Postuar më: 07/11/2019

Forumi Global i Pensioneve Private, Denaj: Qeveria shqiptare e angazhuar të çojë përpara reformat në të gjitha dimensionet e saj

 

Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në hapjen e Forumit Global për Pensionet Private “Zhvillimi dhe mbikëqyrja e marrëveshjeve për fondet e pensioneve” që po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, i  organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me  Organizatën Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Pensioneve, (IOPS) dhe Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Gjatë fjalës përshëndetëse, ministrja Denaj u shpreh se organizimi i këtij forumi dhe aktiviteteve të kësaj përfshirjeje, na obligon për të parë dhe analizuar çështje në kuadër të perspektivës së zhvillimit ekonomik të vendit.

“Shërbimet financiare kanë pësuar një rritje prej 9% në tremujorin e parë të vitit 2019 dhe një rritje prej 13% në tremujorin e dytë, dhe këto janë shifra na bëjnë optimistë për këtë vit, pasi kjo shërben si një bazë e mirë e zhvillimit të mëtejshëm jo vetëm të produkteve financiare tradicionale, por edhe atyre të reja.

Në vendin tonë, problemet e sigurimeve shoqërore e veçanërisht të pensioneve, janë trajtuar gjerësisht nga qeveria shqiptare. Ato mbeten të rëndësishme për vetë fokusin që adresojnë, sigurimin e një pensioni  për të mbrojtur moshën e tretë nga rreziku i varfërisë dhe ruajtja e një niveli të pranueshëm të konsumit me mbarimin e periudhës së punësimit.

Shpenzimet për sigurimet shoqërore që arrijnë në rreth 25% të shpenzimeve të buxhetit te shtetit dhe pjesëmarrja e rreth 50 % e popullsisë, si kontribues e përfitues të skemës së pensioneve, na detyron që të monitorojmë me kujdes këtë skemë dhe të ndërhyjmë në kohën e duhur, vlerwsoi Ministrja.

Ministrja Denaj, gjithashtu theksoi se qeveria vlerëson se fondet e pensioneve vullnetare janë një mbështetje e fuqishme për sistemin e pensioneve në përgjithësi, për të rritur mbulimin, por sidomos koeficientin e zëvendësimit. Pikërisht për këtë arsye fondet janë mbështetur me incentiva financiare.

“Kuadri i plotë ligjor nuk është i përfunduar. Kërkohen akoma shumë analiza dhe studime për një vendimmarrje të rëndësishme, por jo të pamundur.

Funksionimi dhe zhvillimi i fondeve private të pensioneve është i mirëpritur për të plotësuar dhe kompletuar skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, tashmë të reformuar, duke siguruar një nivel më të lartë të ardhurash për individët.

Megjithatë hapësira për zhvillimin e mëtejshëm dhe në kohën e duhur për zbatimin e kësaj shtyllë ekziston dhe duhet të shoqërohet edhe me të gjithë procesin e rolit të shtuar  të mbikëqyrjes për këtë skemë  në kompleksitetin e saj, tha Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Denaj.

——————————————-

Fjala e plotw e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila  Denaj:

Të nderuar pjesëmarrës,

Ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në fjalën hapëse në këtë Konferencë Botërore për Pensionet Private që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.

Organizimi i këtij forumi dhe aktiviteteve të kësaj përfshirjeje, na nderon, por njëkohësisht na obligon edhe për të parë dhe analizuar çështje në kuadër të perspektivës së zhvillimit ekonomik të vendit.

Periudha e favorshme që Shqipëria ka kaluar vitet e fundit, me një trend të forcimit të lekut, rritje ekonomike pozitive, inflacion të ulët  është rezultat i disa reformave të ndodhura  gjatë këtyre viteve dhe kryesisht e pranive të shumë kompanive  vendase dhe të huaja që kanë  kontribuar dhe kanë qenë një faktor shumë i rëndësishëm i këtij zhvillimi ekonomik në vend, si në aspektin e treguesve financiarë dhe ekonomikë, ashtu edhe me dijen  që vjen bashkë me ta.

Shërbimet financiare kanë pësuar një rritje prej 9% në tremujorin e parë të vitit 2019 dhe një rritje prej 13 % në tremujorin e dytë dhe këto janë shifra që  na bëjnë optimistë për këtë vit.  Kjo shërben si një bazë e mirë e zhvillimit të mëtejshëm jo vetëm të produkteve financiare tradicionale, por edhe atyre të reja.

Në vendin tonë, problemet e sigurimeve shoqërore e veçanërisht të pensioneve, janë trajtuar gjerësisht nga qeveria shqiptare. Ato mbeten të rëndësishme për vetë fokusin që adresojnë, sigurimin e një pensioni  për të mbrojtur moshën e tretë nga rreziku i varfërisë dhe ruajtja e një niveli të pranueshëm të konsumit me mbarimin e periudhës së punësimit.

Shpenzimet për sigurimet shoqërore që arrijnë në rreth 25% të shpenzimeve të buxhetit te shtetit dhe pjesëmarrja e rreth 50 % e popullsisë, si kontribuues e përfitues të skemës së pensioneve, na detyron që të monitorojmë me kujdes këtë skemë dhe të ndërhyjmë në kohën e duhur.

Miratimi i dokumentit të pensioneve në vitin 2014, me përfshirjen e specialistëve më të mirë të fushës, si nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, nga stafi akademik, shoqëria civile etj., ishte një hap i rëndësishëm për një përditësim të domosdoshëm dhe për zbatimin efektiv të  legjislacionit  në funksion të qytetarëve.

Materializimi i reformës parashikoi një sërë përmirësimesh si:

  • Rregulla të sakta e strikte për indeksimin e masës së pensionit, duke parashikuar vetëm indeksim me inflacionin;
  • Rritja e masës së kontributit për zonat rurale duke barazuar kontributet e të vetëpunësuarve në bujqësi  me atë të të vetëpunësuarve në zonat urbane deri në vitin 2018;
  • Vendosja e elementëve dekurajuese për dalje në pension të parakohshëm dhe inkurajimi i daljes vonë në pension;
  • Garantimi i një mbrojtje minimale për invalidët duke vendosur kushtin që pensioni i invaliditetit nuk mund të jetë më i ulët se 75% e pagës minimale neto.
  • E drejta e përfitimit të pensionit social për të gjithë individët që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për përftimin e një pensioni nga skema e kontributeve të detyrueshme, të cilat janë kthyer në detyrim ligjor dhe do të përfshijnë disa kategori punonjësish si ata të industrisë minerare, punonjësit e industrive të tjera, si nafta dhe metalurgjia etj. Këto skema do të kenë si synim garantimin e të ardhurave për individët që dalin në pension më herët sesa mosha zyrtare e daljes në pension.

Ato do të jenë kontributive, ku masa e kontributit do të ndahet mes punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe do të krijohen mbi bazën e marrëveshjeve kolektive.

Efekti pozitiv i zbatimit të reformës në pensione, duke filluar nga 1 Janari 2015, bëri të realizueshëm dhe të prekshëm  qëllimin kryesor për të cilin u ndërmor kjo reformë: rritjen e qëndrueshmërisë financiare të skemës së sigurimeve shoqërore.

Konkretisht disa nga efektet e reformës janë paraqitur si më poshtë vijon:

  • Në vitin 2018 numri i kontribuuesve arriti në 778,144 persona , kundrejt vitit 2013  është rritur me 216,975 persona, ose 38.7 % më shumë, ndërkohë që numri fizik i tyre është edhe më i lartë.
  • Në 5 vitet e fundit evidentohet një rritje e ndjeshme e të ardhurave nga kontributet, e cila kryesisht është pasojë e rritjes së numrit të kontribuuesve si rezultat i reformës.
  • Në vitin 2018, kundrejt vitit 2013 të ardhurat e drejtpërdrejta nga kontributet dhe të ardhurat e tjera janë rritur me 27,951 milionë lekë, ose 54.4% . Ndërsa shpenzimet janë rritur me 32.8%, duke rritur kështu aftësinë vetëmbajtëse të skemës së sigurimeve shoqërore dhe ulur subvencionet në buxhetin e shtetit.

Me tej, qeveria vlerëson se fondet e pensioneve vullnetare janë një mbështetje e fuqishme për sistemin e pensioneve në përgjithësi, për të rritur mbulimin, por sidomos koeficientin e zëvendësimit. Pikërisht për këtë arsye fondet janë mbështetur me incentiva financiare.

Si Ministre e Financave dhe Ekonomisë, mirëpres pjesëmarrjen e më shumë aktorëve në këtë treg, sepse konkurrenca rrit cilësinë  dhe shërbimet. Aktualisht kemi tre fonde pensioni, me një total asetesh neto prej 2 miliard e 557 milionë lekë dhe me 2, 747 anëtarë janë aktivë.

Në lidhje me shtyllën e dytë, në Shqipëri janë bërë disa studime nga Banka Botërore dhe profesionistët e fushës për mundësinë e futjes së kësaj shtylle në të gjithë skemën që ekziston sot ( sot kemi shtyllën e parë dhe të tretë dhe jemi duke analizuar shtyllën e dytë).

Disa elementë të kësaj shtylle janë rregulluar me ligj, për disa profesione të vështira, si minatorët dhe naftëtarët.

Megjithatë, kuadri i plotë ligjor nuk është i përfunduar. Kërkohen akoma shumë analiza dhe studime për një vendimmarrje të rëndësishme, por jo të pamundur.

Funksionimi dhe zhvillimi i fondeve private të pensioneve është i mirëpritur për të plotësuar dhe kompletuar skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, tashmë të reformuar, duke siguruar një nivel më të lartë të ardhurash për individët.

Megjithatë hapësira për zhvillimin e mëtejshëm dhe në kohën e duhur për zbatimin e kësaj shtyllë ekziston dhe duhet të shoqërohet edhe me të gjithë procesin e rolit të shtuar  të mbikëqyrjes për këtë skemë  në kompleksitetin e saj. Mbikëqyrja ka një rol kyç, që e gjithë skema me shtyllat e saj të jenë jo vetëm të suksesshëm,  por të jenë të suksesshëm në kohë  dhe të jenë të qëndrueshëm.

Konfirmoj kontributin e qeverisë dhe angazhimin e saj për të çuar përpara reformat  në të gjitha dimensionet e saj.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe suksese!