Postuar më: 28/02/2020

Ministrja Denaj në Takimet e Konstituencës të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, morën pjesë në Mbledhjen e Konstituencës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të  Bankës Botërore (BB), në Athinë, Greqi.

Dy institucionet financiare ndërkombëtare, FMN dhe BB paraqitën në këtë takim prioritetet strategjike dhe tendencat ekonomike për gjashtë vendet e kësaj konstituence. Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutuan zhvillimet e ekonomisë globale dhe ekonomive rajonale, kryesisht të përqendruara në normat e ulëta të interesave dhe nivelit të borxhit publik. Diskutimet e mëtejshme në takim u përqendruan në ekonominë digjitale dhe avancimin e praktikave që sjellin zhvillim të sektorëve të lidhura me të.

Ministrja Denaj, gjatë takimeve, prezantoi situatën ekonomike të Shqipërisë dhe perspektivën e Qeverisë në nivel kombëtar dhe rajonal.

Ministrja theksoi se ruajtja e parametrave makroekonomikë dhe ecuria e konsolidimit fiskal mbeten prioritare në rolin e Ministres së Financave dhe Guvernatores për Shqipërinë pranë Bankës Botërore dhe FMN. Znj. Denaj vlerësoi pozitivisht ecurinë e parametrave makro-fiskalë, duke vlerësuar reduktimin e borxhit, ruajtjen e balancës primare pozitive dhe zbatimin e suksesshëm të reformës së menaxhimit të financave publike, si parakushte të qëndrueshmërisë së një ekomomie në zgjerim të vazhdueshëm.

Ajo falënderoi partnerët për mbështetjen në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe kapërcimin e sfidës së Rindërtimit.

Ministrja Denaj dhe Guvernatori Sejko zhvilluan takime me Z. Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv i Bankës Botërore dhe z. Domenico Fanizza, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku diskutuan zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri dhe rajon, si dhe reformat e ndërmarra për të përballuar sfidat që po kalon ekonomia globale.

Ministrja Denaj ka takuar gjatë ditës edhe Ministrin e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Greqisë, të cilët janë organizatorët e kësaj mbledhjeje vjetore.

***

Shqipëria është anëtare e Fondit  Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej vitit 1991 dhe  bën  pjesë  në të njëjtën konstituencë me Greqinë, Italinë, Maltën, Portugalinë, Timorin Lindor dhe San Marinon. Në takimet e konstituencës marrin pjesë çdo vit Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve anëtare të këtij grupi.