Postuar më: 13/08/2020

Ministrja Denaj në Berat: Rikombinim i skemave incentivuese për zhvillimin e biznesit

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, në kuadër të komunikimeve të drejtpërdrejtë me biznesin, zhvilloi një vizitë në kompaninë e prodhimit të këpucëve “MiTo by Caterina Firenze”, në Berat.

Një biznes i transformuar tashmë nga fason në prodhim, me një kapacitet rreth 3,000 palë këpucë në ditë dhe 450 punonjës.

 

Gjatë kësaj vizite, Ministrja theksoi faktin, se pika e fortë e kësaj kompanie është mbyllja e gjithë procesit të përpunimit dhe krijimi i modeleve në bazë të kërkesave të tregut ndërkombëtar dhe atij vendas.

 

” Sigurisht që fasonët kanë pasur dhe goditjen më të madhe kur vjen puna tek aktiviteti, por jo të gjithë e kanë ndjerë njësoj. Ju jeni një nga ata të cilët e kanë kthyer në një linjë prodhimi dhe jo thjeshtë plotësim të një nevoje të një elementi”, vlerësoi Denaj.

Ministrja e informoi sipërmarrësin mbi skemën e ndihmës ekonomike, siç ishte Garancia Sovrane në ndihmë të biznesit.

” Po të shkojmë drejt prodhimit dhe e-commerce besoj që do ja dalim edhe në këtë fazë. Që të shkojmë drejt asaj do të duhen kapitale, incentiva dhe besojmë që jo vetëm garancitë, por edhe skema të tjera mund të diskutohen me përfaqësuesit e industrisë tuaj. Mbi të gjitha, ne duhet të ndryshojmë mënyrën e të bërit fason”, u shpreh ministrja Denaj.

 

Ajo shtoi, se kombinimi i granteve me garancinë është një skemë, e cila po funksionon. Kjo do të bënte, sipas saj, që industria të jetë më autonome.”Mund të shohim edhe grupimet, sesi skemat të shkojnë për një produkt, i cili rrit dhe cilësinë dhe automatizimin. Për këtë edhe grantet dhe garancitë e kombinuara sigurisht që do të bënin sens dhe markën “Made in Albania” ta kemi në Shqipëri dhe jo vetëm në Azinë e largët”, tha Denaj.

 

Në këtë kohë të vështirë pandemie biznesi është mbështetur nga qeveria shqiptare nëpërmjet skemave të Garancisë Sovrane 1 dhe 2 për të siguruar vijueshmërinë e aktivitetit. Deri në datë 10 gusht për Garancinë Sovrane 2 kanë aplikuar 275 biznese, për një vlerë kreditimi rreth 10.5 miliardë lekë.