Postuar më: 16/09/2020

Përmbledhje e Performancës Paraprake 8 – Mujore të të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 8 mujore Janar – Gusht 2020 reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve gjatë periudhës së pandemisë dhe lehtësitë fiskale në shtyrjen e mbledhjes apo zerimin e disa taksave. Performanca paraprake reflekton gjithashtu rritjen e shpenzimeve në ndihmë të bizneseve dhe individëve të prekur gjatë periudhës së pandemisë dhe ecurinë e investimeve në kuadër të prioriteve të Qeverisë..

Të ardhurat totale për 8-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 99.8% të planit të 8-mujorit, rishikuar me Aktin e fundit Normativ të Buxhetit. Rritja mujore e të ardhurave tatimore në 4 muajt e fundit (Maj-Gusht) ka pasur një trend pozitiv me rritje mesatare prej 13%. Në krahasim me muajt e tjerë të vitit, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Akciza, Taksa Nacionale dhe te tjera dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale kanë reflektuar pozitivisht rifillimin e plotë të aktivitetit ekonomik. Në periudhën Maj – Gusht 2020, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka pësuar një rritje mesatare mujore prej 12%, Akciza prej 17%, Taksat Nacionale prej 20% dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale prej 12%.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 8-mujorin e vitit 2020, u realizuan në masën 95.5% të planit të periudhës. Në shpenzimet e përgjithshme publike, përfshihet edhe Paketa Financiare Anti COVID-19, e parashikuar përmes dy akteve normative të Buxhetit të vitit 2020.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e tetë të vitit 2020 rezultoi në rreth 52.25 miliardë Lekë, 21,8% më i ulët nga planifikimi prej rreth 66.8 miliardë Lekë.

Performanca Paraprake 8 Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 8-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 270.7 miliardë lekë ose 99.8% të planit të 8-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat kanë pasur një tkurrje nga efektet e pandemisë prej 35.2 miliard lekë. Të ardhurat tatimore për 8 mujorin e vitit 2020 janë 254.8 miliardë lekë.

Grafiku 1: Të ardhurat e Përgjithshme (në milionë Lekë)

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2020)

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u realizuan në masën 237.7 miliardë Lekë, 0.1 miliardë më pak se plani vjetor për vitin 2020 dhe me një tkurrje nga efektet e pandemisë 30.8 miliardë më pak ose -11.5% krahasuar me vitin 2019.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 96.1 miliardë Lekë, duke u tkurrur me 11.9 miliardë Lekë ose 11.1% në krahasim me vitin fiskal 2019, si dhe 481 milionë Lekë ose 0.5% më pak se plani i të ardhurave doganore për  8 mujorin e vitit 2020.

Të ardhurat nga TVSH në import për 8 mujorin rezultojnë 62.6 miliardë Lekë, 588 milionë ose 0.9% më pak se plani i periudhës Janar – Gusht 2020. Efektet e pandemisë kanë sjellë një tkurrje me 8.5 miliardë Lekë ose 11.9% rënie në krahasim me një vit më parë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 28.3 miliardë Lekë, duke tejkaluar me 421 milionë Lekë ose 1.5% më shumë planin e akcizës për këtë 8 mujor. Efektet e pandemisë në raport me të njëjtën periudhë të viti të kaluar kanë qenë 2.8 miliardë Lekë ose 9% më pak.  .

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.2 miliardë Lekë, me një tkurrje si rrjedhojë e efekteve të pandemisë prej 19.8% ose 298 milionë Lekë më pak se 8 mujori i vitit të kaluar realizim në masën 81.7% kundrejt planit, ose 270 milionë Lekë më pak, ndikuar nga tregtia dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare të çmimeve të lëndës minerare.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 3.9 miliardë Lekë, 44 milionë Lekë ose 1.1% më pak se plani i vitit 2020, Tkurrja si pasojë e pandemisë është reflektuar me 380 milionë Lekë ose 8.8% më pak se 8 mujori i vitit fiskal 2019, si dhe.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT) u realizuan në masën 141.6 miliardë Lekë, 600 milionë Lekë, ose 0.4% më tepër se plani vjetor i të ardhurave tatimore. Tkurrja në raport me vitin e shkuar ka reflektuar efektet e pandemisë në masën 18.8 miliardë ose 11.7%.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 28.9 miliardë Lekë, 2.5 miliardë ose 7.9% më pak se 8 mujori i vitit fiskal 2019, si dhe 3.8 miliardë ose 11.6% më pak se më pak se plani i vitit 2020. Rimbursimet u realizuan në masën 10.2 miliardë Lekë. TVSH-ja neto brenda vendit, u realizua në masën 18.7 miliardë Lekë, 778 milionë ose 4% më pak se 8 mujori i vitit 2019, si dhe 163 milionë Lekë ose 0.9% më pak se plani i vitit 2020 i TVSH-së neto.

 

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 17.6 miliardë Lekë. Për shkak të shtyrjes së kësteve të pagesës së tatimit mbi fitimit në ndihmë të biznesit, këto të ardhura janë realizuar 28.4% më pak se një vit më parë dhe 1.4% më pak se plani i këtij viti.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 23 miliardë Lekë, 830 milionë ose 3.5% më pak se plani i vitit 2020, si dhe 8.6 miliardë Lekë ose 27.2% më pak se 8 mujori i vitit 2019.

Taksat nacionale, u realizuan në masën 20.5 miliardë Lekë, 340 milionë Lekë ose 1.7% më shumë se plani i vitit 2020, si dhe më një tkurrje prej 1.6 miliardë Lekë ose 7.2% në raport me 8 mujorin e vitit 2019.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 61.8 miliardë Lekë, 847 milionë Lekë ose 1.4% më pak se 8 mujori i vitit 2019, si dhe realizim 102.5% të planit të vitit 2020.

Grafiku 2: Të ardhurat Tatimore përfshirë dhe pushtetin vendor (në milionë Lekë)

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2020)

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 8-mujorin e vitit 2020, arritën në 322.95 miliardë Lekë me një realizim në masën 95.6% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 4.3% më i lartë ose rreth 13.4 miliardë Lekë më shumë, prej të cilave transfertat për paketat financiare në mbështetje të biznesit dhe individëve kanë qenë 11.8 miliardë Lekë.

Grafiku 3: Shpenzimet e përgjithshme dhe ritmi i rritjes së tyre (në miliard Lekë)

                    Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2020)

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 99.7% dhe 94.9% të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në, 61.1% dhe 46.2% të planit vjetor.

Grafiku 4: Shpenzimet korrente dhe kapitale Plan vs Fakt (në milionë Lekë)

                         Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2020)

     Shpenzimet korrente në raport me planin 8 mujor të këtij viti, paraqesin një realizim prej 99.7%, duke rezultuar në rreth 269.7 miliard Lekë. Zërat kryesorë që ndikuan në nivelin e realizimit të shpenzimeve korrente kundrejt planit 8 mujor janë përkatësisht:

  • shpenzimet për buxhetin vendor me 110.8% të planit të periudhës
  • shpenzimet e tjera sociale me 105 përqind të planit të periudhës.
  • shpenzimet operative mirëmbajtje me 100.5 përqind të planit të periudhës,.

 

Grafiku 5: Shpenzimet Korrente dhe ritmi i rritjes së tyre (në miliard Lekë)

 

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2020)

Shpenzimet kapitale, për muajin e tetë të vitit 2020 kanë një realizim në masën rreth 40.6 miliard LEKË ose 94.9% në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë. Respektivisht, financimi i brendshëm u realizua në masën 27.46 miliardë Lekë ose 93.3% e planit të periudhës, financimi i huaj u realizua në masën 12.44 miliardë Lekë ose 97.8% e planit të periudhës.

Krahasuar me planin vjetor, për 8 – mujorin e vitit 2020 është konstatuar një realizim i përgjithshëm i investimeve publike në masën 46.2% të planit vjetor.

 

Grafiku 6: Shpenzimet Kapitale dhe ritmi i rritjes së tyre (në miliard Lekë)

  Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2020)

Niveli i deficitit në muajin e tetë të vitit 2020 rezultoi në rreth 52.25 miliardë Lekë nga rreth 66.8 miliardë Lekë i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit arriti në masën rreth 3.57 miliard Lekë, për periudhën 8 mujore të vitit 2020 deficiti rezulton 48.7 miliard Lekë më shumë. Grafiku i mëposhtëm tregon tendencat e treguesve kryesorë të buxhetit të shtetit.

Grafiku 7: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt 8 mujor 2020 (në milion Lekë)

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2020)