Postuar më: 20/11/2018

FMN vlerëson rritjen ekonomike dhe uljen e borxhit publik. Progresi i reformave, domosdoshmëri për vazhdimin e konsolidimit fiskal dhe frenimin e risqeve.

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zotit Jan Kees Martijn, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 6-20 nëntor 2018, për diskutimet konsultuese vjetore sipas Nenit IV.

Në mbyllje të Misionit, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, Shefi i Misionit të FMN Jan Kees Martijn dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.

Ministri Ahmetaj theksoi se “Shqipëria ka tashmë një situatë makroekonomike dhe fiskale të konsoliduar, me shumë më pak risqe, që rrisin besimin dhe fokusin në forcimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e punësimit”.

Shefi i Misionit të FMN tha se “Rritja ekonomike e Shqipërisë ka ndjekur prirjen rritëse vitet e fundit, ndërkohë që vendi ka përfituar nga reformat e zbatuara dhe nga zgjerimi ekonomik i partnerëve të saj tregtarë europianë. Në periudhën afatmesme, parashikojmë që shkalla e rritjes të jetë rreth nivelit 4 për qind, e mbështetur nga rritja e eksporteve, përfshirë turizmin dhe investimet në infrastrukturë. Parashikojmë se, në mungesë të masave të tjera shtesë, defiçiti i qeverisë do të vijojë të jetë pranë nivelit 2 për qind të PBB-së në 2018 dhe më tej, çka do të rezultojë në një trajektore rënëse të borxhit publik”

Nga ana e tij Guvernatori Sejko u shpreh se “Bazat e zhvillimit të vendit mbeten relativisht solide. Kjo analizë pasqyrohet dhe në projeksionet tona, të cilat, në skenarin e tyre bazë, parashikojnë vazhdimin e rritjes ekonomike edhe përgjatë horizontit afatmesëm, shfrytëzimin gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese, si dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2020”

 

Deklarata e plotë e Ministrit Ahmetaj:

Së pari falënderoj ekipin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për diskutimet konstruktive gjatë këtyre dy javëve.

Siç e shikoni, me ose pa program, marrëdhënia me FMN dhe institucionet financiare ndërkombëtare për ne mbetet një marrëdhënie e konsoliduar partneriteti në mbështetje të reformave të rëndësishme për integrimin e vendit dhe rritjen ekonomike, si dhe patjetër reformave për forcimin e financave publike.

Dua të theksojë që falë këtij partneriteti, tashmë Shqipëria ka një situatë makroekonomike dhe fiskale të konsoliduar, me shumë më pak risqe, që rrisin besimin dhe fokusin në forcimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e punësimit.

Përtej sfidave për të thelluar më tej reformat në vazhdim, siç kemi diskutuar këto ditë me misionin dhe skenarë të ndryshëm që mund të përballemi në vitet që vijnë, do doja të fokusohesha në disa nga zhvillimet e fundit ekonomike dhe parashikimet për periudhën afatmesme.

Rritja ekonomike ka vazhduar të përshpejtohet edhe gjatë këtij viti. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 rezultoi një rritje ekonomike në nivelin 4.4% nga 3.8% që ishte ajo e vitit 2017 dhe pritet të jetë të paktën 4% për të gjithë vitin, dhe këtu dua të nënvizoj që pas Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian, tashmë edhe FMN e ka rishikuar në rritje parashikimin fillestar për rritjen ekonomike të këtij viti, në 4%.

Nga optika e kërkesës agregate, rezulton se rritja në gjysmën e parë të vitit 2018 është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme. Konsumi final regjistroi një rritje reale prej 2.7% duke vijuar një trend të gjatë tashmë në territor pozitiv për të 13-in tremujor rradhazi. Investimet totale për gjysmën e parë të 2018 regjistruan një rritje prej 2.8% në terma realë. Ndërkohë që nga pikëpamja e ofertës agregate, rritja ka qenë mjaft e diversifikuar dhe thuajse të gjithë sektorët e prodhimit kanë rezultuar me ecuri pozitive.

Duke qenë se tashmë kemi dhe shifrat e tregtisë së jashtme për 10-mujorin të dala vetëm dje, rezulton se eksportet e mallrave janë rritur me 16% kundrejt një viti më parë, u b kohë që rritemi në eksporte me dy shifra, ndërkohë që muaji Tetor pati një rritje prej 21%, ndërsa deficiti tregtar është përmirësuar ndjeshëm me rreth 8% gjatë kësaj periudhe krahasuar me një vit më parë.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është reflektuar edhe në tregun e punës. Papunësia ka vijuar të bjerë dhe punësimi është rritur. Ky është një element, madje fondament, i rëndësishëm i ekonomisë, jo vetëm për impaktin e prekshëm që transmeton në mirëqënien e qytetarëve, por gjithashtu i rëndësishëm për perspektivën e ardhme të ekonomisë, pasi vë në lëvizje mekanizmin zinxhir të rritjes së të ardhurave të disponueshme, rritjen e konsumit, kursimeve dhe inivestimeve, e nw twrwsi rritjes së mëtejshme të ekonomisë.

Dhe në këto supozime qwndron dhe një nga diferencat marxhinale që kemi me Fondin Monetar Ndërkombëtar sa i takon rritjes reale për vitin e ardhshëm dhe impaktit të faktorëve të veçantë në të. Ju kujtova që ndër vitet që kanë kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka rishikuar rritjen në vazhdimësi. Unë jam i bindur që dhe vitin tjetër do ta rishikojë sërish nga 3.7 %. Ne parashikojmë një rritje reale paksa më të lartë se sa FMN për vitin e ardhshëm prej 4.3%, pasi gjykojmë se fonadamente si ky që përmenda më lart dhe të tjerë, siç janë vijimi konsolidimit të stabilitetit makroekonomik, perceptimi gjithnjë e në përmirësim i agjentëve ekonomikë mbi kredibilitetin e ekonomisë sonë, vijimi i konsolidimit të financave publike, do tw jenë faktorët kryesorë që do tw furnizojnë rritjen ekonomike dhe do tw kompensojnë edhe faktorë të veçantë si energjia elektrike, që kanë ciklin e tyre vit pas viti.

Në të njëjtën kohë, rezulton një forcim në pozicionin e jashtëm të ekonomisë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, i cili pason atë të evidentuar edhe në vitin 2017. Konkretisht, deficiti i llogarisë korrente u përmirësua ndjeshëm (rreth 18.2% më i ulët krahasuar me një vit më parë) kryesisht nga përmirësimi i deficitit tregtar në mallra; zgjerimi i suficitit në shërbime; dhe zgjerimi i suficitit të të ardhurave dytësore.

 

Një ndër kategoritë me kontribut domethënës pozitiv ishin shërbimet e lidhura përgjithësisht me sektorin e turizmit, të cilat gjatë gjysmës së parë të vitit 2018 (pra pa përfshirë ende tremujorin e tretë, i cili shënon pikun e sezonit turistik) u rritën me rreth 8.7% kundrejt gjysmës së parë të vitit 2017. Ndërsa sa i takon komponentëve të llogarisë financiare, kategoria që pati rritjen më të madhe ishte ajo e flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte, të cilat shënuan një rritje prej 28% gjatë gjysmës së parë të vitit 2018 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, dhe ky ishte një zhvillim pozitiv madje edhe kundrejt pritshmërive tona fillestare, të cilat ishin më modeste për shkak edhe të ngadalësimit të dy projekteve të mëdha, TAP dhe Hidrocentralin e Devollit.

 

E parë nga pikëpamja e qëndrueshmërisë së pozicionit të jashtëm të ekonomisë sonë, rezulton se flukset e Investimeve të Huaja Direkte për gjysmën e parë të vitit 2018 mbulojnë pothuajse 1.5 herë (146%) deficitin e llogarisë korente, element i rëndësishëm ky për qëndrueshmërinë e pozicionit të jashtëm. Gjithashtu, sipas të dhënatve ende operative e Bankës së Shqipërisë, edhe tremujori i tretë ka pasur një ecuri shumë pozitive në shifrat e Investimeve të Huaja Direkte. Rrjedhimisht pritshmëritë tona për të kaluar një nivel mbi 1 miliard IHD, pra të shënimit të një rekordi në hyrjen e investimve të huaja, kanë të gjitha gjasat të ndodhin, pra të jenë parashikime realiste.

Politika fiskale do të vijojë të orientohet fort drejt konsolidimit fiskal për të vijuar trajektoren rënëse të raportit të borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky objektiv i politikës fiskale është tejet i rëndësishëm për të siguruar ambientin e domosdoshëm makroekonomik për një rritje të qëndrueshme ekonomike mbi nivelin prej 4%, dhe patjetër rritjen e punësimit. Rritja ekonomike dhe punësimi do të mbështetet edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 5.1 % e PBB.

Defiçiti buxhetor për vitin 2019 planifikohet në nivelin 1.9% të PBB, që është niveli më i ulët historik i targetuar në ligjin vjetor të buxhetit në dy dekadat e fundit. Për të katërtin vit radhazi bilanci primar parashikohet të jetë pozitiv në nivelin 0.5% i Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo pritet të çojë në një ulje të qenësishme të borxhit publik për të katërtin vit radhazi. Në fund të vitit 2019 borxhi publik Neto (pra, i zhveshur nga gjendja e aseteve likuide në depozitën e qeverisë, në TSA) pritet të bjerë në nivelin e 64.9% të PBB, e cila përbën një reduktim mjaft të qenësishëm prej 2 pikë përqindje nga niveli që pritet të jetë në fund të këtij viti prej 66.9%. Ndërsa borxhi publik bruto pritet të bjerë në nivelin prej 65.5% në fund të 2019-ës, nga 69.1% që pritet të jetë në fund të këtij viti.

Dua ta theksoj që mes institucioneve në këtë tryezë nuk ka ‘divergjenca’ por diskutime tw shwndetshme për skenarë të ndryshëm dhe mënyrës se si mund të përballohen këta skenarë. Ministria e Financës, përtej skenarit bazë, merr parasysh dhe mundësinë e situatave të tjera që mund të vijnë nga faktorë përtej atyre të brendshëm. Edhe në buxhetin e propozuar, ne kemi lënë fleksibilitetin e mjaftueshëm për të përballuar skenarë edhe më të vështirë se ato që diskutojmë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën e Shqipërisë. Kjo edhe falë uljes të ndjeshme të risqeve fiskale gjatë këtyre viteve.

Ne mbetemi të angazhuar për thellimin e reformës të financave publike dhe shumë shpejt do ndajmë me grupet e interesit strategjinë e rishikuar të financave publike me fokus tashmë rritjen e efektivitetit të përdorimit të financave publike përtej minimizimit të risqeve, përfshirë dhe zhdukjen e detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2019. Detyrimet e prapambetura, kryesisht në tatimin e vlerës së shtuar, në detyrime të prapambetura të pushtetit lokal gjithashtu, por sidomos të tatimit të vlerës së shtuar për shkak se viti 2017 ka pasur kërkesën rekord historike të rimbursimit si pasojw e projektit Trans Adriatic Pipeline ku kërkesa për rimbursim shkoi 25 miliardë lekë, krahasuar me këtë vit që është 11 miliardë lekë, pra si kërkesë për rimbursim në 2018-ën, gati gjysma e vitit 2017.

Dy fjalë për detyrimet e prapambetura. Nga stoku që kemi publikuar dhe diskutuar dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, gati gjysma janë pjesa e detyrimeve të qeverive vendore që kanë ardhur në rënie, gati përgjysmuar, këtë vit. Pjesa tjetër, siç e theksova, janë vlera e rimbursimit të TVSh për projektet strategjike të huaja (TAP, apo AYEN Energy, apo disa projekte të tjera që kanë qenë në fazë maturimi të investimit në vitin 2017) për të cilat është rënë dakord për një skedul të përcaktuar pagese për të absorbuar më gradualisht goditjen në të ardhurat. Ndërkohë, viti 2018 ka njohur një stabilizim të detyrimeve të prapambetura, sigurisht në një nivel që do të duhet të ulet dhe siç e theksova, vitin që vjen, në mbetemi konfident që niveli i detyrimeve të prapambetura të jetë i papërfillshëm, duke rritur fokusin në efektivitetin e shpenzimeve publike.

Për sa i takon Partneritetit Publik Privat, siç e prezantuam më herët në komisionin e Ekonomisë, skema e ashtuquajtur “shpërthyese”, po të heqim koncesionet e energjisë (pa asnjë impakt fiskal) nuk është më shumë se 8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe si vlerë totale, e ndarë në kohë vit pagese, pra me një impakt vjetor twrwsisht brenda nivelit 5% që është gjithashtu nivel ligjor të të ardhurave të parashikuara në buxhetin vjetor, pa rrezikuar asnjë shpenzim tjetër publik. Përkundrazi, kjo skemë, në këndvështrimin tonë, i përshpejton rezultatet e marra nga shpenzimet publike, duke mbajtur gjithashtu nën kontroll financat publike.

Edhe njëherë do desha të falënderoja misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe vlerësoj qëndrimin që ata ndajnë për sa i takon ecurisë pozitive të ekonomisë shqiptare dhe financave publike.

Faleminderit.