Postuar më: 20/11/2018

PPP, investime publike në favor të qytetarëve. Nga 1 janari 2019 nuk ka më bonus dhe oferta të pakërkuara!

Fjala e Ministrit për mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për Koncesionet/PPP

Në këtë seancë të dedikuar ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me Koncesionet dhe PPP, do të dëshiroja ta filloja fjalën time me atë se çfarë parashikon Ligji Organik i Buxhetit, i amenduar së fundmi në vitin 2016, për Koncesionet dhe PPP. E them këtë jo pa qëllim, sepse ka qenë kjo qeveri, kjo mazhorancë, që në ndryshimin e ligjit organik të buxhetit, ka vendosur dy elementë transparence të rëndësishme përsa i përket koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat. Pra, është kjo mazhorancë që i ka vendosur vetes dhe qeverive që vijnë, dy standarde të rëndësishme, transparente, ndaj Partneritetit Publik Privat dhe koncesioneve.

Së pari, dëshiroj të citoj nenin 4/2 të ligjit ku përcaktohet si më poshtë:  “…shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik Privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.” Së dyti, në po këtë nen, përcaktohet për herë të parë, kjo mazhorancë, kjo qeveri dhe ndërkohë unë isha po në Ministrinë e Financave, se “Kuvendi, në ligjin vjetor të buxhetit, miraton tavanin e vlerës totale të kontratave në përqindje të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), për të gjitha projektet koncesionare/PPP ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi gjatë vitit buxhetor korrent”.

Për herë të parë e kthyem në detyrim ligjor, nuk e lamë narrativë të dokudoshme, por e kthyem në detyrim ligjor dhe për dijeninë e të gjithëve ju, është hera e parë që është bërë një listë e plotë ligjore, një regjistër i plotë i koncesioneve dhe PPP-ve, që nuk ka ekzistuar kurrë. Këtë e kam me qytetarët gjithashtu, për t’i sqaruar që gjithë debati politik mbi koncesionet, do ta shikoni, për ata që do të na ndjekin sot, për deputetët që kanë nevojë patjetër në legjitimitet për sqarime të mëtejshme, që kjo qeveri e ka rritur tansparencën e instrumentit të PPP-ve dhe koncesioneve disa shkallë më lart.

Do t’jua them dhe më vonë në fjalën time, por po e them edhe tani, që gjithë pyetjet, “a janë borxh”, “a nuk janë borxh”, kanë të bëjnë me dy standarde ndërkombëtare dhe njëri i vendosur nga qeveria e kaluar, me vendim qeverie 575, nga qeveria e Sali Berishës. Standardi i parë është si kontabilizohen në bazë të ESA 95 apo ESA 2010. E dyta, e lidhur me të parën, është mënyra e kontabilizimit në bazë të risqeve, risqet e kaluara tek privati automatikisht nuk kontabilizohen në borxh. Dhe e treta, ESA 95, të dashur deputetë dhe qytetarë që na ndiqni, është vendosur përpara vitit 2013 si mënyrë kontabilizimi i koncesioneve.

Më vjen keq që nuk është opozita këtu, që t’ia tregoja vendimin 575, t’i thosha: “Ja, ju kur keni qenë në pushtet e keni vënë këtë standard kontabiliteti”.  Po edhe ne të mazhorancës ta shohim, standardi i kontabilitetit është vendosur nga qeveria e kaluar. Vendimi 575, ESA 95, mënyrë kontabilizimi jashtë borxhit publik për shkak të mënyrës së ndarjes së risqeve dhe të pagesave të disponueshmërisë. Këtu mbaron debati dhe pyetjes suaj deputete, a mund të ishin borxh apo jo, i referohem pyetjes së kaluar, së cilës nuk iu referova plotësisht, se e kishte vënë re dhe opozita që nuk u përgjigja plotësisht dhe sot gjeta rastin që t’ju përgjigjem edhe juve, edhe opozitës, plotësisht.

Si i ka respektuar Qeveria këto dy nene të këtij ligji organik? Në relacionin e projektbuxhetit 2019 që është para jush, e keni të evidentuar qartë se për vitin 2019, kufiri prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës, pra i të pritshmit 2018, respektohet dukshëm pasi kap një shifër prej 3% të totalit. Dhe nëse do të shkojmë akoma dhe më tej me parashikimet përtej këtij viti, në afatmesëm, kapim vlerat në 2020 dhe 2021 respektivisht 3.3% dhe 3.4%

Sa i përket nenit tjetër, në nenin 19 të projektligjit të buxhetit 2019 përcaktohet se: “Tavani për vlerën totale të kontratave në përqindje të PBB-së për të gjitha projektet koncesionare/PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi për vitin 2018, në përputhje me të dhënat e regjistrit të koncesioneve është 46% e PBB.” Rregjistri i koncesioneve nuk ka ekzistuar asnjëherë, por e kemi bërë ne. Nuk ka pasur regjistër koncesionesh. Nuk dihej fare sa koncesione ishin dhënë dhe kush i kishte, kush nuk i kishte, sa kishte avancuar, sa nuk kishte avancuar.

Këtu dua të bëj një sqarim shumë të rëndësishëm. Gjithë kontratat janë 807 miliardë, të gjitha kontratat, nga të cilat 391 miliardë janë energji, pra janë HEC-e, që ta kuptojnë qytetarët kur dëgjojnë PPP-të, është ASHTA, është Devolli, është AYEN Energji, janë ato HEC-et që shikoni poshtë e lart nëpër Shqipëri, janë të gjitha pjesë e kësaj shifre.

Pjesë e kësaj shifre është dhe kolaudimi i makinave, është edhe Rapiscani, është edhe Pullat Fiskale, është dhe Regjistri i Barrës Siguruese. Pra, kjo boloria e PPP-ve, që t’i sqarojmë sot dhe pastaj kuptohet që secili ka të drejtë të bëjë pyetje kur nuk bindet.

Ndërkohë, mbetet një shifër 415 miliardë nga të cilat 262 miliardë janë të reja që nuk kanë hyrë në fuqi, pra në proces. Që do të thotë se mbeten aktive, përtej energjisë, 153.8 miliardë ose 8.7%. Domethënë, ajo balona e fryrë me qëllim, “koncesione-PPP”, ja ku e keni, 8.7%. Dhe 46% e totalit janë energji. Pra vetëm 8.7% e totalit janë aktive. Pjesa tjetër janë në procese. Kjo besoj ishte një shifër shumë domethënëse për secilin nga ne dhe nga ata që na dëgjojnë.

Me fjalë të tjera, me këtë nen Kuvendi përcakton tavan total në terma realë për të gjitha koncesionet apo PPP ekzistuese dhe ato të reja, bazuar në një listë të detajuar që jepet në relacionin e këtij projektligji. Kjo do të thotë që Kuvendi nëpërmjet vendosjes së një “cap” (tavani) Qeverisë, ushtron diskrecionin e tij për disiplinimin e këtyre projekteve në çdo ushtrim buxhetor vjetor.

Por përtej këndvështrimit të ngushtë ligjor që përfshin Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, do të dëshiroja që edhe në përgjigje të kërkesave të këtij Komisioni të nderuar, të ndalesha fillimisht në arsyet se pse Qeveria që unë përfaqësoj sot këtu, është angazhuar për të jetësuar projekte infrastrukturore dhe ofrimin e disa shërbimeve publike me anë të modeleve koncesionare apo të Partneritetit Publik Privat:

  • Pikë së pari, vlera tejet e konsiderueshme për zbatimin e këtyre projekteve (bëhet fjalë për vlera investimi që shkojnë përtej shifrës 1 miliardë Euro).

Zonjë, që jeni deputete e Dibrës, opozita do t’ia mohojë rrugën Dibrës. Opozita kërkon që t’ia mohojë rrugën Dibrës. Pra, opozita është duke i thënë popullit të Dibrës që ju do të rrini atje, 25 vite pa rrugë, sepse ne duhet të bëjmë pak zhurmë për këto që quhen PPP dhe koncesione. Ti që je deputete, në respektin tuaj zonjë që je deputete e Dibrës, të lutem transmetoja popullit të Dibrës, që mazhoranca dhe qeveria e zotit Rama do ta bëjë rrugën me Partneritet Publik Privat, në favor të zonës së Dibrës. Ne nuk duam që populli i Dibrës të presë 25 vite, zonjë e nderuar, ne duam që populli i Dibrës ta ketë rrugën sa më shpejt.

E njëjta gjë vlen edhe për popullin e Shkodrës. E njëjta gjë vlen edhe për gjithë zonat e tjera që përfitojnë nga Partneriteti Publik Privat. Nuk kemi deputetë të Kukësit këtu, por po të ishte opozita, do të kishim deputetë të Kukësit, pra ajo që thonë ata është jo, Rruga e Kombit të mos mirëmbahet. Nuk ka rëndësi që mungon ura, nuk ka rëndësi që mungon sinjalistika, nuk ka rëndësi që ajo rrugë të degjenerohet, nuk ka rëndësi. Pastaj thonë, shiko ne e duam popullin e Dibrës, por duhet ta lëmë pa rrugë, e duam ashtu. Që të mos vijë kurrë në Tiranë, të rrijë atje, që të mos venë kurrë nga Tirana, por të ndahet për së gjalli me pjesën tjetër të vendit, të mos bashkohet me rajonin. Duan të dënojnë popullin e Dibrës, zonja deputete, transmetoja në emër të mazhorancës që ne nuk do ta lëmë.

  • Vlera tejet e konsiderueshme për zbatimin e këtyre projekteve (bëhet fjalë për vlera investimi që shkojnë përtej shifrës 1 miliardë Euro), nuk mund të përballohet nga fondet e kufizuara të buxhetit të shtetit për periudhën e kryerjes së investimeve, përkatësisht në kohën e nevojshme prej 2-4 vite. Gjithashtu, niveli aktual i borxhit publik nuk lejon asnjë hapësire për marrjen me hua të më shumë se 1 miliardë Euro nga institucionet financiare. Dhe kemi përdorur standardin ndërkombëtar të aprovuar me vendim 575 nga opozita e sotme, mazhoranca e pardjeshme.
  • Nuk preket niveli i Borxhit Publik, për sa kohë që Shteti hyn në një marrëdhënie kontraktuale me partnerin privat, e cila implikon pagesa të rregullta ose jo, dhe jo dhënie garancish sovrane për financime nga banka apo institucione financiare të ndryshme;
  • Skemat e PPP mundësojnë futjen e teknologjive të reja dhe metodave inovative në drejtim të ofrimit të shërbimeve më të mira publike dhe të përmirësimit të eficencës operacionale;
  • Partneriteti Publik Privat mundëson një impakt më imediat ekonomik, social dhe politik pasi mundëson pasjen e aseteve apo shërbimeve të rëndësishme në një kohë relativisht të shkurtër, gjë e cila nuk mund të bëhet e mundur nëpërmjet procedurave klasike të Prokurimit Publik dhe kufizimeve të borxhit;

Për PPP-të në shëndetësi, e dini çfarë u thonë qytetarëve që na kanë votuar? Këta i thonë, ti me dializë do të udhëtosh nga Korça, nga Shkodra, nga Dibra, nga Gjirokastra, nga Vlora, në 5 të mëngjesit, do vish të zësh radhën këtu, e ashtu siç je në hall, ti e di, bëj çfarë të duash, se mua nuk më duhet se çfarë bën ti. Epo kjo mazhoranca vendosi ta bënte ndryshe dhe sot, shërimi i dializës për ata që kanë nevojë, në vuajtjen e tyre, është më i shpejtë, më afër vendbanimit dhe numrat janë të konsiderueshëm të shërbimit.

Dikur ka qenë 80 mijë lekë, kaq u kushtonte, 80 mijë lekë kur bëhej nëpër spitalet publike me ato radhët ku nisej i shkreti njeri nga Korça e nga Gjirokastra që në 4 të mëngjesit për të kapur 7 e mëngjesit këtu. 80 mijë lekë kushton dhe tani, por tani e paguan buxheti i shtetit. Këta i thonë të sëmurëve, i thonë pacientëve që shkojnë në spitale për sterilizimin, “nuk na duhet çfarë ndodh me jetën tuaj, se ne kemi axhendën tonë politike dhe do dalim tani të flasim për PPP-të”. E s’ka ngelur njeri pa folur për risqet e PPP-ve e as e dinë fare se çfarë përfaqëson një Partneritet Publik Privat.

  • Ofrojnë një eficencë më të lartë në përdorimin e fondeve, sidomos në projektet e Infrastrukturës, pasi Risku i Ndërtimit i alokohet 100% Partnerit Privat. Gjë që nuk ndodh në rastin e prokurimit klasik publik, ku projektet e infrastrukturës si në rrugët nacionale, shkollat apo infrastrukturën shëndetësore.

Dhe për arsyen që sapo përmenda, do dëshiroja t’ju tregoja ju dhe publikut disa shembuj projektesh tipike të rrugëve nacionale, pasi shembuj janë me dhjetëra dhe kam një listë të gjatë me vete, por doja të veçoja disa prej tyre si më domethënëse:

Rruga Tiranë – Elbasan, kontraktuar fillimisht në vitin 2011 me vlerën totale prej 303.9 milionë Dollarë, dhe deri në këtë moment kjo vlerë është tejkaluar me rreth 100 milionë Dollarë. E mbani mend hapjen e rrugës? Gati 30% më shumë dhe më flasin këta për risk PPP?!  Dhe ne i dëgjojmë patjetër, se e kemi detyrë dhe kënaqësi, e hall ndonjëherë, t’i dëgjojmë. Rruga Tiranë-Elbasan nisi me 304 milionë dollarë. Ka shkuar 405 milionë deri më tani dhe nuk ka mbaruar.  Nuk ka mbaruar zonjë, që ju ka votuar Elbasani masivisht, t’ia tregoni këtyre, që risku në logjikën e tyre, tek koncesionet të bëra pa mendje, pa zemër, dhe pa projekt, përfundon në këto shifra që ju them unë. Dhe më interesantja, nëse çertifikohën pretendimet ekstra deri në këtë moment, në kohë kapin vlerën 36 milionë dollarë, atëherë kjo vlerë shkon sipër 41.6% e vlerës fillestare! E kujt i flasin këta për risk të Partneritetit Publik Privat?! 41.6 % nga një prokurim publik. Një rrugë që nisi me 304 milionë dollarë, do të përfundojë, ta shohim, me 430 milionë dollarë e më shumë.

Aksi Plepa – Kavajë – Rrogozhinë, e startuar në vitin 2008 me një vlerë të kontraktuar prej 2.8 miliardë lekë, e cila më në fund u mbarua në vitin 2018, pra pas më shumë se 10 vitesh, se u hap me 1 mijë dollarë, është shtuar me rreth 543.7 milionë lekë gjatë kësaj periudhe si shtesa kontrate, ose 20 % e totalit të kontratës! Kalon e gjithë Shqipëria atje, ta kuptojë që ajo kontratë u bë pa mendje, pa zemër, pa profesionalitet dhe përfundoi me një shtesë kosto 20%. Kujt i tregojnë këta riskun e PPP-ve?! Ja, fatkeqësisht nuk janë këtu t’i dëgjonin.

 

Aksi Qafë Thanë – Lin – Pogradec, e filluar në vitin 2009 dhe që pritet të përfundojë në fund të 2018-ës, është nisur me 2.9 miliardë lekë dhe ka kërkuar 582.6 milionë lekë më shumë ose 20% të vlerës! Kujt i flasin këta për risk të PPP-ve? Një kontratë nuk e kanë fiks, ta kenë nisur fiks. E dini se çfarë ndodh me Qukës-Qafë Plloç? Do edhe 52 milionë dollarë sepse nuk bashkohet aksi i rrugës. Ta dinë qytetarët. Në 2011-ën nisi si fanfarë, nuk bashkohet aksi i rrugës si projekt, edhe duhen edhe 52 milionë dollarë.

  • Një argument tjetër shtesë që e bën më atraktiv modelin e koncesioneve të Partneritetit Publik Privat ndaj prokurimit publik, është pikërisht incentiva apo shtrëngimi që i bëhet Partnerit Privat për ta mbaruar rrugën në kohë.

Mora rastin e Dibrës. Praktikisht, pikë së pari në kontratë, partneri privat do të duhet që te ecë deri në 25-30 % të punimeve dhe të paraqesë faturat e para, të cilat e kanë nivelin të paracaktuar, dhe do të thotë që për 3-4 vite do të duhet të ketë investuar plotësisht, pra ta ketë mbaruar rrugën, dhe të marrë maksimalisht dy pagesa disponueshmëri, 2019 dhe 2020. Pra, të ketë investuar afërsisht 170 milionë dollarë dhe të ketë marrë afërisht 35 milionë dollarë në dy vite, në 2019 dhe 2020, e në fund të 2020 apo në 2021, do të ketë dorëzuar rrugën. Pra, dibranët tanë do të kenë rrugën në 2021. Partneri privat do të presë 13 vite të paguhet. Dhe, argumenti i opozitës që do të rëndojnë mbi taksat tona është jo korrekt, sepse çdo investim publik dhe sot në konkluzionet përfundimtare të FMN, për herë të parë do të quhen investime publike. Do të quhen investime publike, do t’ia mbyllin gojën një herë e mirë kujtdo. Dhe, praktikisht, risku i mbarimi të rrugës është mbi partnerin privat.

Partneri Privat paguhet për performancë, pra për situacione të çertifikuara dhe është nën presion për të mbaruar rrugën në kohë pasi struktura e financimit të projektit është e tillë që rreth 70-80% e financimit sigurohet nëpërmjet bankave, të cilave Partneri Privat duhet t’i paguajë këstet e kredisë së marrë për këtë qëllim në kohë, sipas modelit.

Në vijim, do të doja të fokusohesha pikërisht tek CV-të e  çdo projekti nga lista e 15 projekteve koncesionare që janë kontraktuar apo janë në rrugë për t’u kontraktuar në sektorët prioritarë të vendit:

Aktualisht janë 11 kontrata koncesionare në fushën e Infrastrukturës Rrugore, Shëndetësisë, Menaxhimit të Mbetjeve dhe Arsimit, ndërkohë që janë në finalizim e sipër, kuptohet do të ndjekin procedurën zyrtare e cila zgjat 3 muaj, 6 muaj, 18 muaj, varet nga kompleksiteti dhe nga gatishmëria që ka partneri privat që nis procesin. Duke përjashtuar kontratat e PPP në fushën e Shëndetësisë, kontratat e tjera koncesionare kanë hedhur dhe pritet të hedhin në total në ekonomi jo pak, por rreth 134.8 miliardë Lekë ose 1.1 miliard Euro.

Duke përjashtuar kontratat koncesionare, pra Partneritetin Publik Privat në shëndetësi, janë hedhur 1.1 miliardë euro nga kontratat e tjera aktive. 1.1 miliardë euro nga ato që janë aktive.

Dhe shumica dërrmuese e këtij totali do të injektohet gjatë viteve 2019 dhe 2020, që do të thotë se kemi një nxitës të rëndësishëm për përshpejtimin e rritjes ekonomike për këtë periudhë dhe përtej kësaj. Për të mos folur këtu për numrin e konsiderueshëm të vendeve të punës që do të gjenerohen nga kantierë të ndryshëm të këtyre projekteve. Gjithsesi, për të qënë më konkret, do të marr në analizë të detajuar një për një të gjitha koncesionet dhe PPP me pagesa buxhetore që ju janë ekspozuar në relacionin e këtij projektbuxheti, duke u përqëndruar tek kostot, përfitimet dhe risqet. Po e filloj me 11 kontratat ekzistuese si vijon:

 

Ministria e Shëndetësisë

  1. Koncesioni/PPP i Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up) me kohëzgjatje 10 vjet (2015-2024):

Kosto Buxhetore:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar për 10 vjeçarin: 76 miliard lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 876 milionë lekë

Përfitimet:

  • Në periudhën afatmesme në afatgjatë, të mund të zbulohen në kohë dhe të parandalohen sa më shumë të jetë e mundur sëmundje të cilat nëse nuk do të identifikoheshin në kohë, do të sillnin pasoja të konsiderueshme për vetë njerëzit e prekur, por edhe kosto të konsiderueshme për trajtimin e tyre me shërbimet e nevojshme shëndetësore.
  • Bazuar në të dhëna që vijnë nga përvoja botërore, p.sh., nga analiza e kosto-përfitimeve të NHS (National Health Service – Shërbimi Kombëtar i Kujdesit shëndetësor në Angli), të vendosura në kontekstin shqiptar, me kurs këmbimi PPP (Purchasing Poëer Parity), rezulton se, me Programin e Kontrollit Bazë pa pagesë 40-65 vjeç, do të arrihet të kursehen kosto për shpenzime shëndetësore rreth 15.4 miliardë lek (125 milionë dollarë) në 10 vjet, si dhe do të parandalohen 450 vdekje të parakohshme. Jam duke përdorur standardin që përdor Mbretëria e Bashkuar në Shërbimin kombëtar të shëndetit të tyre, pra jemi duke përdorur të njëjtin standard parashikimi, nuk kemi shpikur standard. Tani, këta duan t’i vënë çmim jetës. Për ne, jeta e qytetarëve nuk ka çmim, është më e shtrenjtë se gjithçka e megjithatë, meqë e deshët dhe në terma financiarë, me një standard krahasues, kursimi ndër vite do të jetë 125 milionë dollarë. Pra siç mund të shihet qartë, përfitimi në vlerë monetare mund të shkojë te dyfishi i asaj çka pritet të shpenzohet për këtë PPP në 10 vjet.

 

  • Vlen të theksohet së një pjesë e kursimit vjen dhe si pasojë e ofrimit të këtij shërbimi nga operatorë privatë, pasi Fondi i sigurimit shëndetësor i paguan kontraktorit 1537 lekë (pa përfshirë TVSH-në e cila transferohet në buxhetin e shtetit). I njëjti protokoll i kontrollit pa pagesë në sistemin publik kushton 5200 lekë, ndërsa në sistemin privat i njëjti shërbim kushton 8000 lekë.

Pra, dua që qytetarët ta dëgjojnë, Fondi i Sigurimit Shëndetësor i paguan 1537 lekë, pa përfshirë TVSH-në, për një check-up. I njëjti protokoll, në publik kushton 5200 lekë ndërsa në sistemin privat kushton 8000 lekë.

Risqet: A ka ky Partneritet Publik Privat risk? Patjetër që ka.

  • Risku i Kërkesës, që në rastin e këtij koncesioni praktikisht ne do të ishim të lumtur që numri që do ta përdornin check-up-in të vinte gjithmonë në rritje, në mënyrë që sa më e madhe të jetë pjesa e qytetarëve, e popullatës që përdor check-up-in, aq më shumë parandalojmë sëmundje, aq më shumë parandalojmë vdekje të mundshme, dhe patjetër pastaj ulim dhe kosto afatmesme dhe afatgjatë.

 

  1. Koncesioni apo PPP i shërbimeve të integruara, po brenda Ministrisë së Shëndetësisë, për ofrimin e setit të përsonalizuar të instrumenteve kirurgjikal, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale, me kohëzgjatje 10 vjet (2015-2025).

Kostot Buxhetore:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar: 17 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 7 miliardë lekë

Përfitimet:

  • Zëvendësimi i skemës ekzistuese të pajisjes dhe sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale, e cila ka rezultuar ineficente dhe inefektive në tërësinë e saj, duke rezultuar me pasoja të konsiderueshme në terma ri-shtrimi të pacientëve të cilët kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale, si pasojë e marrjes së infeksioneve të ndryshme nga pajisjet kirurgjikale të cilat ripërdoreshin dhe sterilizoheshin jo mjaftueshëm, si dhe dezinfektim jo të plotë të ambienteve.

 

  • Evitimi në maksimum i situatave të tilla të cilat i kanë sjellë shërbimit spitalor kosto ekstra të cilat, nëse do t’i shtojmë këtu dhe koston e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale dhe dezinfektimit të ambienteve të sallave kirurgjikale që rezultonte në të kaluarën, e tejkalojnë dukshëm koston që Ministria e Shëndetësisë paguan aktualisht për këtë partneritet. Mjafton të evidentojmë një fakt, që për ri-shtrimin e pacientëve të konstatuar me infeksione të marra post-kirurgjikale, buxhetit të shtetit i duhet të përballojë një kosto mesatare prej 14 mijë lekë në ditë, për një kohëzgjatje mesatare 5 ditë shtrimi. Duke qënë se gjatë një viti janë kryer mesatarisht rreth 50 mijë ndërhyrje kirurgjikale në spitalet publike, dhe minimalisht 20% e pacientëve janë ri-shtruar për çështje infeksionesh post-kirurgjikale, atëherë kosto vjetore totale nga këto rishtrime kanë rezultuar në shifrën mesatare prej 700 milionë lekë, shifër kjo thuajse e barabartë me atë të parashikuar vetëm për sterilizimin e instrumentave dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.

 

  • Gjithashtu, ky partneritet siguron dhe një menaxhim sipas standardeve ndërkombëtare të mbetjeve biologjike që rezultojnë nga shërbimi spitalor, pasi në të kaluarën janë evidentuar një sërë problemesh të cilat kanë rezultuar me menaxhim jo-efektiv të këtyre mbetjeve dhe ç’është më e keqja me pasoja serioze për mjedisin.

 

Çfarë risku ka?

 

  • Risku sërish i kërkesës që mund të lindë si pasojë e nevojave për instrumenta kirurgjikalë më shumë se sa parashikimi fillestar, por që do të kërkojë një menaxhim të kujdesshëm të këtij risku nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në periudhën afatshkurtër dhe atë afatmesme pasi pritshmëria është që nëpërmjet reformave të ndërmarra në fushën e parandalimit dhe zbulimit në kohë të sëmundjeve, (si p.sh. PPP e Check-Up), kërkesat do të jenë brenda parashikimeve të kësaj kontrate.

 

  1. Koncesioni i Shërbimit të Dializës, me kohëzgjatje 10 vjet (2016-2025)

Kostot Buxhetore:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar: 55 miliardë lekë në 10 vite
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 655 milionë lekë në vit

Përfitimet:

  • Ofrimi i një shërbimi dinjitoz për pacientët që trajtohen me dializë, duke evituar rradhët e pafundme që rezultonin në të kaluarën dhe kalvarin që do të duhet të kalonin disa prej tyre që jetonin larg qendrave ku ofrohej ky shërbim, ku kishte pacientë që duhet të vinin nga zona të largëta të Shqipërisë në Tiranë minimumi 3 herë në javë. Imagjinoni dikë nga Saranda, Gjirokastra, Korça, Dibra, Shkodra, tre herë në javë në Tiranë, I sëmurë në nevojë për dializë, tre herë në javë, dhe këta diskutojnë PPP-në e dializës, këta që mungojnë sot këtu.

 

  • Evitimi i kostos së shoqërimit nga familjarë të pacientëve, të cilët ju duhej të ishin domosdoshmërisht me pacientin në këto seanca, duke mundësuar kështu heqjen e një barre shpenzimesh transporti, hoteli dhe ushqimi për to, apo çdo lloj kostoje që shoqërohet me një udhëtim.

 

  • Ofrimi në kohë dhe me cilësi i këtij shërbimi jetik për këtë kategori, mundësohet me një kosto për njësi më të ulët se sa rezultonte në rastin kur ky shërbim ofrohej nga vetë spitalet publike. Dikush nga të opozitës më tha: “po ç’është kjo që harxhoni kaq shumë lekë, këta shumë pak veta janë?”. E kuptoni ju logjikën? Si ka mundësi pyetja e njërit nga opozita që harxhoni kaq shumë lekë, këta janë shumë pak veta?! Ne e kemi në program të qeverisë, ne duam ta përmirësojmë çdo ditë atë moto që ka kjo mazhorancë e majtë, ne nuk lëmë askënd mbrapa. Nuk lëmë askënd mbrapa.
  • Vlen të theksohet këtu se në përfundim të këtij partneriteti, shërbimi spitalor do të trashëgojë ambientet e ndërtuara/rindërtuara nga ofruesi privat si dhe pajisjet përkatëse me të cilat kryhet ky shërbim.

 

Risqet:

  • Risku i kërkesës që mund të lindë si pasojë e shtimit të numrit të pacientëve që kanë nevojë për shërbimin e dializës më shumë se sa parashikimi fillestar, por që nuk pritet të impaktojë në mënyrë të ndjeshme buxhetin e FSDKSH.

 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

 

  1. Koncesioni i Inceneratorit të Elbasanit, me kohëzgjatje 7 vjet (2015-2021)

Kostot Buxhetore:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar: 6 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 662 milionë lekë

Përfitimet:

  • Nëpërmjet këtij koncesioni, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon që të zgjidhë njëherë e mirë problematikën alarmante të ndotjes së mjedisit në qytetin e Elbasanit, duke vënë në dispozicion të bashkisë së saj një incenerator të standardeve bashkëkohore, i cili do të mundësojë jo vetëm trajtimin profesional të mbetjeve urbane të kësaj Bashkie, por edhe do të krijojë mundësinë që këto mbetje të gjenerojnë energji elektrike për popullatën. Në fund të periudhës së këtij koncesioni, Bashkisë së Elbasanit i kalohet në pronësi dhe përdorim ky aset i rëndësishëm, i cili jo vetëm që do të përmirësojë dukshëm cilësinë e mjedisit, por edhe do të mundësojë gjenerimin e të ardhurave shtesë si pasojë e shitjes së energjisë elektrike në sistemin elektroenergjetik shqiptar.

Risqet:

  • Risku i kërkesës: Ky risk ka lidhje me depozitimin e sasive të mbetjeve nga ana e Bashkisë Elbasan, që është nën kontroll pasi kjo sasi është parashikuar brenda projeksioneve aktuale të gjenerimit të mbetjeve nga kjo Bashki plus sasitë ekzistuese të akumuluara dhe patrajtuara ndër vite.

 

  1. Koncesioni i Inceneratorit të Fierit, i cili parashikohet të fillojë në vitin 2018, me kohëzgjatje 6 vjet (2018-2023)

Kostot Buxhetore:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar: 5 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 753 milionë lekë

Përfitimet:

  • Nëpërmjet këtij koncesioni, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon që të japë një zgjidhje të qëndrueshme të problemit të menaxhimit aktual të mbetjeve në qytetin e Fierit. Si në rastin e inceneratorit të Elbasanit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon të vërë në dispozicion të bashkisë Fier një incenerator të standardeve bashkëkohore, i cili do të mundësojë jo vetëm trajtimin profesional të mbetjeve urbane të kësaj Bashkie, por edhe do të krijojë mundësinë që këto mbetje të gjenerojnë energji elektrike për popullatën. Edhe në këtë rast, në fund të periudhës së këtij koncesioni, Bashkisë Fier i kalohet në pronësi dhe përdorim ky aset i rëndësishëm, i cili jo vetëm që do të përmirësojë dukshëm cilësinë e mjedisit por edhe do të mundësojë gjenerimin e të ardhurave shtesë, po si në rastin e Elbasanit, si pasojë e shitjes së energjisë elektrike në sistemin elektroenergjetik shqiptar.

 

  1. Koncesioni i Inceneratorit të Qarkut Tiranë, i cili pritet të fillojë punimet në 2018, me një kohëzgjatje prej 30 vjetësh

Kostot:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar: 1 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 1,3 miliardë lekë

 

Përfitimet:

Nëpërmjet këtij konçesioni, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon që të japë një zgjidhje të qëndrueshme të problemit të menaxhimit aktual të mbetjeve në bashkinë e Tiranën. Si në rastin e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit, Ministria e Infrastrukturës synon të vërë në dispozicion të Qarkut Tiranë një incenerator të standarteve bashkëkohore, i cili do të mundësojë jo vetëm trajtimin profesional të mbetjeve urbane të këtij qarku, por edhe do të krijojë mundësinë që këto mbetje të gjenerojnë energji elektrike për popullatën.

 

  1. Koncesioni BOT HEC mbi lumin Devoll, rimbursimi i ndërtimit të rrugëve zëvendësuese, nga buxheti i shtetit me kohëzgjatje 5 vjet (2015 – 2019)

Kostot Buxhetore:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar: 76 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 3 miliardë lekë

Përfitimet:

  • Pas ndryshimeve ligjore të këtij koncesioni të miratuara në vitin 2015, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka synuar që të eliminonte një barrierë serioze e cila rrezikonte seriozisht investimin më të madh të kryer ndonjëherë në sektorin elektroenergjitik shqiptar përgjatë këtyre 25 viteve të fundit. Me marrjen përsipër nga ana e kompanisë “Shtatkraft” të ndërtimit të rrugëve zëvendësuese të cilat mundësonin aksesin e komuniteteve të prekura nga ndërtimi i veprave hidroenergjitike nga kjo kompani. Theksojmë gjithashtu faktin se Qeveria e kaluar e kishte ndërmarrë këtë angazhim, por në realitet nuk kishte bërë asnjë hap konkret për të vijuar me punimet përkatëse, duke vënë në rrezik serioz vijueshmërinë e këtij projekti madhor dhe jetik për zhvillimin e vendit tonë.

Risqet:

  • Nuk ka pasi ky koncesion do të pushojë së ekzistuari në vitin 2019, ku pritet që të kryhet pagesa e fundit sipas ligjit për këtë qëllim.

 

  1. Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës së Arbrit, me kohëzgjatje 13 vjet (2018-2030)

Kostot Buxhetore:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar:  6 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 8 miliardë lekë

Përfitimet:

  • Me anë të kësaj PPP, Shqipëris dhe populli i dibrës do të ketë rrugën për tu lidhur me Tiranën, me Durrësin, e detin, me rajonin, me Dibrën në anën tketër të kufirit gjithashtu. Do kishin pritur 25 vite dhe nuk do ta kishin atë rrugë nëse do ta kishin bërë këtë projekt.

 

  1. Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës Milot – Morinë, me kohëzgjatje 31 vjet (2017-2047)

Kostot Buxhetore:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar:  3 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore (2020-2032): 825 milionë lekë

Përfitimet:

Nëpërmjet këtij koncesioni, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë zgjidh një problem të rëndësishëm për sa i përket mirëmbajtjes në tërësi të një aksi rrugor kombëtar. Njëkohësisht, partneri privat merr përsipër që të ndërtojë dhe rindërtojë disa segmente të caktuara të rrugës të cilat nuk ishin ndërtuar sipas standardeve të rrugëve (si psh Ura e Kukësit) për një vlerë totale rreth 43 milionë Euro (investim). Përdoruesit e këtij aksi do t’ju duhet të paguajnë një tarifë kalimi e cila parashikohet në nivelin 5 Euro për autoveturat, ndërsa qytetarët e qarkut do të paguajnë vetëm 1 mijë lekë të vjetra udhëtimi.

Risqet

  • Ky risk konsiston në garantimin e të ardhurave nga trafiku, dhe është i ndarë midis Autoritetit Kontraktues dhe Koncesionarit.

 

Ministria e Financave

  1. Koncesioni i Skanimit në Dogana, me kohëzgjatje 15 vjet (2014-2029), e morë dhuratë nga qeveria e dikurshme e Sali Berishës, nga këta që flasin për risqet e PPP-ve.

Kostot Buxhetore:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar: 27 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 8 miliardë lekë. Isha në disa vende të rajonit dhe skanerat ishin pronë e doganës dhe kushtonin shumë herë më pak.

 

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë / Bashkia Tiranë

 

  1. Ndërtimi i Shkollave të Arsimit Parauniversitar në Bashkinë e Tiranës, me kohëzgjatje 8 vjet (2017-2024)

Kostot Buxhetore:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar: 8 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 4 miliardë lekë

Përfitimet:

  • Nëpërmjet kësaj PPP, Ministria e Arsimit dhe Bashkia Tiranë (si bashkëfinancues) synojnë ti japing fund mbipopullimit kronik të klasave në çdo nivel të arsimit parauniversitar (kopshte, shkolla 9 vjecare, shkolla të mesme) në Bashkinë e Tiranës. Mos e bëni thonë këta, mos e bëni! Prisni 20 vite. Le të dynden fëmijët në një klasë dhe të mos marrin shërbimin dhe rehatinë e merituar. Mos e bëni thonë! Ne po e bëjmë! Synohet që kjo infrastrukturë të jetë gati për t’u vënë në funksionim të plotë brenda vitit 2019, duke respektuar të gjitha standardet bashkëkohore. Si shkolla “Kosova” do bëhen, që shkojnë të gjithë dhe e kanë si peligrinazh tani edhe këta që mungojnë.

 

Për 4 Kontratat Koncesionare /PPP në proces me kosto buxhetore si vijon:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

  • Ofrimi i shërbimeve laboratorike, me kohëzgjatje 2019-2028

Kostot buxhetore:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar: 86 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 886 milionë lekë

Përfitimet: Këtu përfitimet janë shumë të mëdha, megjithatë janë në pipeline. Unë nuk po ndaloj tek përfitimet.

 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

  1. Për projektin e koncesionit/PPP “Për projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Thumanë-Fushë-Krujë-Vorë-Kashar” (afati 13 vjet), një nga akset kryesore që lidh veriun me jugun. Këta i thonë veriut dhe jugut prisni 25 vite, se nuk i dihet çfarë ndodh, ndërkohë që ne nëpërmjet këtij projekti do të bëjmë të mundur një nga akset më të rëndësishme të vendit.

 

Kostot Buxhetore:

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar: 3 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare ndër vite në 13 vite: 3 miliardë lekë

Përfitimet:

  • Është investim i menjëhershëm duke futur në tregun vendas më shumë likuiditet
  • Mundësi për vende të reja pune
  • Duke qene se zona e Fushë-Krujes është zonë industriale, me lehtësimin e trafikut, shkurtohet koha e transportit që rrjedhimisht ndihmon në zhvillimin e biznesit brenda vendit dhe siç e theksova në momentin 1 është pjesë e rëndësishme e asaj që kemi diskutuar e autostradës Adriatiko-Joniane apo siç e kemi thënë Blue Highëay

Në planin e Qeverisë për zhvillim, një pjesë e ndjeshme është dhe zhvillimi social. Përveç të tjerave, ky propozim për ndërtimin e segmentit rrugor Thumanë-Vorë-Kashar do ketë një impakt shumë pozitiv dhe në zhvillimin social jo vetëm të zonës.

  1. Për projektin me objekt “Për dhënie me koncesion/PPP për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Balldren” (afati 13 vjet)

 

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar: 5 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 8 miliardë lekë

 

  1. Projekti me objekt “Projektimi, ndërtimi, financimi, mirëmbajtja e segmentit rrugor Porti i Jahteve-Bypass Orikum-Dukat sipas modelit Partneritet Publik Privat” (afati 13 vjet)

 

  1. Kosto buxhetore totale e parashikuar: 7 miliardë lekë
  2. Kosto buxhetore mesatare vjetore: 9 miliardë lekë

 

Në përfundim, do të doja të ndaja me ju dhe disa ndryshime të rëndësishme që parashikohen t’ju vijnë për shqyrtim dhe miratim në lidhje me ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar. Këto ndryshime janë iniciuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nga Qeveria, konsistojnë në:

  1. Heqjen e Propozimeve të Pakërkuara në një sërë sektorësh.

Në draftligjin që kemi propozuar, në konsultim edhe me partnerët ndërkombëtar, paraqesim kufizimin e të drejtës së identifikimit dhe zhvillimit të propozimeve të projekteve të koncesionit/PPP, nëpërmjet propozimeve të pakërkuara nga sektori privat. Konkretisht, me anë të këtij projektligji është propozuar që nga data 1 korrik 2019, të lejohen propozimet e pakërkuara vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror. Pra, transporti dhe infrastruktura nuk do të kenë më propozime të pakërkuara. Gjithashtu, ky projektligj përcakton shprehimisht që pas datës 1 korrik 2019, nuk do të jetë më e mundur të propozohen nga sektori privat projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë.

  1. Heqjen e bonusit për propozimet e pakërkuara.

Pra, edhe ato që do të ngelen me propozime të pakërkuara, siç e theksova më lart, që janë portet, aeroportet apo shërbimet, do të hiqet bonusi, pra, sistemi me pikë bonus. Për të nxitur sektorin privat për të propozuar projekte të studiuara duke përdorur kapacitetet dhe eksperiencën e tyre, është propozuar zevendësimi i sistemit me pikë bonus me atë të kompensimit në vlerë monetare të propozuesit të pakërkuar, në rast se ky i fundit nuk shpallet fitues. Në çdo rast, kemi thënë në draft ligj, vlera e kompensimit nuk mund të jetë më e lartë se 1% e vlerës së investimit. Pra, dhe aty të mos lejojmë që të pakërkuarit të mos luajnë me vlerën e projektit.

  1. Forcimin e rolit të ministrisë përgjegjëse për financat.

Një tjetër qëllim i këtij projekt akti është edhe përcaktimi më i qartë i rolit dhe përgjegjësive të ministrisë përgjegjëse për financat në lidhje me vlerësimin, miratimin e projekteve të koncesionit/partneritetit publik privat dhe ecurinë e kontratave të koncesionit/PPP nga pikëpamja e implikimeve fiskale, individuale apo në grup për shërbimet buxhetore, defiçitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale.

Një parashikim tjetër është që përpara nënshkrimit të kontratës përfundimtare të konçesionit/PPP, kjo kontratë të paraqitet sërish për vlerësim pranë ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim verifikimin nëse Autoritetet Kontraktuese pas negocimit të saj, i janë përmbajtur vlerësimeve dhe rekomandimeve të dhëna nga ministria përgjegjëse për financat.Pra,  dy herë, japim mendim për herë të parë sa i përket pjesës së shëndetshmërisë së financave publike dhe pastaj i verifikojmë nëse ato vlerësime janë marrë parasysh apo jo.

  1. Krijimin dhe funksionimin e Komitetit të Përzgjedhjes së Projekteve të Konçesionit/PPP.

Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të Konçesionit/PPP do të jetë një organ kolegjial me objekt kryesor të veprimtarisë përzgjedhjen e projekteve të Konçesionit/PPP të cilët do të asistohen me ekspertizë të specializuar për hartimin e studimeve fizibilitetit.

  1. Parashikimin e dispozitave të zëvendësimit të konçesionarit me propozim të institucioneve financiare (për shkak se na ka rastisur rëndom në praktikë që zëvëndësohen konçensionarët me kërkesë të institucioneve financiare, pra tranferim përgjegjësish, ne e kemi parashikuar në ligj edhe atë mundësi)

 

Ndërkohë përpara se ta mbyll, kjo është për qytetarët, për opozitën që mungon dhe për ne të mazhorancës. Ju kam sjellë disa PPP të tregut europian. Këto ditë bëmë një kërkim vetëm për ta ndarë më ju. Janë 204 miliardë euro vetëm në transport në Europë dhe në ambjent, arsim, siguri, rend publik, kulturë, shërbime publike, mbrojtje, shëndetësi, akomodim, shërbime komunitare, telekomunikacion dhe të tjera, janë 370 miliardë euro të bëra në tregun europian ESA 95 ose ESA 2010, që janë me pagesa disponueshmërie dhe natyrshëm, për shkak të standardit, janë pjesë e numëruar e stokut të borxhit, por janë kontabilizuar si detyrime koherente vit pas viti.

Po ju sjell disa shembuj, vetëm për vitin 2016, 6 transaksione të mëdha që u financuan me PPP.

  • Faza II e Trajnimit të Fluturimeve Ushtarake – Paketa e «Fix Wing» (1,45 miliardë euro) në Mbretërinë e Bashkuar;
  • Autostrada D4 / R7 (998 milionë euro) në Sllovaki
  • Rrjeti broadband Nord-Pas-de-Calais (606 milionë euro) në Francë
  • Autostrada A6 Wiesloch-Rauenberg (600 milionë euro) në Gjermani
  • Autostrada A355 (560 milionë euro) në Francë
  • Autostrada A94 Pastetten-Heldenstein (500 milionë euro) në Gjermani.

80% e transaksioneve të mbyllura janë PPP me pagesë nga qeveritë kryesisht të bazuara në pagesat e disponueshmërisë, e njëjta gjë si ajo që bëjmë.

Ju kam sjellë dhe vitin 2017. Në vitin 2017, vlera e transaksioneve PPP që arriti financimin në 14.4 miliardë euro, pra një rritje prej 22%  me vitin 2016, 8 transaksione të mëdha po ju sjell vetëm. Janë:

  • Rrugë me toll Pedemontana Veneta – (2.8 miliardë euro) në Itali
  • Autostrada Marmara Veriore – Sektori Kurtköy-Akyazý – (1.8 miliardë euro) në Turqi
  • Kampusi shëndetësor Ikitelli i Stambollit – (1.1 miliard euro) në Turqi
  • Rrjeti broadband i Grand Est – (1.1 miliard euro) në Francë
  • Autostrada Marmara Veriore (pjesa Kınalı-Odayeri) – (1.1 miliardë euro) në Turqi
  • Rolling stock West Midlands – (896 milionë euro) në UK (hekurudha)
  • Kampusi shëndetësor i integruar Izmir Bayrakli – (717 milionë euro) në Turqi
  • Kampusi shëndetësor i integruar Gaziantep – (685 milionë euro) në Turqi

 

Të gjitha, siç ju thashë, janë ose ESA 95 ose ESA 2010, standard ndërkombëtar kontabilizimi i koncensioneve dhe i Partneritetit Publik Privat, atë standard që po e përdorim ne sot, që me të drejtë, në një vendim, Sali Berisha e ka vendosur si standard zyrtar, kur ka qenë dikur, në të shkuarën e largët Kryeministër.

Faleminderit!