Postuar më: 30/05/2019

Ikonomi: Fuqizimi i rolit të gruas në sipërmarrje, rëndësi për zhvillimin ekonomik

Mbështetja e grave sipërmarrëse është në vëmendjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si pjesë e programit të qeverisë për mbështetjen e sipërmarrjes dhe lehtësimin e klimës së të bërit biznes në vend. Ky ka qenë mesazhi i dhënë nga Zv.Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi, gjatë pjesëmarrjes së saj në konferencën “Gratë sipërmarrëse – Sfidat dhe Qasjet që ofron tregu”, organizuar nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë dhe Dhoma e Zejtarisë së Koblencit,  ku fokusi dhe kryefjala e diskutimit ishte te gratë artizane dhe sfidat e përfshirjes më të gjerë të grave në sipërmarrje.

Zv.Ministrja Ikonomi përmendi disa nga fondet që qeveria jep në mbështetje të bizneseve, ku përfituese janë edhe gratë sipërmarrëse, si fondi i konkurrueshmërisë, fondi i kreativitetit, fondi i artizanatit, start –up, ndërsa theksoi se nuk mungojnë edhe programe të tjera që mbështetesin gratë në biznes, siç është kredia për gratë sipërmarrëse, apo dhe programe të dedikuara nga donatorë.

Numri i grave që drejtojnë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, që përbëjnë shumicën e ndërmarrjeve në vendin tonë dhe burimin kryesor të vendeve të reja të punës, është rritur vitet e fundit.

Bizneset e vogla dhe të mesme zënë sot 98-99 % të numrit total të bizneseve dhe 33% e këtyre bizneseve drejtohen nga gratë, çka përbën një shifër domethënëse, duke patur parasysh se ka ardhur gjithmonë e në rritje. Përsa i përket grave sipërmarrëse në fushën e zejtarisë, sipas të dhënave të databazës së Zejtarisë të krijuar nga agjencia Nxitja e Biznesit Social, 70.1% e artizanëve janë gra.

Në këtë drejtim, znj. Belinda Ikonomi tha se MFE ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë më tej Dhomën Kombëtare të Zejtarisë për zhvillimin e mëtejshëm të zejtarisë.

Ndërsa pohoi se ka ende sfida për të rritur dhe fuqizuar rolin e gruas në sipërmarrje, Zv.Ministrja Ikonomi tha se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka një Plan Veprimi për Gratë Sipërmarrëse, në bashkëpunim me disa ministri të tjera, INSTAT dhe BSH, për të zbatuar implementimin e tij. Ndërkohë, forcimi i dialogut me organizatat joqeveritare për sipërmarrjen e grave është shumë i rëndësishëm.

“Dialogu i vazhdueshëm dhe shkëmbimi i eksperiencave pa dyshim është shumë i rëndësishëm. Ndarja e ekperiencave pozitive dhe të sukseshme, shqyrtimi dhe analizimi i rasteve konkrete të kuptuar pengesat dhe politikat të cilat pengojnë pjesëmarrjen më të madhe të femrave në sipërmarrje, janë element kyç për të përcaktuar qartë detyrat për strukturat politikëbërëse dhe zbatuese”, u shpreh Zv.Ministrja e Financave dhe Ekonomisë.