Postuar më: 10/09/2018

Nga 1 Janari 2019, kazinotë elektronike do të ndalohen në qendrat e banuara! Kemi rritur taksimin për Lojërat e Fatit

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Komisionin e Ekonomisë:

Faleminderit Kryetar,

Faleminderit dhe Komisionit për mundësinë që na dha për të rishprehur qëndrimin e qeverisë përsa i përket jo vetëm kthimit të ligjit, por dhe qëndrimin tonë përsa i përket lojërave të fatit në Republikën e Shqipërisë dhe një të vërtetë të domosdoshme për ta ndarë me qytetarët.

Është bërë rëndom trend që gjithkush, gjithë gjithologët, të ditur e të paditur, jashtë tryezave teknike apo politike, të gjykojnë për cdo gjë dhe kuptohet që, lojërat e fatit janë një nën/sektor sensitiv dhe gjithkush gjen mundësinë për të ndarë me publikun, në mënyrë populiste apo jo, emocionet e veta të ngjyrosura. Ajo që unë do të them këtu, e para është që qëndrimi i mazhorancës dhe qëndrimi i qeverisë është i prerë përsa i përket lojërave të fatit dhe do ta verifikoj më poshtë me fakte dhe me aksione.

Pikë së pari, në sqarim të opinionit publik, sepse ju jeni të mirë-informuar dhe unë e dëgjova me vëmendje relatoren, çfarë ka bërë qeveria. Për qytetarët dua të them që nuk ka asnjë ndryshim në ligjin e lojërave të fatit. Është propagandë. Nuk ka asnjë ndryshim. Ajo që kemi bërë në ndryshimet që bëmë në ligjin e të ardhurave lidhet me dy elementë; elementi i parë, kemi unifikuar standardin. Pra, për t’i sqaruar qytetarët dhe të gjithë gjithologët, praktikisht ajo që kemi bërë është mënyra se si definohet baza e taksimit në këto lojëra fati. Ka pasur një përjashtim, Llotarinë Kombëtare. Pra, të gjitha taksoheshin njëlloj, Llotaria Kombëtare taksohej ndryshe dhe të gjitha taksoheshin nga 15 %, Llotaria Kombëtare taksohej 10 %. Atëherë, çfarë bëmë ne si qeveri? Ne thamë: ne do të aplikojmë të njëjtin standard për këtë kompani që është bërë me ligj në kohën e Saliut si koncesion, si licencë dhe do i afrojmë të njëjtat standarde siç taksohen të gjitha kompanitë në Republikën e Shqipërisë.

Neni 52, i ligjit për lojërat e fatit, që nuk e prekëm fare, thotë: “të ardhurat bruto nga loja për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit tatohen me 15%, përveç rasteve të parashikuara ndryshe me ligj të veçantë”. Për qytetarët, cili është ligji i veçantë? Ligji i veçantë është Llotaria Kombëtare e bërë në kohën e Sali Berishës, ku Llotaria Kombëtare taksohej 10%. Pra, jemi duke folur për të njëjtin definicion që e marrim nga gjithë sektori, e aplikojmë vetëm për një një kompani që ishte trajtuar ndryshe dhe ia rrisim taksën nga 10 % në 15 %. Boloria e fjalëve “ia ulën taksën” është një gënjeshtër për t’u fshehur pas gishtit e atyre që e kanë bërë këtë propagandë.

Dhe, në të njëjtën kohë, neni 4 i ligjit që nuk ka ndryshuar, neni i ligjit të lojërave të fatit që nuk ka ndryshuar, pra një definicion i vendosur në vitin 2015, thotë: “të ardhurat bruto nga loja është shuma e mbetur e organizatorit nga diferenca mes shumës totale të luajtur nga lojtarët në lojërat e fatit dhe shumës së fituar prej tyre”. Çfarë bëmë ne? Jam shumë i lumtur që kemi mundësinë ta shpalosim para shqiptarëve, sepse ky komision është i mire-informuar dhe në një qëndrim shumë të shëndetshëm ndaj kësaj.

Ne themi “Tatimi mbi lojërat e fatit sipas nenit 52/2, kjo që i referohem, për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, aplikohet një shkallë 15 %. Pra jo më 10 %, por 15 %, pra e rritur taksa. Besoj që 7 x 7= 42, 10-ta nuk është më e madhe se sa 15-ta. Nuk besoj që ka ndonjë kupshtueshmëri andej që 15-ta është më e vogël se sa 10-ta!

Pra, shkallën 15 % mbi të ardhurat bruto nga loja, për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit, përfshirë Llotarinë Kombëtare të licencuar sipas ligjit nr 95/2013, para zgjedhjeve të vitit 2013. E ardhura bruto nga loja është shuma e mbetur e organizatorit nga diferenca mes shumës totale të luajtur nga lojtarët në lojërat e fatit dhe shumës së fituar prej tyre. E njëjta, për qytetarët, definicioni i ligjit të 2015 i imponuar pa asnjë diferencë në ligjin për të ardhurat. Kjo sqaron se çfarë qëndrimi ka kjo qeveri.

Përsa i përket dekretit, unë besoj që ata që kanë këshilluar Presidentin e kanë këshilluar gabim. Çfarë thotë Presidenti? “Për sa më sipër, thotë, nga shqyrtimi i ligjit 39/2018, konstatohet se vetëm një dispozitë e tij, më konkretisht neni 6 i ligjit, paraqet një problematikë të theksuar, pasi parashikimet e tij realizojnë uljen e barrës fiskale për bizneset që operojnë sot në të gjitha kategoritë e lojërave të fatit” – thotë Presidenti. Kjo gjë nuk është e vërtetë, përkundrazi. Pra, dikush që e ka këshilluar natyrshëm, e ka këshilluar gabim. E ka këshilluar me qëllim, e ka këshilluar pa dashje, për shkak të padijes, e kanë këshilluar teknikë, e kanë këshilluar politikanë, ky është një diskutim përtej kësaj tryeze.

Por, ajo që bën ligji është që rrit ngarkesën fiskale për atë kompani që ishte e përjashtuar nga definicioni standard dhe nga taksimi 15 %. Deri dje taksohej me 10%, kur ta aprovojmë do të taksohet 15%. E vetmja gjë që bëri dekreti është se shtyu taksimin me 15%, pra la dhe ca muaj një taksim 10%. Këtë bëri dekreti dhe ne, me rrëzimin e dekretit, do lejojmë hyrjen në fuqi të 15%, të taksimit të ri mbi këtë kompani.

Thënë këtë, ky është një moment shumë i mirë për të mbajtur qëndrim të drejtpërdrejtë mbi të gjithë këtë nënsektor. Këtu kam disa shifra, për ta ndarë një herë e mirë historinë e bolorisë së gjithologëve dhe gënjështrës politike se çfarë ka bërë njëra parti dhe çfarë ka bërë tjetra parti, ç’ka bërë njëra qeveri dhe çfarë ka bërë tjetra qeveri, dhe po jua them në retrospektivë.

Në vitin 2005 kanë qenë të ardhurat personale 23 % të lojtarëve dhe 20 % e ka lënë Fatos Nano. Sali Berisha e çoi 10 %, e përgjysmoi ngarkesën fiskalë për lojërat e fatit. Dhe u krijuan gati 40 kompani. Në kohën e Sali Berishës lulëzuan lojërat e fatit, nga 20 % u taksuan në 10 %. Kjo është e vërteta përtej debatit politik, sepse fusin dhe qytetarët në debatin politik me qëllim, një pjesë e bën dhe për të devijuar nga e vërteta. E vërteta është se Fatos Nano e ka lënë taksën mbi lojërat e fatit 20 %, Sali Berisha e bëri 10 %, ua hoqi gjysmën e ngarkesës lojërave të fatit dhe lulëzuan 40 kompani. 40 kompani u krijuan nën zhvillimin ekonomik të Sali Berishës për lojërat e fatit. Kjo është e vërteta për qytetarët. Në qoftë se doni t’i certifikoni këto shifra, jam i hapur të nxjerr letra zyrtare, ku të doni ju, në konferencë shtypi, në faqen e Ministrisë së Financave, në faqen e Kuvendit, në faqen e qeverisë, për të parë se cila është e vërteta për lojërat e fatit dhe për ta mbyllur këtë debat pa sens që bëhet në lidhje me taksimin.

Fatos Nano e ka lënë 20 %, Sali Berisha e bëri 10 %. U krijuan 40 kompani. Sa kompani janë sot? Sot janë 20 kompani. Nuk kemi dhënë asnjë licencë të re, përkundrazi, kemi mbyllur. E kam me qytetarët sepse këtu deputetët e dinë shumë mire. E vërteta, e verifikueshme, në kanale zyrtare, mediatike po të doni. Kemi përgjysmuar nga 40 në 20 kompanitë e lojërave të fatit.

Doni një shifër tjetër? Në vitin 2013 nga lojërat e fatit gjithsej mblidheshin 3,7 miliardë lekë. Do t’ju lutesha, edhe ju si anëtarë të Parlamentit, ta fiksojmë këtë shifër. Për ta thjeshtësuar, 37 milionë dollarë mblidheshin. Ditën që Sali Berisha ka lënë zyrën mblidhte 37 milionë dollarë nga lojërat e fatit. Sot mblidhen 5,466 miliardë lekë, që do të thotë 54 milionë dollarë. Janë më pak kompani se sa nga zhvillimi ekonomik i lojërave të fatit të Saliut dhe mblidhen gati 45 % më shumë, 1.8 miliardë lekë, gati 18 milionë dollarë më shumë se sa mblidhej në zhvillimin ekonomik të lojërave të fatit të Sali Berishës.

Kjo është e vërteta e lojërave të fatit dhe po ju tregoj dhe taksimin, se si ka ndryshuar taksimi. E para e mbi të gjitha, ne ushtrojmë 15 % tatim mbi lojën e fatit, me atë definicion të standardizuar tashmë; pastaj, 15 % për fituesin, për lojtarin; pastaj 15 % tatim fitimi koorporativ mbi kompaninë; pastaj 5 % për çështjet e mira. Pra, e kuptoni që ne këtë sektor e kemi trajtuar me shumë kujdes duke ia rritur ngarkesën fiskale dhe duke kufizuar dhe në ligj, e do vij tek ky moment.

Tani, po vijmë në një moment shumë interesant të zbatimit të ligjit, 1 janar 2019. Dua që ta deklaroj për qytetarët, sepse deputetët e dinë shumë mirë, e kemi diskutuar në vazhdimësi, nuk do të ketë shtyrje të ligjit përsa i përket largimit të kazinove elektronike nga qytetet. Në 1 janar, nuk do të ketë më në qytet kazino elektronike. Do të largohen nga qyteti dhe këtë vendim e ka marrë kjo mazhorancë, e ka marrë mazhoranca e Partisë Socialiste të Shqipërisë, qeveria e Partisë Socialiste të Shqipërisë, ajo e ka marrë këtë vendim. Në 1 janar, dua ta ndaj me qytetarët, me kompanitë dhe me ju, nuk do të ketë më kazino elektronike në qytete. Në bazë të ligjit, kazinotë elektronike do të largohen në zona ku me ligj do të lejohet ky aktivitet, që nuk ka lidhje me zonat e urbanizuara. Largohen nga qytetet. E dyta, në bazë po të definicionit të ligjit, do të ushtrohen klauzolat e rrallimit të zyrave të basteve, 1 në 100 metra, jo 1 në 10 m, 1 në 15 m, 1 në 30 m.

Çfarë sfide kemi me këtë sektor? Patjetër që kemi sfida të rëndësishme, të pa adresuara kurrë. Jua tregova zhvillimin ekonomik të lojërave të fatit në kohën e Sali Berishës: 40 kompani, gjysma e taksës, nga 20 % në 10 %, fushë me lule për ata që merreshin me lojëra fati. Tani rregullat janë të vendosura me maturi, me vendosmëri dhe sfidën e kemi t’i zbatojmë. Të gjitha agjencitë ligjzbatuese, këtu po flas qoftë për Njësinë e Monitorimit të Lojërave të Fatit, qoftë për Policinë e Shtetit apo institucione të tjera si Parandalimi i Pastrimit të Parasve, Krimi Ekonomik, të gjitha institucionet që merren me evazionin, me luftën kundër pastrimit të parave, me frenimin e këtyre fenomeneve, do të jenë të angazhuara për të zbatuar pikë për pikë ato klauzola të këtij ligji.

Pra, çfarë bëmë ne deri më sot? Ne nga ana proceduriale kemi filluar një fushatë pastrimi të zonave urbane që në 1 janar të 2019-ës bëhet realitet, me gjithë shtyrjen e disa viteve më parë. E dyta, unifikuam dhe rritëm taksimin. E treta, kemi reduktuar numrin e kompanive, nuk kemi dhënë asnjë leje. Të dashur qytetarë, asnjë leje nuk është dhënë që nga 2015-a. Asnjë leje që të jetë firmosur për lojërat e fatit. Zero. Nga 40 kanë shkuar 20 kompani. Nuk i kemi ripërtërirë as NIPT-et që për shkak të xhirove të tyre në rënie, në disa vende, t’ia ripërtërisnim në një vend tjetër. Jo, as këtë nuk e kemi bërë. E kemi ndaluar dhe këtë. Pra, një NIPT që “ngordh” ekonomikisht në Berat, nuk ripërtërihet në Tiranë. As këtë se kemi bërë. Pra, zero leje dhe kjo është një luftë e hapur. Po pse e kemi bërë këtë?

Lojërat e fatit, sic i referohet kryetari i Komisionit, u bënë gabim në ‘91-ishin, tani detyra është që t’i kufizojmë e reduktojmë. Do të ishte ideale që, që nga ajo ditë të kishim filluar komplet një përqasje të re me lojërat e fatit, por ja ku është momenti ku përballen dy botë dhe debati politik për lojërat e fatit këtu qartësohet. Unë shpresoj me qytetarët që sot të kemi qartësuar çfarë ka bërë një forcë politike dhe çfarë ka bërë një forcë tjetër politike, të vërtetat. Të vërteta me shifra, të vërteta me nene e me ligje, të vërteta me fakte e me qëndrime politike, nëse doni.

Unë besoj që me këto masa që po marrim, me atë regjim të ri që fillon në datën 1 janar të 2019, ne do të ndihmojmë gjithmonë e më shumë reduktimin e këtij fenomeni, edhe influencën negative sociale që ka tek shumë familje dhe të kemi mundësi që edhe nëpërmjet platformës së re teknologjike që është bërë për monitorimin e lojërave të fatit, ta monitorojmë më mirë sektorin dhe të mbledhim më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit.

Unë këtu po e mbyll. Dua të them që jemi duke bërë gjënë e duhur, kemi nevojë të bëjmë shumë më shumë kundër përhapjes së këtij fenomeni. Ato që po bëjmë, duke filluar me këto ndryshime dhe me ato procedura në 1 janar, shkojmë në kahun e duhur. Kemi nevojë të mbështetemi dhe nga qytetarët. Patjetër agjencitë ligjzbatuese kanë detyra shumë të rëndësishme kundër evazionit, kundër pastrimit të parave, kundër përhapjes së fenomenit, por kemi nevojë dhe që qytetarët të na mbështesin dhe ndihmojnë. E ndërkohë, largimi nga qendrat urbane, unë besoj personalisht, do ta reduktojë fenomenin si një problem shoqëror për shumë familje.

Faleminderit.