Postuar më: 11/10/2018

Projekt-ligji i ri për Lojërat e Fatit, nga 1 janari 2019, asnjë pikë basti në Shqipëri!

Projekt-ligji i ri për Lojërat e Fatit, nga 1 janari 2019, asnjë pikë basti në Shqipëri!

Besoj që sot do duhet të flisnim të gjithë për atë iniciativë të Kryeministrit dhe qeverisë për kthimin e ligjshmërisë së plotë në fushën e basteve sportive.

Është marrë një vendim nga Kryeministri, i materializuar në një draft-ligj i cili shumë shpejt do të vijë në Parlament, mbyllja e basteve sportive dhe e basteve me gara. Erdhi si referencë e thirrjes së qytetarëve në mbarë Shqipërinë për të mbyllur një industri, e cila fatkeqësisht u kthye në plagë sociale.

Në vite, është shumë e rëndësishme të dimë nga kemi ardhur dhe ku shkojmë. Në 40 kompani deri në 2013, të ardhurat e buxhetit të shtetit ishin 3.7 miliardë. 20 kompani sot, 5.4 miliardë të ardhura në buxhet.

Megjithatë, me gjithë një formalizim të vazhdueshëm, praktikisht zgjodhëm një mënyrë drastike për të mbyllur këtë element i cili rezultoi, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, i vështirë për t’u kontrolluar plotësisht në të gjitha aspektet.

Thelbi i propozimit të Kryeministrit të materializuar në një draft-ligj është: Në 1 Janar do të mbyllen të gjitha pikat e basteve në Republikën e Shqipërisë. Nuk do të ketë më pika bastesh dhe nuk do të ketë më kazino elektronike. Çështja e kazinove elektronike në qendrat e banuara është vendosur që në vitin 2015. Është shtyrë disa herë me ligj me iniciativa deputetësh. Ka ardhur dita, 1 Janari 2019 të bëjë një diferencë, ku në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë më pika bastesh dhe nuk do të ketë më kazino elektronike.

Dikush dje më pyeti, më tha: “Po me të ardhurat që nuk do të mbledhë buxheti i shtetit çfarë do të bëhet”? “Po me të punësuarit në këtë industri çfarë do të ndodhë”? Patjetër, dy shqetësime reale, të vërteta, legjitime, por që kur i vëmë në balancë interesin e qytetarëve, kërkesat e qytetarëve në vazhdimësi për t’i mbyllur pikat e basteve dhe kazinotë elektronike që u kthyen në një plagë sociale, dhe në raport me dy elementët që përmenda, prevalon me rëndësi të veçantë, emergjencë kombëtare, mbyllja e pikave të basteve dhe e kazinove elektronike.

Kjo është arsyeja pse Kryeministri, pse qeveria ka avancuar atë propozim ligjor.

E dyta, ne jemi duke përgatitur një program rikualifikimi për të gjithë ata që do të dalin të papunë nga të gjithë shërbimet në lidhje me këtë industri. Shërbimi Kombëtar i Punës, menjëherë me materializimin e propozimit të Kryeministrit për mbylljen e pikave të basteve, ka filluar punën për hartimin e një programi specifik për rikualifikim të detyrueshëm.

Për informacion të qytetarëve, vitin tjetër ne fillojmë një fushatë të plotë rikualifikimi për të gjithë të papunët e regjistruar, por jo vetëm. Do të kualifikohen me aftësi, të cilat e ndihmojnë të papunin për të gjetur punë dhe për t’u paraqitur në mundësinë e intervistës për punë në mënyrë dinjitoze, 63 mijë të papunë të regjistruar dhe të paregjistruar. Dhe ndër këta, do të dy-fishojmë numrin e të kualifikuarve, pra të trajnuarve në formimin profesional me profesione që nga graphic design. Besoj që tek graphic design, meqë shumica e punës është me platformë kompjuterike edhe këtu tek bastet, pjesa e atyre të punësuarve që do dalin nga bastet të papunë, kanë mundësi që të rikualifikohen më tej dhe të gjejnë vend pune në industritë e tjera.

Besoj që iniciativa e Kryeministrit për të mbyllur bastet jo vetëm që është për t’u përshëndetur, po është për t’u mbështetur. U bënë gati 25 vite që flasim për bastet, për lojërat e fatit. Është një moment i mirë, i duhur, vendimtar, për ta ndarë historinë në këtë industri në dy epoka, epoka deri në fund të 2018 dhe pastaj epoka e pastër, në 1 Janar 2019 dhe tutje.

Faleminderit!