Postuar më: 15/10/2018

Formalizimi i turizmit, bizneset në zonat bregdetare deklaruan 5.2 miliardë shitje. TVSH 6%, iu kursyem bizneseve 570 milionë lekë.

Mbledhja 5 e Këshillit të Investimeve me temë “Formalizimi dhe rritja e konkurrueshmërisë së turizmit”

Fjala e Ministrit Ahmetaj:

 

Ju falënderoj për pjesëmarrjen.

Fokusi i këtij takimi të Këshillit të Investimeve është sezoni që kaluam, mësimet, arritjet dhe disa reflektime që Këshilli i Investimeve, nëpërmjet këtij dokumenti që ju keni përpara, ka vënë në dukje nëpërmjet gjetjeve, qoftë perceptimi përsa i përket pjesës fiskale, qoftë perceptimi përsa i përket zhvillimit të sektorit apo edhe shërbimeve.

Sezoni turistik 2018, besoj edhe pjesë nga industria këtu mund ta konfirmojnë, praktikisht është sezoni më i mirë turistik i shumë e shumë viteve dhe në aspektin e numrave ka qenë vit rekord i vizitorëve të huaj. Por në të njëjtën kohë, edhe në aspektin e formalizimit, sikurse edhe mund ta keni ndjekur, në këndvështrimin tim dhe të stafit që e kanë ndjekur me detaje, ka qenë një sezon shumë i mirë.

Natyrshëm, rritja e turizmit nuk është e rastësishme. Ekonomia shqiptare në 5 vitet e fundit ka performuar në një trend të qëndrueshëm në rritje. Ju të gjithë e mbani mend, rritja ka qenë rreth 1 % në 2013, sot jemi në 6 mujorin e parë të vitit 2018 dhe rritja 6 mujore është 4.39%, pra 4.4 %, ose rritja më e lartë në 8 vitet e fundit.

Nga ana tjetër, është bërë një punë e detajuar në mandatin e parë dhe po vazhdon, e fokusuar tek rritja e produktivitetit të sektorit të turizmit, ku në vitin 2015, dhe këtu po i referohem edhe si ministër përgjegjës i turizmit në atë kohë, ne iniciuam rregullime të rëndësishme në aspektin ligjor, me ligjin e turizmit. E konsultuam të gjithë së bashku, të përputhur edhe me ligjin e investimeve strategjike, atë të zonave ekonomike, duke ofruar incentiva konkrete për nxitjen e investimeve të huaja dhe vendase, edhe në favor të turizmit.

Nga ana fiskale, ulja e TVSH-së 6 % për shërbimin e akomodimit brenda strukturave turistike, e përputhur edhe me lehtësitë fiskale për agroturizmin, jam i bindur që i ka dhënë shtysë zhvillimit dhe rritjes së sektorit dhe do të vazhdojë t’i japë.

Për ta konkretizuar atë që ka ndodhur me sektorin në shifra, turizmi gjatë 4 viteve të fundit ka rritur kontributin e tij në Prodhimin e Brendshëm Bruto me pothuajse 1 pikë përqindje çdo vit, duke përfaqësuar tashmë pothuajse 15 % të kontributit, nga 11.5 % që ishtë në vitin 2013.

Turizmi solli në ekonominë shqiptare të ardhura në nivel historik, në vitin 2017 prej 1.7 miliardë euro ose 12 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga viti 2013 rritja është domethënëse, nga 1.1 miliardë euro në 1.7 miliardë euro në vitin 2017 dhe në vitin 2018 presim një shifër prej pak më shumë se 2 miliardë euro. Pra për 4 vite, flukset hyrëse të lidhura me aktivitetet e turizmit janë rritur me 54.3 % ose mesatarisht me 13.5 % çdo vit. Parë në numrat e vizitorëve, sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në 8 mujorin e vitit 2018 është 4.4 milionë duke u rritur me 12.4 % në krahasim me 8 muajt e vitit 2017.

Në mbyllje të sezonit turistik, ne në Ministri të Financave dhe Ekonomisë bëmë një analizë më të thelluar për të parë efektet e këtij sezoni, duke u fokusuar në 5 rajone kryesore: Sarandë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë dhe më duhet ta them që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë një punë shumë të mirë në të dy korsitë, qoftë në formalizim, qoftë në këndin e sjelljes me sipërmarrjen apo edhe bashkëbisedimin me sipërmarrjen, duke e ndihmuar edhe në edukimin fiskal në territor.

Po ndaj me ju disa nga gjetjet që kemi kaluar së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Në periudhën qershor-gusht 2018, në këto rajone, ka një rritje me rreth 19 % të bizneseve të reja neto. Pra, ai diskutimi që u ç’regjistruan kaq dhe u regjistruan aq, po i referohem drejtpërsëdrejti shifrës neto në këtë hartë rajonesh që iu referova, ose 1,012 biznese më shumë në vetëm këto 2 muaj në këto 5 bashki, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Qarkullimi për periudhën qershor-gusht 2018 është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar. Duke iu referuar sërish 5 bashkive që përmenda me lart, ka një rritje të qarkullimit në total 12 %. Më rritjen më të madhë është Saranda me 48 %, Durrësi 10% dhe Vlora 14 %.

Ndërkohë, përsa i përket punësimit, në fund të gushtit 2018, krahasuar me gusht 2017, rezultojnë 34 mijë të punësuar më shumë në borderonë e Tatimeve në shkallë vendi. Pra, 34 mijë brenda një periudhe prej 1 viti.

Në 5 rajonet kryesore turistike janë 11,811 vende të reja pune në total. Vetëm në periudhën qershor-gusht në këto 5 bashki, janë 11,377 të punësuar, pra efekti i drejtpërdrejtë i sezonit turistik, i reflektuar në rritjen e punësimit dhe të aktivitetit të bizneseve.

Në të njëjtën kohë, nuk dua ta lë pa prekur arsimin profesional. Unë besoj se sfida më e madhe është që gjithë këtë kërkesë ta furnizojmë me shërbimet e duhura. Këtu patjetër që ka rëndësinë e vet edhe kualifikimi profesional i punonjësve. Në një sondazh me sipërmarrjen, një nga ankesat më të mëdha është pjesa profesionale, pjesa e sjelljes dhe e shërbimit pothuajse në të gjitha njësitë e përfshira në sondazh.

Sot janë 2,711 nxënës që kanë ndjekur profilin e turizmit në shkollat e arsimit profesional për vitin shkollor 2017-2018, krahasuar me 1,692 që ishin një vit më parë, pra gati 1 mijë nxënës më shumë. Interesi duket gjithmonë e më shumë në rritje edhe për shkak të punësueshmërisë që ky profesion ka dhe vazhdon të rritet. Nga ana tjetër, shkalla e punësueshmërisë në këto profile arrin 80 %. Pra, 80 % e atyre që mbarojnë shkollën menjëherë punësohen në sektor.

Një e dhënë që desha ta ndaj me ju, që impakton drejtpërsëdrejti bashkitë dhe patjetër që është indikacion për turizmin, është taksa e fjetjes, e cila ka një rritje prej 15%  në 4 mujorin maj-gusht 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Janë sigurisht taksa dhe tarifa bashkiake dhe besoj se si shifër reflekton tek i njëjti konkluzion që ne patëm, duke iu referuar shifrave në rritje qoftë të numrit të vizitorëve, qoftë të numrit të të punësuarve, qoftë të numrit të sipërmarrjes, qoftë të qarkullimit.

Ndërkohë, dua të ndaj me ju disa shifra përsa i përket pjesës fiskale. TVSH 6% dhe këtu besoj kam nevojë për një sekond që të fokusohemi tek shifra jo thjesht e bizneseve që përfituan, por edhe tek shuma që përfituan sipërmarrjet në favor të tyre, atë që dikur do ta merrte buxheti.

TVSH 6 %, janë 1,584 biznese që përfituan nga zbatimi i normës së reduktuar të TVSH-së. Për periudhën qershor-gusht ato realizuan mbi 5.2 miliardë lekë shitje të tatueshme me 6 %, duke përfituar 570 milionë lekë, pra gati 5.7 milionë dollar, ulje të pagesa për TVSH-në. Pra, i kemi kursyer këtyre 1,584 bizneseve 5.7 milionë dollarë që do t’i paguanin deri më dje shtetit, nëse do të vazhdonim me 20 %, sot ata i kanë në llogaritë e tyre dhe mund t’i përdorin për investime apo për shpenzime në funksion të sipërmarrjes, dhe jam duke folur vetëm për 3 muaj.

Patjetër që është e domosdoshme të përmendim paketën e hoteleve me 5 yje. Interesi për ndërtim strukturash akomoduese hotele me 5 yje është në rritje. Janë kërkesa konkrete në Ministrinë e Turizmit dhe tek Kryeministri, gati më shumë se 4 projekte të cilat kanë materializuar edhe fazën e parë të përgatitjes së dosjes së detajuar. Paketa e hoteleve me 5 yje presupozon uljen e TVSH-së me normë të reduktuar në 6%, zero tatim fitimi për një periudhë prej 10 vitesh, zero taksë infrastrukture dhe taksë prone gjithashtu.

Ndërkohë që menjëherë pas kësaj, duke diskutuar me ju, ne avancuam edhe paketën në anën tjetër të spektrit të hoteleve me 5 yje. Pra, në njërën anë promovuam investimet e mëdha të hoteleve me 5 yje, në anën tjetër promovojmë edhe paketën e agroturizmit, e cila ofron pak a shumë të njëjtën lehtësi, TVSH-në 6 % normë e reduktuar, tatim-fitimi i reduktuar 5 % dhe një sërë lehtësish proceduriale, për t’i zhvilluar të dyja anët e të njëjtit spektër, që njëri fokusohet tek investimet e mëdha, çdo hotel me pesë yje fillon me vlera të konsiderueshme mbi 10, 15, apo 20 milionë euro, dhe pastaj në varësi të madhësisë dhe të projektit, mund të shkojnë mbi 50 apo 60 milionë euro. Ndërkohë që, paketa e agroturizmit fokusohet kryesisht tek zhvillimi i turizmit bio, i referohemi kështu, dhe patjetër që prek drejtpërsëdrejti punësimin në zona të cilat për një moment janë të paprekura plotësisht apo intensivisht nga zhvillimi ekonomik.

Së fundmi, besoj që ju jeni në dijeni të Paketës Fiskale të vitit 2019, që ka prekur tatim-fitimin e fashës 8 deri në 14 milionë lekë xhiro, e ka ulur nga 15 % në 5 %. Në të njëtën kohë ka avantazhuar dhe sektorin e bujqësisë me heqjen e TVSH-së për mekanikën bujqësore, por në të njëtën kohë ka trajtuar si fermerë të vegjël një kompani të madhe, të mundshme, pra që është dhe SHBB-ja, Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, me logjikën për të kaluar nga ai fragmentarizëm që shohim në bujqësi, në ekonominë e shkallës për ta modernizuar bujqësinë.

Në të njëjtën kohë, me paketën e fundit, që është pjesë e paketës së vitit 2019, midis lehtësive të tjera kemi avancuar edhe uljen e Dividentit nga 15% në 8 %, besoj duke filluar që nga 1 Janari dhe në të njëjtën kohë, nuk dua të lë pa përmendur dhe atë lehtësim që bëjmë tek tatimi i të ardhurave personale, duke rritur nivelin nga 130 mijë lekë, në 150 mijë lekë të pjesës ku fillon tatimi, ngarkesa mbi 10 %. Me këtë i lehtësojmë ngarkesën fiskale 15,400 të punësuarve, të cilët gjenden në këtë fashë pagese.

Përsa i përket formalizimit, këtu si Ministër i Financave dhe Ekonomisë dua të ndaj me ju një mesazh shumë të qartë sa i takon formalizimit të sektorit që mbetet ende sfidë, kjo është e vërteta. Ju e keni parë që ky sezon ka pasur një fokusim shumë të madh të strukturave të terrenit, të tatimeve në zonat me aktivitet turistik. Gjetjet, ju përmenda dhe disa më lart, janë domethënëse dhe përtej shifrave tregojnë se ka akoma shumë hapësirë për t’u përmirësuar në këtë drejtim. Mbi 9,900 kontrolle dhe verifikime në terren. Janë konstatuar mbi 3,500 shkelje. Janë zbuluar penalitete mbi 130 milionë lekë. Nuk ka qenë dhe nuk është fokusi tek penalitetet, por fokusi është tek edukimi i tatimpaguesve dhe sigurisht tek formalizimi i mëtejshëm.

Në të njëtën kohë, ne kemi bërë një hap më tej sa i takon strukturave akomoduese për formalizim. Dua ta ndaj me ju dhe me të gjithë ata qytetarë që gjatë sezonit turistik pavarësisht se ku dhe kur përdorin strukturat e tyre të banimit si struktura akomoduese për turizmin, unë kam filluar negociatën me platformat dixhitale të Booking.com, apo Airbnb, për të marrë informacion zyrtar nga këto platforma për të gjithë ato struktura që jepen me qera në territorin e Shqipërisë, por që për arsye se janë shtëpi banimi, janë larg syrit, skanerit dhe radarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, apo të institucioneve të fiskut. Së shpejti, për shkak të kësaj reforme madhore të fiskalizimit, beteja jonë kundër informalitetit do të kalojë në një nivel tjetër.

Këtu dua të ndaj me ju përpara se ta mbyll dhe projektin shumë të rëndësishëm dixhital, por jo vetëm patjetër, të fiskalizimit që do të realizojë futjen në sistem online dhe në kohë reale të të gjitha transaksioneve biznes me konsumator dhe biznes me biznes, që sigurisht që do ta përshkallëzojë betejën tonë për formalizim në një mënyrë akoma më inteligjente.

Unë këtu do ta mbyll fjalën time duke ju falënderuar për vëmendjen.

Faleminderit!