Postuar më: 26/09/2019

Ministrja Denaj: Të rrisim bashkëpunimin mes MFE dhe Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë

“Propozime konkrete nga biznesi për zhvillimin ekonomik, nxitjen e punësimit dhe arsimin profesional”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, zhvilloi një takim me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, ku të pranishëm ishin drejtuesit e Dhomave në 12 qarqet e vendit si dhe kryetarja e Bashkimit të Dhomave, znj. Ines Mucostepa.

Gjatë këtij takimi u dakordësua për krijimin e një platforme komunikimi të strukturuar me Dhomat e Tregtisë, e cila do të konsistojë në takime periodike, me qëllim diskutimin dhe shkëmbimin e mendimeve apo propozimeve për çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik në sektorë të caktuar dhe në rajone të ndryshme të vendit, në nxitjen e punësimit dhe arsimit profesional, si dhe në potencialet për zhvillimin ekonomik në të ardhmen.

Ministrja Denaj vlerësoi si mjaft të rëndësishëm intensifikimin e komunikimin me Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, në mënyrë bashkëpunimi në të ardhmen të jetë më efikas.

“Zhvillimi ekonomik, nxitja e punësimit dhe arsimi profesional janë shtyllat kryesore për të cilat të krijojmë një platformë komunikimi, e cila të na sjellë propozime konkrete se si i shihni ju. Është e nevojshme që këtë komunikim ta instensifikojmë për të parë se si realiteti mund të jetë më afër politikave qeverisëse”, u shpreh znj. Denaj.

Projektligji i qeverisë për Fiskalizimin ishte një tjetër çështje e diskutuar në takim, ku Ministrja informoi mbi fazat në të cilat do të kalojë implementimi i reformës dhe objektivat e saj, reformë e cila lind edhe si nevojë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ministrja shprehu angazhimin që procesi i informimit mbi Fiskalizimin do të vijojë në të gjitha fazat e implementimit, në mënyrë që biznesi të jetë sa më qartë dhe i informuar për të.

Gjatë takimit u soll në vëmendje edhe solidarizimi me banorët, familjet dhe bizneset e prekura nga tërmeti i ndodhur pak ditë më parë. Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Durrës janë angazhuar për të dhënë kontributin e tyre për të dëmtuarit. Ministrja Denaj tha ky solidarizim mund të mos jetë vetëm në aspektin financiar, pasi Dhomat e Tregtisë mund të luajnë një rol edhe sa i marrjes së informacionit apo ankesave nga bizneset e dëmtuara, që më pas të shqyrtohen nga institucionet përkatëse.