Postuar më: 01/01/2019

Paketa fiskale 2019. Nga sot, 91% e sipërmarrjeve me taksë zero ose 5%. Fund Lojërave të Fatit. Nxitje sektorëve kryesorë.

Nga sot hyn në fuqi paketa fiskale 2019, e cila mundëson një sërë lehtësish të rëndësishme për qytetarët dhe sipërmarrjen. Konkretisht, masat kryesore të Paketës Fiskale 2019 janë:

Për qytetarët:

  1. Tatimi mbi dividentin ulet nga 15 % në 8 %.

Nga kjo masë, përfitojnë mbi 15 mijë kompani ose rreth 50 mijë individë investitorë të kapitalit. Parashikohet stimul për përfitimet e akumuluara/kapitalizuara nga vitet e kaluara, duke zbatuar edhe për ato, shpërndarje normë tatimore 8% nëse tatimi paguhet brenda një afati të caktuar në ligj.

  1. Ulje e kufirit të taksimit të pagës me 23 %:

Nga kjo masë, mbi 15,400 të punësuar me pagë mbi 130 mijë lekë në muaj përfitojnë 25,8 milion lekë çdo muaj, ose 310 milionë lekë në vit;

Si edhe 1,675 lekë lehtësim nga taksa cdo muaj për një punonjës të këtij grupi, ose 20 mijë lekë në vit.

 

Përfitimet e sipërmarrjes

  1. Ulje me 2/3 e taksës së ambalazheve plastike, dhe me ½ të ambalazheve të qelqit, e cila do të ndikojë në uljen e kostos së prodhimit për prodhuesit vendas në industrinë ushqimore.
  2. Përjashtim nga TVSH i lëndëve të para të industrisë së prodhimeve farmaceutike, duke e vendosur në kushte konkurence të njëjta me medikamentet e importuara të cilat janë të përjashtuara.
  3. Përjashtim nga TVSH i importit të makinerive bujqësore, me qëllim lehtësimin e mundësive për fermerët dhe nxitjen e tregut të brendshëm të importimit dhe tregtimit të tyre.
  4. Përjashtim nga TVSH në import dhe shitjet brenda vendit i inputeve bujqësore, si një masë që synon mbështetjen e bujqësisë.
  5. Përjashtim nga TVSH i shërbimeve veterinare, duke ulur cmimet e shërbimit të këtij sektori
  6. Tarifë e reduktuar 6% TVSH për shitjen e librit,
  7. Normë e reduktuar të TVSH-së  6% në 3 vitet e para dhe 10 % në vazhdim, për importimin e autobusëve elektrikë, të  destinuar për shoqëritë e licensuara të transportit publik, si nje masë  që do të synojë kufizimin e përdorimit të mjeteve ndotëse të ambientit.
  8. Ndryshim i skemës së TVSH-së për nën/kontraktorët në industrinë fason për eksport.

Në aspektin e përfitimit të financave publike, paketa parashikon masa dhe ndryshime të cilat synojnë të mbrojnë bazën e tatimit në Shqipëri dhe kufizimin e keqpërdorimit të tarifave të ulëta dhe taksave zero, si:

  • Biznesi i madh i regjistruar si i vogël me disa NIPT-e.
  • Individë me kontrata punësimi dhe paga në nivele të larta, që fiktivisht shnëdrohen në biznes i vogël për të përfituar taksën zero.
  • Të ardhurat dhe fitimet që lidhen me pasuritë e vendit, tatimi të paguhet në Shqipëri, pavarësisht statusit të përfituesit, duke implementuar në këtë mënyrë parimet ndërkombëtare të taksimit.
  • Mbrohen të drejtat fiskale të vendit duke detyruar pagimin e tatimit mbi fitimet kapitale të jorezidentëve.
  • Implementohen parimet e gjithpranuara ne kuadër ndërkombëtar në lidhje me klauzolën anti-abuzim me taksat dhe planifikimin agresiv tatimor, duke shmangur tatimet.