Masat e marra

  • Akt normativ nr. 4, datë 30.11.2019, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar

Ky akt normativ ka për qëllim përjashtimin nga detyrimi i pagimit të tatimit mbi vlerën e shtuar për mallrat dhe pajisjet e projektuara posaçërisht ose të përshtatura për qëllime ushtarake dhe që përdoren si armë, municion apo bazë materiale për luftë dhe që janë projektuar, zhvilluar, prodhuar, montuar apo janë modifikuar për përdorim ushtarak, përfshirë ato të cilat importohen në emër të Ministrisë së Mbrojtjes.

Qëllim tjetër i aktit normativ është edhe përfshirja në përjashtimet nga pagesa e TVSH-së e mjeteve dhe pajisjeve të cilat përdoren për të rindërtuar zonat e prekura nga fatkeqësitë. Këtë përjashtim e kemi kufizuar në rastet dhe afatet e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

  • Akt normativ nr. 5, datë 30.11.2019, “Për një shtesë në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”

Përmes këtij Akti Normativ, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka mundësuar rritjen e nivelit të njohjes së shpenzimeve të zbritshme nga 3% në 8% për donacionet në mjete monetare të bëra nga bizneset.

Ky akt vlen gjithashtu për donacionet në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë nayrore të bëra në formën e pasurive të paluajtshme.

Kjo incentivë do të vlejë për periudhën e “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, duke mundësuar mobilizimin e mbështetjes monetare në mënyrë të menjëherëshme nga sektori privat.

Shpenzimet e zbritshme në masën 8%, nga 3% që është aktualisht, do të mund të përfitohen vetëm nëse donacioni do të adresohet në llogaritë e thesarit, të vëna në dispozicion nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

  • Akt normativ nr. 6, datë 30.11.2019, “Për dhurimin e apartamenteve familjarëve të viktimave, si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019”

Ky akt normativ është hartuar nga MFE dhe MB dhe propozohet për shkak të nevojës që lind për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, duke i ardhur në ndihmë familjarëve të viktimave të cilët humbën jetën gjatë tërmetit të datës 26 nëntor,  dhe kanë pësuar dëmtime në banesat e tyre duke i bërë ato të pabanueshme.

Për sa më sipër parashtrohen dispozitat ligjore për dhurimin e 17 apartamenteve në pronësi të Bashkisë Tiranë për familjet e viktimave të tërmetit të datës 26 nëntor.

  • Akt normativ nr. 7, datë 30.11.2019, “Për një shtesë në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”

Ky akt normativ u siguron të drejtën për pension të posaçëm qytetarëve pensionistë, që kanë humbur të afërmit nga tërmeti.

Akti normativ siguron më tej trajtimin financiar të veçantë për të mbijetuarit  e familjeve me humbjet më të mëdha në njerëz nga tërmeti i datës 26 nëntor.