Postuar më: 04/06/2020

Kuvendi miraton ligjin për “Eurobondin”, ministrja Denaj: Ruhet stabiliteti makroekonomik dhe nuk cenohet politika monetare

 

Kuvendi miratoi gjatë seancës plenare të radhës ligjin për “Për Eurobondin që do të emetohet nga ministri i financave dhe ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti, në marrëveshjet që do të lidhen nga ministri i Financave dhe Ekonomisë”.

Gjatë fjalës në Kuvend, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë nënvizoi se jemi në jemi në një moment shumë të përshtatshëm për ta emetuar, duke qenë se tregjet financiare po tregojnë stabiliteti, pas luhatjes së lartë të hasur pas përhapjes së COVID-19.

“Kjo procedurë është ndjekur ngushtësisht edhe me Bankën e Shqipërisë e cila ndër të tjera një partner dhe ka konfirmuar se emetimi i Eurobondit në vlerat dhe parametrat e shpallur:

• nuk cenon politikën monetare të Shqipërisë, dhe
• ka efekt pozitiv në rezervat valutore dhe stabilitetin makroekonomik të vendit në afatin e shkurtër e të mesëm.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka planifikuar dhe filluar punën për emetimin e një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare financiare për herë të katërt në historinë e ekonomisë shqiptare, pas emetimit në vitin 2010, 2015 dhe 2018.

————————
Fjala e plotë e Ministres Denaj

I nderuar Kryetar i Seancës,
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar Deputetë dhe Qytetarë,

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka planifikuar dhe filluar punën për emetimin e një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare financiare për herë të katërt në historinë e ekonomisë shqiptare, pas emetimit në vitin 2010, 2015 dhe 2018.

Emetimi i këtij Eurobondi është planifikuar në muajt e fundit të vitit 2019, me përgatitjet paraprake teknike gjatë gjithë periudhës, edhe përtej situatës së pandemisë, duke synuar si periudhë më të përshtatshme daljeje muajin qershor të vitit 2020.

Emetimi i këtij instrumenti është në përputhje me objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit Publik, të hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Eurobondi do të jetë me madhësi deri në 650 milionë euro dhe me maturim 7 deri 10 vite .
Financimi i siguruar nga Eurobondi, ritheksoj – i planifikuar dhe i parashikuar në politikat e huamarrjes – do të shërbejë:

1. Për të ri-financuar Eurobond-in e marrë në vitin 2015, një proces standard në tregjet financiare ndërkombëtare ;
2. Për të plotësuar nevojat për financim për vitin 2020 si edhe të sigurojë pjesërisht valutën e nevojshme për shërbimin e detyrimeve të borxhit në valutë.

Në javën e kaluar Maqedonia e Veriut doli me Eurobond i cili u vlerësua i suksesshëm, ku interesi i investitorëve ishte më tepër se katër herë në raport me vlerën e synuar. Maqedonia e Veriut mundësoi emetimin e Eurobonit të shtatë, me vlerën 700 milionë euro, me afat maturimi 6 vjeçar dhe normë interesi 3.67%.

Ky emetim na jep një sinjal që tregjet financiare janë në një farë stabiliteti, pas luhatjes së lartë të hasur pas përhapjes së COVID19, dhe se jemi në një moment shumë të përshtatshëm për ta emetuar.

Kjo procedurë është ndjekur ngushtësisht edhe me Bankën e Shqipërisë e cila ndër të tjera një partner dhe ka konfirmuar se emetimi i Eurobondit në vlerat dhe parametrat e shpallur:

• nuk cenon politikën monetare të Shqipërisë, dhe
• ka efekt pozitiv në rezervat valutore dhe stabilitetin makroekonomik të vendit në afatin e shkurtër e të mesëm.

Vlerësojmë punën maksimale të realizuar nga të gjitha palët, nga ekspertët e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe teknikët.

Ju faleminderit,