Postuar më: 20/12/2018

Paketa për studentët, qeveria gati që nga 1 janari të subvencionojë tarifat, bursë mujore për studentët ekselentë dhe me ndihmë ekonomike, përgjysmin të tarifave të konvikteve, investime në infrastrukturën e tyre

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Seancë Plenare:

Nga ana proceduriale një sqarim, ne nuk jemi duke diskutuar Buxhetin e shtetit për 2019-ën, por praktikisht jemi duke diskutuar edhe në respekt të Kushtetutës, edhe në respekt të procedurës parlamentare, dekretin e Presidentit. Për transparencë, unë do të doja që ta citoja një pjesë të dekretit të Presidentit. Presidenti i referohet “trajtimit optimal të nevojave të shoqërisë dhe ekonomisë, si dhe përmbushja e objektivave socialë të shtetit shqiptar”.
Janë arsye, thotë Presidenti, objektive dhe argumente të qëndrueshëm që Kuvendi i Shqipërisë të rimarrë dhe të punojë këtë ligj të rëndësishëm”, pavarësisht se dekreti nuk ka asnjë detaj ku t’i referohet një neni specifik të ligjit të Buxhetit të shtetit, apo t’i referohet një kategorie shpenzimi apo të ardhurash. I është referuar nenit 57 të Kushtetutës, ku thuhet “kushdo ka të drejtën për arsim” dhe është ngjitur në nenin 59 të Kushtetutës ku thotë: “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe të plotësimit të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë, plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim, standardin më të lartë shëndetësor fizik, mendor të mundshëm, arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe personave të pa zënë me punë”, e vazhdon më tej me “një mjedis të shëndetshëm, ekologjikisht të përshtatshëm” etj.
Mbi këtë bazë ka kthyer Buxhetin e shtetit të vitit 2019 duke e mbyllur me një paragraf dhe po e citoj: “Presidenti i Republikës ka ndjekur me vëmendje protestat e studentëve të universiteteve të vendit tonë dhe ka evidentuar se kërkesat e tyre kanë të bëjnë dhe me mbështetjen më të madhe buxhetore për sistemin arsimor, sidomos për institucionet e arsimit të lartë”.
Në këndvështrimin tim, Presidenti është munduar që të përfshihet në një kontribut për nevojat e studentëve, të arsimit të lartë, apo dhe më tej dhe duke qenë se nuk i është referuar asnjë shpenzimi, sigurisht që unë do të detyrohem të flas specifikisht për arsimin e lartë dhe në tërësi për Buxhetin e shtetit.
Do të ishte shumë mirë sikur Presidenti t’i kërkonte studentëve dhe patjetër edhe pedagogëve, dialog, sepse nuk ka protestë në botë, në natyrshmërinë e vet si ajo e studentëve, që është një proteste legjitime dhe që nuk i ngjan protestave që rëndom mund të jenë zhvilluar në Europë, në vende demokratike, sepse në vende jo demokratike nuk ndodh që studentët të dalin në rrugë dhe në natyrshmëri të plotë, në pastërti të plotë dhe në legjitimitet të plotë, të kërkojnë ato pa u kërcënuar nga autoriteti. Ne kemi parë kur protestuesit janë kërcënuar dhe vrarë.
Ky është një rast kur Kryeministri, qeveria dhe e gjithë mazhoranca lutet për dialog dhe përpara se të kaloj te çfarë ka arsimi i lartë, dua të kujtoj që kontributi për arsimin e lartë në vitin 2010 ka qenë vetëm 3.8 miliardë. Sot është 7.4 miliardë, pra është dyfishi. Këtë e kam për studentët, këtë e kam për qytetarët që na ndjekin dhe për këtë sallë. Pra, kontributi për arsimin e lartë është dyfishuar. Kam një shifër tjetër, po kaq të saktë statistikisht por që ka filzofi mbrapa saj. Në vitin 2010 të ardhurat nga trifat kanë qenë 2.8 miliardë. Në vitin 2018, të ardhurat nga tarifat janë sërish 2.8 miliardë, që do të thotë për qytetarët dhe për studentët, dy shifra fare të thjeshta, pra ata kanë paguar, ata që janë sot në protestë, kanë paguar 2.8 miliardë atëherë, 2.8 miliardë sot.
Nga xhepi i familjeve shqiptare ka dalë e njëjta shifër për të paguar arsimimin e fëmijëve të tyre në arsimin e lartë, ndërsa shpenzimi, granti, transferta nga qeveria, nga buxheti i shtetit, është dyfishuar.
Këto janë statistika të verifikueshme dhe kemi mundësinë që t’i shohim fare kollaj edhe në tabela që do isha gati t´jua shpërndaja secilit nga ju apo medias. Në të njëjtën kohë, po t’i referohemi nenit 57 të Kushtetutës, në referencë të atij legjitimiteti që ka protesta, të parstërtisë që ka protesta dhe gjithë qëndrimit jo violent që ka protesta, ka dy këndvështrime, ka dy shtylla brenda atij neni.
E para dhe që është shumë e rëndësishme, është e drejta universale për të gjithë ato shërbime sociale apo ato të tjerat që nuk arrita t’i numëroja në atë nen, duke përfshirë patjetër edhe arsimin.
Shtylla tjetër, dhe kush ka qeverisur djathtas dhe majtas e di mirë, janë mundësitë e shtetit, se sigurisht pritshmëria dhe mundësitë do ishte fantastike të përputheshin, gjë që është e pamundur të ndodhë, është e pamundur të ndodhë në Gjermani, por nuk dua ta bëj atë krahasim, dhe jo më në një vend i cili akoma dhe sot vuan pasojat e masakrës ekonomike të para 2013-ës dhe përtej kësaj, nëse duam të gjykojmë Buxhetin e vitit 2019 do ishte në ndihmë të këtij parlamenti, majta dhe djathtas, që Presidenti të kishte cituar shifra konkrete, madje -madje si zakonisht kur kthen një lig,j të bënte referenca konkrete dhe sugjerime konkrete, gjë që në dekret nuk ka ndodhur.
Në këndvështrimin tim personal sigurisht që Presidenti e ka kthyer politikisht Buxhetin e vitit 2019. Buxheti është tagër i Parlamentit dhe si tagër i Parlamentit diskutohet këtu, ky buxhet është diskutuar përpara dy javësh dhe përpara dy javësh ky Kuvend ka votuar për një buxhet me shpezime 519 miliardë.
Është buxheti i parë në historinë e Shqipërisë me këtë rritje. Për qytetarët dhe për këdo që na ndjek, buxheti sot arkëton 1.2 miliardë dollarë më shumë se viti 2013.Ku u gjetën paratë që shkojnë dyfishin për studentët dhe për universitetet? Ku u gjetën? Sigurisht nga të ardhurat.
Po t’i kthehemi konkretisht kërkesave të studentëve një e nga një, në aspektin politiko-filozofik asnjë nga ato nuk është e ekzagjeruar, asnjë nga kërkesat dhe po marrim tarifat.
Kryeministri ka deklaruar “jemi gati që në datën 1 Janar që ne të subvencionojmë tarifat”. Çfarë ndodh sot me universitetin? Sot qeveria, dhe këtë e di kushdo sot majtas dhe djathtas që ka qeverisur ose që lexon shifrat, është një entitet publik i subvencionuar, natyrshëm kështu. Me sa subvencionohet, që ta dimë, se flasim për kostot? Subvencionohet sot në 66 % të veprimtarisë së vet.
Çfarë propozojmë ne në atë paketë që kemi propozuar për studentët dhe këtë e kam me studentët? Pikë së pari, në atë paketë që kemi ne për studentët nëpërmjet një dialogu, pika që është e rëndësishme që është tarifa, e para në këndvështrimin tim, sigurisht të gjitha janë të rëndësishme, çfarë ndodh me tarifat? Ajo që propozojmë ne është, studentët e ekselencës dhe jo studentët e ekselencës me definicionin 10.00, po studentët e ekselencës 9-10, pra po ndryshojmë definicionin, të jenë totalisht të subvencionuar në tarifën e tyre, pra të mos paguajnë asnjë lekë. Studentët e ekselencës të paguajnë zero lekë.
E dyta dhe po kaq e rëndësishme, është që po këta studentë të ekselencës, dhe nuk besoj që nuk biem dakord për këtë, kanë dhe 10 mijë lekë bursë mujore. Pjesa tjetër, po i referohem 6300 studentëve që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike. Edhe këta studentë do të paguajnë zero. Pra, propozimi i qeverisë është që studentët që vijnë nga familje të ndihmës ekonomike do të paguajnë zero dhe përveç që do të paguajnë zero do të marrin edhe një bursë mujore 10 mijë lekë.
Nëse vazhdojmë me kategoritë e tjera, që do të thotë që të gjithë ata që janë nën nivelin e ekselencës për një milion arsye të tyre të zotësisë apo të kontributit që hedhin në mësimmarrje, iu ulet tarifa gjysëm për gjysëm.
Pra, edhe një herë për ta përmbledhur thelbin financiar të paketës që ofron qeveria përsa i përket tarifave. Ekseleca 9-10 zero dhe bursë 10 mijë lekë. Të gjithë studentët që vijnë nga familje të ndihmës ekonomike zero, nuk paguajnë tarifë dhe do të marrin një bursë prej 10 mijë lekë në muaj. Pjesa tjetër e studentëve përfiton një ulje tarife gjysëm për gjysëm.
Kosto e buxhetit të shtetit e përballon. Instrumentat buxhetorë lejojnë, të gjithë ata që kanë qeverisur e dinë shumë mirë këtë, lejojnë që në 1 Janar të gjithë studentët e universiteteve publike përfitojnë menjëherë këtë subvencion. Pra, jo siç kanë paguar më parë, por buxheti i shtetit i subvencionon drejtpërsëdrejti.
Vazhdojmë me paketën. Paketa gjithashtu ofron dhe ulje të tarifës në konvikte me gjysëm për gjysëm për konviktet që nuk janë prekur kurrë këto 30 vite nga qeveri të djathta, apo nga qeveri të majta me rikonstruksion, dhe ky është një fakt. Hajde të themi çfarë të duam, më sillni një fakt kur një konvikt është rikonstruktuar gjatë këtyre 30 viteve. Ka filluar vetëm tani, me një paketë nga KfW-ja dhe për studentët po jua them, paketa e KfW-së që është Banka e Zhvillimit të Qeverisë Gjermane është praktikisht 18.8 milionë euro dhe vazhdon me katër godina dhe më tej.
Në të njëjtën kohë, dje që kemi bërë Aktin Normativ të buxhetit të vitit 2018, kemi akorduar një shumë të konsiderueshme transfertë e drejtpërdrejtë për Bashkinë e Tiranës që do të fillojë punën me rehabilitimin e konvikteve.