Postuar më: 22/11/2019

Ministrja Denaj: Projektbuxheti 2020 mbështet me prioritet sigurinë kombëtare

Projektbuxheti 2020 mbështet me prioritet sektorin e sigurisë kombëtare.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, raportoi në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare mbi mbështetjen buxhetore që qeveria do të japë gjatë vitit të ardhshëm në përmbushje të objektivave madhorë të garantimit të sigurisë kombëtare, kryesisht për mbrojtjen dhe sigurinë e rendit publik; parandalimin dhe luftën ndaj krimit; si dhe përgjigjen në kohë dhe me eficiencë ndaj emergjencave civile për të garantuar të drejta dhe liritë kushtetuese të çdo qytetari shqiptar.

Ministrja bëri me dije se Projektbuxheti 2020 do të alokojë 3.2 miliardë lekë më shumë për Ministrinë e Mbrojtjes, në krahasim me buxhetin fillestar për vitin 2019, duke përmbushur kështu angazhimin e Qeverisë për të rritur buxhetin e mbrojtjes në 2% të PBB në vitin 2024.

“Dëshiroj të theksoj që me këtë angazhim kemi mbajtur premtimet e bëra për buxhetin, duke rezultuar në 1.39% të PBB për vitin 2020 nga 1.3% e PBB premtuar partnerëve ndërkombëtarë. Dhe po me këtë ritëm rritës vijon në vitin 2021 me 1.56% e PBB dhe në vitin 2022 me 1.74% e PBB”, u shpreh znj. Denaj.

Duke u ndalur në zërat e shpenzimeve, Ministrja përmendi:

Rritjen e fondeve buxhetore me  600 milionë lekë për vitin 2020, që shkojnë për të reflektuar efektin e rritjes së pagave të inicuar nga Qeveria gjatë vitit 2019;

1.6 miliardë lekë më shumë fonde për shpenzimet korrente në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019;

750 milionë lekë më shumë për shpenzimet kapitale në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, që përkthehen në projekte madhore të investimeve publike si pajisje dhe makineri për forcat e armatosura, ndërtime dhe rikonstruksione etj.

 

Në fushën e sigurisë dhe rendit publik, Ministrja theksoi faktin se vëmendje e veçantë i është kushtuar “Policisë së Shtetit”, ku përmes projektbuxhetit mbështeten nevojat e vazhdueshme për trajtimin e punonjësve të policisë përmes rritjes së buxhetit për shpenzimet e personelit me 889 milionë lekë më shumë krahasuar me buxhetin fillestar për vitin 2019.

Ministrja informoi se projektbuxheti mbështet Policinë e Shtetit për të finalizuar projektet e nisura gjatë vitit 2019, si dhe reflekton edhe finalizimin e projekteve të mëdha të parashikuara në po këtë vit, sikurse është projekti i rikonstruksionit të Repartit Renea me vlerë të plotë rreth 780 milionë lekë si dhe projekti i blerjeve armatimeve dhe pajisjeve speciale me një vlerë të konsiderueshme në vitin 2019.

Në kuadër të mbrojtjes ndaj risqeve potenciale të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, vlen të përmendet dhe mbështetja e Shërbimit Informativ Shtetëror me një fond total prej 250 milionë lekë më shumë, krahasuar me aktin normativ për vitin 2019, fond i cili reflekton riorganizimin strukturor dhe atë të lidhur me sistemin e pagave për këtë shërbim.

Lidhur me emergjencat civile, Ministrja sqaroi se projektbuxheti 2020 i alokuar për këtë program  mbetet në të njëjtat nivele si ato të planifikuara dhe një vit më parë dhe u shpreh se janë planifikuar fonde të mjaftueshme për emergjencat civile në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Fondin Rezervë të Buxhetit të Shtetit për të menaxhuar çdo rast të mundshëm fatkeqësie gjatë vitit të ardhshëm buxhetor.

Në zbatim të ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, duhet të krijohet fondi i dedikuar për mbrojtjen civile për çdo institucion qendror dhe vendor.  Si rrjedhojë, ministritë dhe institucionet qendrore duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e duhura në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive që i përcakton ligji.

Ministrja Denaj u shpreh se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e gatshme të mbështesë të gjithë institucionet, që brenda buxhetit të tyre të prioritarizojnë fondet buxhetore, në varësi të materializimit të risqeve të fatkeqësive.