimit me shërbime të qendërzuara të gjithë popullatës si qëllim final”, u shpreh Ministrja.

Lidhur me Stabilitetin Makroekonomik, Ministrja theksoi se Projektbuxheti 2020 dhe ai afatmesëm 2020 – 2022 bazohen në një kuadër makroekonomik të kujdesshëm dhe realist. Politika makro-fiskale do të vijojë të orientohet drejt konsolidimit fiskal për të vijuar trajektoren rënëse të borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, premisë thelbësore për të siguruar shtratin për një rritje të lartë dhe të qëndrueshme, rritje gjithëpërfshirëse të punësimit, e konvergim të nivelit të të ardhurave drejt niveleve të Bashkimit Evropian.

Rritja ekonomike parashikohet të jetë në nivelin 4.1% në vitin 2020 dhe 4.5% përgjatë viteve 2021-2022. Premisat më kryesore mbi të cilat mbështetet ky parashikim janë fondamentet kryesore ekonomike të cilat kanë vijuar të përmirësohen, si përmirësimi i vijueshëm i tregut i punës, perceptimi pozitiv i aktorëve ekonomikë për të ardhmen e ekonomisë, konsolidimi fiskal dhe qëndrueshmëria e financave publike, stabiliteti financiar dhe rritja e kreditimit të sektorit privat, si dhe qëndrueshmëria e pozicionit të jashtëm të ekonomisë.