Postuar më: 31/01/2020

Miratohet projektligji mbi shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare

Në seancën e sotme plenare Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin mbi shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare, i cili i hap rrugë shkëmbimit të informacioneve mbi llogaritë “off shore” duke përfshirë bilancet e llogarive dhe ato të pronësisë.

Një nismë ligjore kjo e cila vjen si detyrim i Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, por edhe në luftë kundër evazionit fiskal dhe parandalimit të pastrimit të parave.

Gjatë fjalës së saj Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj.Anila Denaj, tha para deputetëve,  se  sistemi i këmbimit automatik të informacionit do të rrisë të ardhurat, do të evitojë shmangien dhe evazionin fiskal, do të ofrojë kontroll më të mirë të marrëveshjeve të taksimit të dyfishtë, verifikim të të ardhurave të tatimpaguesve, etj..

Në tërësinë e tij, ky projektligj jo vetëm përmirëson kuadrin rregullator në vend, por përafron legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Europian, plotëson pritshmëritë në kuadër të taksimit në rrugëtimin drejt integrimit dhe shtron rrugën për përfitime afatgjata në raport me transparencën dhe përpjekjet për një shtet të së drejtës dhe zbatim të plotë të rregullave ligjore.

Nëpërmjet këtij projektligji synohet të realizohet shkëmbim automatik i informacionit të llogarive financiare me vendet pjesëmarrëse në marrëveshje dhe ky sistem do të funksionojë në një transmetim sistematik, periodik të të dhënave të tatimpaguesve nga ana e vendeve në burim në vendqëndrimet.

 

 

———-

Fjala e plotë e ministres Denaj në seancën plenare mbi shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare:

 

I nderuar Kryetar i Seancës,

Të nderuar Deputetë,

Të nderuar Qytetarë,

 

Vendet nënshkruese, duke e ditur se evazioni tatimor mund të trajtohet efektivisht në nivel global janë angazhuar në marrëveshje për miratimin e një standardi të ri global, i cili vjen sot nëpërmjet këtij projektligji. Sipas këtij standardi një gamë e gjerë informacioni do të shkëmbehet mbi llogaritë “off shore”, duke përfshirë bilancet e llogarive dhe ato të pronësisë.

Sistemi i këmbimit automatik të informacionit do të rrisë të ardhurat, do të evitojë shmangien dhe evazionin fiskal, do të ofrojë kontroll më të mirë të marrëveshjeve të taksimit të dyfishtë, verifikim të të ardhurave të tatimpaguesve, etj..

Në tërësinë e tij, ky projektligj jo vetëm përmirëson kuadrin rregullator në vend, por përafron legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Europian, plotëson pritshmëritë në kuadër të taksimit në rrugëtimin drejt integrimit dhe shtron rrugën për përfitime afatgjata në raport me transparencën dhe përpjekjet për një shtet të së drejtës dhe zbatim të plotë të rregullave ligjore.

Nëpërmjet këtij projektligji synohet të realizohet shkëmbim automatik i informacionit të llogarive financiare me vendet pjesëmarrëse në marrëveshje dhe ky sistem do të funksionojë në një transmetim sistematik, periodik të të dhënave të tatimpaguesve nga ana e vendeve në burim në vendqëndrimet, në të cilën përfshihen:

  • shkëmbimi i informacionit të llogarive financiare,
  • institucionet financiare që duhet të raportojnë,
  • llojet e ndryshme të llogarive dhe tatimpaguesve,
  • si dhe procedurat e përbashkëta që duhet të ndjekin institucionet financiare.

Së bashku më partnerët tanë strategjikë, kemi një interes të përbashkët, rritjen e integritetit të sistemeve dhe atyre tatimore në veçanti. Në këtë funksion edhe Administrata Tatimore shqiptare bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme me institucionet e vendeve të tjera, si në rajon ashtu edhe në Bashkimin Europian kundër evazionit fiskal.

Qeveria shqiptare zbaton 41 marrëveshje të ratifikuara nga Kuvendi për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal.

Gjatë vitit 2019 miratuam marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë  dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), për aderimin e Republikës së Shqipërisë në kuadrin gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar mbi erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimit (BEPS)”.

Përmes miratimit të kësaj marrëveshjeje Qeveria Shqiptare siguroi një instrument për të adresuar shmangien e taksave dhe për të siguruar që fitimet të tatohen aty ku kryhen aktivitetet ekonomike që gjenerojnë fitimet dhe aty ku krijohet vlera.

 

Ju faleminderit,