Postuar më: 01/10/2019

Mbështetje për negociatat, ratifikohet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për bashkëpunim teknik

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2018 për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE në sektorin ekonomik”

Në emër të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, projektligji u prezantua për deputetët nga Zv.Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Belinda Ikonomi.

Zv.Ministrja Ekonomi tha se integrimi Europian është një moment kyç për Shqipërinë dhe se ky procesi është edhe një çështje teknike. Në këtë kuadër, theksoi znj. Ikonomi, futja e koncepteve te reja është një element i rëndësishëm dhe administrata shqiptare ka nevojë në procesin e integrimit.

Marrëveshja në fjalë është propozuar nga pala gjermane, duke synuar forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe me qëllim për të kontribuar në zhvillimin social dhe ekonomik në Shqipëri.

Objektivi kryesor i zbatimit të këtij projekti është forcimi i kompetencave për zhvillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, me fokus në disa kapituj të caktuar të legjislacionit të BE-së, që i përkasin sektorit ekonomik. Për arritjen e këtij objektivi dhe brenda këtij fokusi, pritet që projekti të japë rezultate në tri fusha komplementare veprimi:

  1. Zhvillimi i kapaciteteve dhe i metodologjive: në këtë fushë projekti pritet të japë mbështetje për pajisjen e anëtarëve të grupeve ndërinstitucionale të punës për disa kapituj të caktuar me instrumente pune, si edhe njohuri e aftësi të nevojshme për zhvillimin e negociatave.
  2. Parapërgatitje për të adresuar kushtet potenciale për hapjen/mbylljen e negociatave në kapitujt e caktuar (opening/closing benchmarks): në këtë fushë pritet të jepet mbështetje për përgatitjen e dokumenteve strategjike dhe të planeve të veprimit, të shoqëruara me masa për zhvillimin e kapaciteteve personale në hartimin e tyre.
  3. Përfshirja e shoqërisë civile: në këtë fushë pritet të jepet mbështetje për identifikimin e aktorëve relevantë të shoqërisë civile, sipas fushave të caktuara dhe përfshirja efektive e tyre në përgatitjet për bisedimet e anëtarësimit.

Në bazë të marrëveshjes, Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë vë në dispozicion për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE në sektorin ekonomik” shërbime në personel dhe materiale, si dhe eventualisht kontribute financimi (grante) në një vlerë të përgjithshme prej 2 milionë eurosh, ndërkohë që projekti do të ketë një kohëzgjatje prej 3 vjetësh.