Postuar më: 08/11/2019

Ministrja Denaj prezanton në Konferencën e Kryetarëve Projektbuxhetin 2020

Projektbuxheti 2020  dhe ai afatmesëm 2020-2022, bazohen në  një kuadër makroekonomik të kujdesshëm  dhe realist, Gjatë prezantimit të këtij projektbuxheti në Konferencën e Kryetarëve, në Kuvend,  Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u shpreh,  se projektbuxheti i vitit 2020 do të mbështesë reformat e ndërmarra nga qeveria që promovojnë rritjen ekonomike, punësimin, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarit dhe procesin e integrimit.

Sipas saj, rritja ekonomike e parashikuar 4.1% do të përkthehet në më shumë punësim, ku synohet krijimi i rreth 35 mijë vendeve të reja pune, si dhe një ulje e mëtejshme e shkallës së të papunësisë poshtë nivelit 11%.

Investimet publike janë planifikuar në nivelin e 4.7% të Produktit të Brendshëm Bruto ose rreth 84 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 4% kundrejt të pritshmit të këtij viti.

“Sigurimi i një niveli të lartë të investimeve publike prej 4.7% e Produktit të Brendshëm Bruto, do të jetë mbështetës për rritjen ekonomike dhe punësimin”, deklaroi Denaj.

Të ardhurat totale për vitin 2020 parashikohen 502.6 miliardë lekë me një rritje prej 6.2% mbi të ardhurat e pritshme të vitit 2019 ose rreth 29.2 miliard më shumë.

Shpenzimet buxhetore të programuara për vitin 2020 janë rreth 532 miliardë lekë ose rreth 29.7% e PBB-së. Ato rriten me rreth 5.1% krahasuar me të pritshmin e vitit 2019.

Sektorët  që do të kenë dhe mbështetjen më të madhe  janë  arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, të cilat janë të rëndësishme për të stimuluar rritjen potenciale të ekonomisë.

Deficiti i këtij viti, apo huamarrja vjetore neto targetohet në vetëm 1.6% të PBB, balanca korente fiskale për këtë vit programohet gjithashtu ndër nivelet më të larta të dy dekadave të fundit prej +3.1% të PBB.

————————————————————————-

BUXHETI 2020

Fjala e Ministres në Konferencën e Kryetarëve

I nderuar Kryetar i Kuvendit, të nderuar Kryetarë të Grupeve Parlamentare dhe të Komisioneve të Kuvendit,

Projektbuxheti 2020, që ju është vënë në dispozicion për shqyrtim, vijon të mbështesë reforma të rëndësishme të ndërmarra që promovojnë rritjen ekonomike, punësimin, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarit dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Projektbuxheti 2020 dhe ai afatmesëm 2020 – 2022, bazohen në një kuadër makroekonomik të kujdesshëm dhe realist. Politika makro-fiskale do të vijojë të orientohet drejt konsolidimit fiskal për të vijuar trajektoren rënëse të borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, premisë thelbësore kjo për të siguruar:

  • një rritje të lartë e të qëndrueshme të ekonomisë,
  • rritje gjithpërfshirëse të punësimit dhe
  • konvergim të nivelit të të ardhurave drejt niveleve të synuara.

Rritja ekonomike parashikohet të jetë në nivelin 4.1% në vitin 2020 dhe 4.5% pёrgjatё viteve 2021-2022. Premisat më kryesore mbi të cilat mbështetet ky parashikim janë themelet kryesore ekonomike të cilat kanë vijuar të përmirësohen, si:

  • përmirësimi i vijueshëm i tregut i punës,
  • perceptimi pozitiv i aktorëve ekonomikë për të ardhmen e ekonomisë,
  • konsolidimi fiskal dhe qëndrueshmëria e financave publike,
  • stabiliteti financiar dhe rritja e kreditimit të sektorit privat, si dhe
  • qëndrueshmëria e pozicionit të jashtëm të ekonomisë.

Nga pikëpamja e kërkesës agregate pritet që rritja për periudhën afatmesme në vijim të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet. Edhe kërkesa e huaj neto parashikohet të japë një kontribut pozitiv, ndonëse në nivele më të moderuara se kontributi që do vijë nga kërkesa e brendshme.

Njëkohësisht, edhe objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 4.5% e Produktit të Brendshëm Bruto, do të jetë suportues për rritjen ekonomike dhe punësimin.

Rritja mbi 4% e parashikuar për vitin 2020 do të përkthehet në më shumë punësim ku synohet krijimi i rreth 35 mijë vendeve të reja pune, si dhe një ulje e mëtejshme e shkallës së  papunësisë poshtë nivelit aktual 11%.

Defiçiti buxhetor për vitin 2020 parashikohet të jetë në nivelin 1.6% të Produktit të Brendshëm Bruto. Ky përbën nivelin më të ulët të targetuar në dy dekadat e fundit.

Për të pestin vit rradhazi balanca primare parashikohet të jetë pozitive në nivelin 0.7% duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse. Në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB, për të zbritur poshtë 60% të PBB në 2021 dhe më tej në një trajektore rënëse me 57% në vitin 2022.

Më lejoni t’ju prezantoj shkurtimisht logjikën mbi të cilën janë bazuar pritshmëritë tona për rritjen ekonomike dhe vijueshmërinë e konsolidimit fiskal:

Ekonomia ka vijuar të regjistrojë rritje pozitive pёrgjatë gjysmës së parë të vitit 2019, përtej ngadalësimit të cilin disa herë e kemi argumentuar në disa tryeza dhe në Parlament. Shumë sektorë të ekonomisë kanë vijuar të kenë një rritje të konsiderueshme dhe këto janë elementë bazë të cilët mbështesin ekonominë në vijueshmëri.

Në anën e kërkesës agregate, rritja në gjysmën e parë të vitit 2019 është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, specifikisht nga konsumi, si dhe nё njё farё mase edhe nga eksportet neto tё shёrbimeve, të cilat reflektojnë një performancw mjaft të mirë të turizmit edhe gjatë këtij viti.

Në gjysmën e parë të vitit 2019 konsumi final regjistroi një rritje reale prej 2.7%, duke vijuar të njëjtin trend pozitiv të periudhave të mëparshme. Pavarësisht rritjes së lartë prej mё shumё se 10% të Investimve të Huaja Direkte në gjysmën e parë të vitit krahasuar me vitin parardhës, formimi i kapitalit fiks bruto (investimet totale) regjistroi një rritje më të moderuar për gjysmën e parë, duke reflektuar kryesisht zhvillimet me projektin TAP i cili është në fazën përfundimtare të ndërtimit të tij.

Në anën e ofertës agregate, kontributi pozitiv i atribuohet pak a shumë të gjithë sektorëve, ku kryesori është ai i shërbimeve, vecanërisht Tregtia, Hoteleria dhe Trasporti në reflektim edhe të performancës së Turizmit, duke ndjekur më pas edhe ritmin e rritjes së  sektorit të bujqësisë dhe atij të industrisë.

Indeksi tremujor i ndjeshmërisë ekonomike, ka ndjekur përgjithësisht një trend pozitiv gjatë tre tremujorëve të këtij viti kundrejt fund-vitit të kaluar dhe qëndron konsiderueshёm mbi mesataren afatgjatë të tij.

Aktorët ekonomik mbeten në tërësi optimist për të ardhmen, premisë mjaft e rëndësishme kjo për një sjellje dhe vendimarrje aktive për të investuar dhe konsumuar.

  • Stabiliteti financiar dhe përshpejtimi i kreditimit të ekonomisë.

Qëndrueshmëria e sektorit financiar, në terma të kapitalizimit, likuiditetit dhe përfitueshmёrisё  vazhdon të mbetet një fondament tjetër i fortë dhe vijueshmёria e tij një element i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik.

  • Pozicioni i jashtëm i ekonomisë dhe bilanci i pagesave mbetet mjaft i qëndrueshëm. Ka pasur një zgjerim të defiçitit të llogarisë korente për gjysmën e parë të këtij viti, duke reflektuar kryesisht importe më të larta të mallrave dhe një tkurrje të eksporteve, ku sërish energjia elektrike ka patur impaktin mё tё madh si tek importet ashtu edhe eksportet krahasuar me njё vit mё parё.

Megjithatë, nga ana tjetër thellimi i defiçit tregtar gjatë gjysmës së parë të vitit është kompensuar në një masë të konsiderueshme nga rritja e sufiçitit të balancës së shërbimeve, ku reflektohet kryesisht performanca mjaft e mirë e shërbimeve të turizmit edhe gjatë këtij viti.

Në të njëjtën kohë, sufiçiti i llogarisë financiare dhe kapitale u zgjerua me më shumë se dyfishin e zgjerimit të defiçitit të llogarisë korente, kryesisht si pasojё e flukseve të larta të IHD-ve, të cilat gjatë gjysmës së parë shënuan një rritje prej mbi 10% kundrejt vitit 2018.

Për rrjedhojë, bilanci i përgjithshëm i pagesave dhe pozicioni i jashtëm i ekonomisë mbetet mjaft i qëndrueshëm, ku stoku i akumuluar i revezervave valutore qëndron në nivelet ekuivalente me mbi 6 muaj import mallrash e shërbimesh.

  • Qëndrueshmëria e financave publike dhe vijimi i konsolidimit fiskal është në vëmendje.

Së pari, konsolidimi fiskal ka dhënë efektet e tij edhe për vitin 2019, ku pritshmëria e deficitit buxhetor mbetet nën 2% nga 5% të PBB-së në vitin 2015. Niveli i defiçitit buxhetor prej 1.6% e PBB i targetuar për vitin 2020, është niveli më i ulët i targetuar më parë.

Së dyti, ky konsolidim fiskal është materializuar në një trajektore qartësisht rënëse të borxhit publik ndaj PBB. Në vitet e fundit borxhi publik neto është reduktuar nga niveli më i lartë prej 71.9% të PBB i regjistruar në vitin 2015 në rreth 64% i pritshëm për vitin 2019.

Rezultatet paraprake fiskale deri në Shtator-2019 tregojnë se realizimi i përgjithshëm i buxhetit mbetet plotësisht në përputhje me objektivat dhe parametrat kryesorë fiskalë.

Ka pasur një mungesë të të ardhurave prej rreth 2.2% në krahasim me planin e periudhёs, sidoqoftë, një mungesë e tillë e të ardhurave është absolutisht e absorbuar dhe e amortizuar nga hapёsira të krijuara që në buxhetin fillestar. Rritja e të ardhurave nga një vit në tjetrin është në nivelin e 3.4%.

Arritja e plotë e objektivave kryesore fiskalë mbetet mjaft e sigurtë.

Rrjedhimisht, bazuar në gjithë sa më sipër, vlerësojmë se ekzsitojnë të gjitha premisat për një rritje ekonomike në fashën e 4 përqindëshit, si në vitin 2020, të marrë në konsideratë në këtë buxhet, ashtu edhe për periudhën afatmesme në vijim.

E vendosur në një perspektivë rajonale, rezulton se rritja ekonomike e Shqipёrisё ka ndjekur njё trajektore rritёse tё qёndrueshme qё prej vitit 2013, duke e tejkaluar mesataren e rajonit nё tre vitet e fundit.

Parashikimi i të ardhurave për buxhetin e 2020, së pari, bazohet në një vlerësim realist për rezultatin e pritshëm për vitin 2019.

Të ardhurat totale të buxhetit të shtetit në fund të vitit 2019, pritet të jenë rreth 474 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2018, rritja rezulton me +5.3%, ose 24 miliardë lekë më shumë. Totali i të ardhurave të pritshme në raport me PBB-në në fund të këtij viti rezulton 27.8%,  nga 27.6 % që ishte në vitin  2018.

Rritja me +0.2 pikë përqindje ndaj PBB-së e të gjithë të   ardhurave të buxhetit të shtetit, është tregues i përmirësimit në mbledhjen e të ardhurave dhe luftës ndaj informalitetit, edhe pse këtu ka ende shumë punë për të bërë.

Së dyti, parashikimi i të ardhurave për 2020, përvec zgjerimit natyral nga rritja e ekonomisë, faktorizon edhe përmirësimin e administrimit fiskal nëpërmjet implementimit të projektit të fiskalizimit, dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi si një objektiv kryesor të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Të ardhurat totale për vitin 2020 parashikohen me një rritje prej 6.2% mbi të ardhurat e pritshme të vitit 2019 ose 29.2 miliard më shumë.

Të ardhurat tatimore që mblidhen nga administrata tatimore dhe ajo doganore  në vitin 2020 programohet të jenë  rreth 334 miliard lekë, me rritje +6,4 % ose rreth 20 miliard lekë krahasuar me të pritshmin e vitit 2019.

Të ardhurat nga fondet speciale parashikohen të jenë 104 miliard lekë, 4.6% më shumë se i Pritshmi 2019 ose 4,7 miliard lekë më shumë.

Të adhurat e qeverisë vendore parashikohen në rreth 27 miliard lekë, ose me një ritëm rritje prej  5% kundrejt të pritshmit 2019. Edhe këtë vit, këto të ardhura kanë treguar një ritëm pozitiv të rritjes së tyre.

Të adhurat jo-tatimore parashikohen në rreth 21.5 miliardë lekë ose rreth 5.7% më shumë se i pritshmi i vitit 2019.

Në parashikimin e të ardhurave janë faktorizuar në mënyrë të ndërlidhur  variablat makroekonomikë me faktorët kryesorë që ndikojnë në taksa specifike. Elementët kryesorë që janë faktorizuar në parashikimin e të ardhurave janë:

  • Rritja nominale të Produktit të Brendshëm Bruto, duke analizuar këtë efekt në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike, si dhe me projeksionet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare me impakt tek taksat si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Renta minerare dhe Taksa doganore.
  • Kursi i pritshëm i këmbimit;
  • Sasitë e pritshme të importit të mallrave në përgjithësi, dhe atyre me regjim akcize në vecanti
  • Si dhe programimi i fondeve të nevojshme për rimbursimin e tatimpaguesve, me qëllim uljen e stokut në fund të vitit 2020 me rreth 67 % krahasuar me stokun e pritshëm në fundin e vitit 2019.

Për vitin 2020 nuk janë parashikuar ndryshime themelore fiskale. Prioritet do jetë zbatimi dhe matja e efekteve të politikave fiskale të miratuara ne 2-3 vitet e fundit, me qëllim konsolidimin e sistemit tatimor.

Ndryshimi kryesor ka të bëjë me ligjin e fiskalizimit, i cili pritet të ndikojë në transparencën dhe kontrollin e transaksioneve tregtare, nga ku gjenerohen  detyrimet tatimore. Marrja në kohë reale e transaksioneve biznes-konsumator si dhe me pas e atyre biznes-biznes nëpërmjet përdorimit të faturës elektronike, synon që brenda një periudhe 2-3 vjecare, të rrisë parametrat e TVSH-së së brendshme nga 8,8 % e PBB-së, në  9,1 % të saj.

Gjithashtu, përmes ndryshimeve të bëra në legjislacionin fiskal synohet të ofrohen lehtësira fiskale edhe për sektorë në zhvillim të ekonomisë si ai i  automobilëve për të mundësuar tërheqjen e investimeve të huaja në këtë sektor, por dhe incentive të tjera në aspektin social siç është edukimi dhe sporti.

Shpenzimet buxhetore të programuara për vitin 2020 janë rreth 532 miliardë lekë ose 29.7% e Produktit të Brendshëm Bruto. Ato rriten me rreth 5.1% krahasur me të pritshmin e vitit 2019.

Shpenzimet Buxhetore për vitin 2020 do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, të cilat janë të rëndësishme për të stimuluar rritjen potenciale të ekonomisë.

Sektoret Prioritare

Sa i takon arsimit ky sektor prioritar do të marrë 3.3 miliardë lekë më shumë se buxheti i vitit 2019. Buxheti për Ministrinë e Arsimit është rritur me +9%. Në këtë sektor do të financohet me përparësi:

  • Arsimi i lartë duke rritur më shumë se dyfish investimet për arsimin nga 340.5 milionë në vitin 2019 me mesatarisht 750 milionë lekë në vit, përgjatë 2020 – 2022. Me këtë buxhet garantohet mbështetje e vazhdueshme për studentët në kuadrin e Paktit për Universitetin;
  • Ofrimin e teksteve shkollore falas për rreth 230-250 mijë nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë me një efekt prej 500 milionë lekë në vit;
  • Për 1300-1400 nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë do të garantohet trajtimi me kuotë ushqimore;

Shëndetësia, do të rritet në vitin 2020 me 2.75 miliardë lekë krahasuar me buxhetin e vitit 2019. Buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë është rritur me +5%.. Ky buxhet do të mbështesë:

  • Rikonstruksionin e 120 Qendra shëndetësore për vitin 2020, me një vlerë prej 350 milionë lekë. Këto qendra do të mobilohen dhe pajisen me pajisje mjekësore me një vlerë prej 64 milionë lekë për vitin 2020 dhe 30 milionë lekë për vitin 2021.
  • 1000 pacientë më shumë çdo vit, përgjatë 2020-2022 që përfitojnë nga skema e rimbursimit të ilaçeve.

Bujqësia, do të rritet në vitin 2020 me 1.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me buxhetin e vitit 2019, ose rreth 12% buxhet i shtuar.  Në fushën e bujqësisë përgjatë periudhës 2020-2022 synohet rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore dhe blegtorale, përmirësimi i standardeve dhe garantimi i sigurisë ushqimore, si dhe zhvillimi i zonave rurale për një zhvillim bujqësor dhe rural të qëndrueshëm përmes nxitjes së shumëllojshmërisë së veprimtarive ekonomike në zonat rurale.

Shpenzimet kapitale (shpenzimet për investime publike) programohen më një rritje prej rreth 4% krahasuar me të pritshmin e këtij viti ose 4.7% në raport me PBB. Ndërkohë që deficiti i këtij viti (apo huamarrja vjetore neto) targetohet me vetëm 1.6% të PBB, balanca korente fiskale për këtë vit programohet gjithashtu ndër nivelet më të larta të dy dekadave të fundit prej +3.1% të PBB.

Thënë ndryshe, në buxhetin e vitit 2020 për cdo 100 Lek të marra borxh programohen 286 Lekë investime publike, raport i cili vijon të ketë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me mesataren e këtij treguesi për periudhën 2014-2019, ku për cdo 100 lek të marra borxh janë shpenzuar për investime publike 193 Lekë.

Në Infrastrukturën Rrugore, për periudhën 2020-2022 synohet:

  • Kompletimi i akseve rrugore nacionale si: Rruga e Arbrit; Milot – Balldren; dhe Orikum – Dukat brenda vitit 2022
  • Kompletimi i pjesës dërrmuese të segmenteve rrugore në vazhdim me Financim të Brendshëm brenda vitit 2022, si: Kardhiq – Delvinë, Elbasan – Banjë, By – Pass Shkodër, By – Pass Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës;
  • Kompletimi i segmenteve rrugorë brenda 2021 me financim të huaj si: By Pass i Fierit, By Pass i Vlorës, Qukës – Qafë Plloçë;
  • Ulja e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jetë njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 25%,

Gjithashtu, në kuadër të zotimeve të marra edhe me partnerët tanë euro-atlantik, në Fushën e sigurisë kombëtare, rrisim buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes me rreth 2.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me buxhetin e vitit 2019, për të garantuar objektivin e qeverisë që Buxheti i Mbrojtjes të jetë 2% e PBB në vitin 2024, angazhim ky, i marrë në kuadër të anëtarësisë sonë në NATO.

Ky buxhet gjithashtu plotëson të gjitha nevojat financiare të të gjitha institucioneve të reja, të krijuara nga paketa e Reformës së Drejtësisë si, KLP, KLGJ, Byroja e Hetimit dhe SPAK-u, duke përfshirë këtu edhe burimet e nevojshme financiare për pagat e rritura të magjistratëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore. Këto janë adresuar gjerësisht në projekt- buxhetin e këtij viti me shtesa në buxhet në mënyrë të konsiderueshme dhe sigurisht kjo do të vijojë edhe në vitin pasardhës duke akomoduar plotësisht financimi për reformën në drejtësi.

Shpenzimet e Personelit janë të programuara në masën 83.5 miliardë lekë për 2020, ku përveç financimit të plotë të kostos aktuale të Administratës Publike Qendrore,  faktorizohen gjithashtu edhe efektet e plota të politikës së rritjes së pagave për sektorin e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes, sistemit penitenciar dhe punonjësit e përfaqësive diplomatike të cilat u efektuan në 1 Prill të vitit korent.

Shpenzimet Operative dhe Mirëmbajtjes programohen në vlerën 50 miliardë lekë, duke prioritizuar: mbështetjen e skemës së fermerëve, mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit në administratën publike si dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 40.9 miliardë lekë ose 2.3%  të PBB, të cilat përfshijnë kontigjenca të mjaftueshme për të përballuar edhe nëse do të kishte një rritje të normave të interesit nga 1 deri në 2 pikë përqindje mbi nivelin aktual, edhe pse kjo nuk është e pritshme nga ne.

Subvencionet programohen në rreth 1.3 miliardë lekë. Këtu është faktorizuar ri-alokimi i një pjese të mirë të subvencionit të parashikuar për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizime tek investimet publike për rehabilitimin dhe ndërtimin e rrjeteve të ujesjellës-kanalizimeve, në kuadër të përshpejtimit të Reformës së ndërmarrë nga Qeveria në këtë sektor.

Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondin e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 188.6 miliardë lekë për vitin 2020.

Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2020 parashikohet në vlerën e  137.5 miliardë lekë ose 7.7% e PBB, raport thuajse i njëjtë me vitin 2019, nga e cila për indeksimin e pensioneve është parashikuar një fond prej 2.52 miliardë lekë.

Duhet theksuar se kjo skemë i rëndon tashmë më pak buxhetit të shtetit, krahasuar me 5-6 vite më parë si rezultat i rritjes së kontributeve dhe kryesisht i uljes së nivelit te informalitetit në tregun e punës dhe së dyti rritjes së nivelit të punësimit në cdo sektor.

Në skemën e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2020 janë parashikuar në rreth 44 miliardë lekë ose 2.5% e PBB nga rreth 42 miliardë lekë të parashikuara në fund të vitit 2019.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total rreth 4,5 miliardë lekë nga rreth 1.9 miliardë lekë që ky fond ishte në vitin 2013 dhe është planifikuar në rritje nga vit në vit duke akulmuar në vitin 2022 me 5.5 miliardë lekë.

Rritja e fondit të kompensimit në vlerë të pronarëve bëhet në mbështetje të reformës së ndërmarrë nga qeveria për trajtimin e ish-pronarëve pjesë e së cilës është kompensimi në vlerë për t’u realizuar brenda periudhës 10-vjeçare, të parashikuar dhe në ligjin nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”.

Shpenzime të tjera sociale janë programuar në masën 24.6 miliardë lekë, që përfshijnë:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë në nivelin 600 milionë lekë.
  • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar në nivelin 21 miliardë lekë.
  • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard.
  • Për bonusin e lindjeve sërish është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë. Edhe në këtë vit, nga kjo politikë pritet të përfitojnë rreth 30 mijë familjë gjatë 2020.

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2020, planifikohet në masën 1.7 miliardë lekë, përkatësisht 1.4 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 300 milionë lekë fond kontigjence për financimin e reformës në sistemin e drejtësisë.

Investimet Publike për vitin 2020 janë planifikuar në nivelin e 4.7% të Produktit të Brendshëm Bruto ose rreth 84 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 4% kundrejt të pritshmit të këtij viti.

Në planifikimin e investimeve për vitin 2020 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet dhe investimet me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu, si edhe në vitin 2019, dhe në vitin 2020 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim, duke synuar mbylljen e tyre brenda vitit 2021.

Buxheti i pushtetit vendor për vitin 2020 është programuar në rreth 57 miliard lekë, rreth 11.2 përqind më i lartë se ai i 2019-ës ose rreth 5.7 miliardë lekë më shumë fonde për shërbime dhe investime publike vendore. Në raport me PBB ky buxhet është rreth 3.2%.

Rritja e burimeve të buxhetit vendor në vitin 2020, krijon më shumë hapësira për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët (për funksionet ekzistuese dhe ato të reja të tranferuara me reformën administrativo territoriale) dhe njëkohësisht për uljen e stokut të detyrimeve të prapambetura të trashëguara nga ndarja e vjetër administrativo territoriale.

Fokusi kryesor në buxhetin vendor të vitit 2020, për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë do të jetë konsolidimi i procesit të menaxhimit financiar në nivel vendor në funksion të vazhdimit të zbatimit të reformës administrativo territoriale dhe decentralizimit fiskal të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Gjithashtu, përmes buxhetit të vitit 2020, do të vazhdojë mbështetja financiare për reformën në arsimin parashkollor me synim vendosjen e një skeme financimi të përshtatshme dhe efektive që synon përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve.

Duke e mbyllur, dëshiroj t’ju ri-sjell në vëmendje objektivat madhorë që synon të realizojë qeveria nëpërmjet projektbuxhetit 2020, sikurse është konsolidimi fiskal, si dhe forcimi e rritjes ekonomike të vendit.

Faleminderit për vëmendjen!