Postuar më: 30/01/2020

Fjala e Ministres Denaj në Parlament për Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2019

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, prezantoi në seancë plenare Aktin Normativ për Buxhetin e vitit 2019.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj solli në vëmendje para deputetëve dhe qytetarëve se Akti Normativ u realizua në kushtet e situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Ministrja u shpreh se nëpërmjet tij sigurohen dy objektiva themelorë në kushtet e fundit të vitit 2019, së pari masat e menjëhershme që qeveria ndërmori  për të garantuar mundësitë financiare për përballimin e situatës emergjente të krijuar, dhe së dyti, akordimi i bonusit të përvitshëm për pensionistët në kuadër të paketës për solidaritetin.

“Më lejoni të theksoj që viti 2019 nuk ishte një vit i lehtë. Megjithatë, përmes Aktit Normativ ne mundësuam dhe adresimin në mënyrë të menjëhershme të kërkesave që dolën nga situata post tërmet, në vijim për vitin 2020, jo vetëm për fondin buxhetor të alokuar për Fondin e Rindërtimit, por edhe për fondin shtesë të parashikuar prej 1 miliardë lekë për bonusin e qerave, të cilat sot janë të hapura si zëra buxhetorë për çdo bashki, e cila ka adresuar këtë kërkesë dhe këtë nevojë për të gjithë banorët e prekur dhe në nevojë për këtë bonus”, u shpreh znj. Denaj.

 

 

Fjala e Ministres Denaj,

 

I nderuar Kryetar i Seancës,

Të nderuar Deputetë,

Të nderuar Qytetarë,

 

Prezantojmë për miratim sot në seancë plenare Aktin Normativ për Buxhetin e vitit 2019.  

 

Sjell në vëmendje të qytetarëve se ky Akt Normativ u realizua në kushtet e situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të datës 26.11.2019 dhe në radhë parë synon dhe akomodon fondin e nevojshëm në llogarinë e Fondit Rezervë të buxhetit të shtetit, të gatshëm në çdo rast nevoje me karakter të papritur përmes rialokimeve mes zërave të shpenzimeve të tjera buxhetore.

 

Qeveria mori menjëherë masa për të garantuar mundësinë financiare për përballimin nevojës emergjente të krijuar dhe u reduktuan shpenzimet e parashikuara për të përdorur fondet në dispozicion të buxhetit të shtetit në përfitim të qytetarëve dhe bizneseve të prekura nga tërmeti, në veçanti.

 

Po aq e rëndësishme ishte dhe akordimi i bonusit të përvitshëm për pensionistët në kuadër të paketës për solidaritetin që tashmë Qeveria realizon për disa fundvite rresht. Kjo shumë këtë vit ishte më e ulët se sa ajo e një viti më parë, brenda edhe mundësive buxhetore që ekzistonin dhe konsistoi në një shumë totale buxhetore prej rreth 2 miliardë lekësh, e shpërndarë për rreth 650 mijë pensionistë, me një fond personal prej 3 mijë lekësh për çdo pensionist.

Efektet financiare janë të shpërndara për:

  • 530 364 pensionistë në pension pleqërie,
  • 67 754 persona në pension invaliditeti,
  • 49 849 persona në pension familjar dhe,
  • mbi 13 260 persona të tjerë në trajtim financiar me pension social, pension apo trajtim të veçantë financiar si minatorë të nëntokës, punonjës të ish – ndërmarrjeve ushtarake dhe ushtarakë.

 

Procedurat e administrimit të këtij fondi, akorduar në ditët e fundit të vitit 2019, janë menaxhuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Rreth 65 % e fondit është shpërndarë brenda vitit 2019. Procedurat kanë vijuar edhe për vitin 2020 dhe të gjithë likujdimet synohen të realizohen brenda këtij muaji.

 

Njëkohësisht, janë bërë rialokime brenda zërave të përgjithshme të buxhetit, pa efekt shtesë buxhetor, që kanë mundësuar:

 

  • Shtesën prej 70 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve në zërin “Bonusi i bebeve”, si rrjedhojë e numrit të lartë të lindjeve të regjistruara sidomos gjatë gjysmës së dytë të vitit 2019. Kjo shtesë ishte e nevojshme për tu rialokuar.

 

  • Shtesën prej 300 milionë lekë për skemën “NE & PAK” në zbatim të ligjit të ri të miratuar në Parlament në pjesën e dytë të vitit 2019, që konsiston në mbrojtjen sociale për mbulimin e shpenzimeve të pagesës së invaliditetit për kategorinë e invalidëve që nuk përmbushin kriteret për pension invaliditeti.

 

  • Shtesën prej 235 milionë lekë për Fondin Rezervë të buxhetit të shtetit, me qëllim krijimin e një hapësire të nevojshme buxhetore deri në fund të vitit për çdo ngjarje të paparashikuar, sidomos të lidhur me situatën pas tërmetit të datës 26.11.2019.

 

  • Shtesën prej rreth 12.8 milionë lekë në zërin ‘Subvencioni i kredive të strehimit’ për përballimin e nevojave shtesë pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019, duke i shtuar këtë fond edhe fondit që ekzistonte për të akomoduar të gjithë kërkesat e bonusit të qerave përgjatë muajit dhjetor.

 

Më lejoni të theksoj që viti 2019 nuk ishte një vit i lehtë. Megjithatë, përmes Aktit Normativ ne mundësuam dhe adresimin në mënyrë të menjëhershme të kërkesave që dolën nga situata post tërmet, në vijim për vitin 2020, jo vetëm për fondin buxhetor të alokuar për Fondin e Rindërtimit, por edhe për fondin shtesë të parashikuar prej 1 miliardë lekë për bonusin e qerave, të cilat sot janë të hapura si zëra buxhetorë për çdo bashki, e cila ka adresuar këtë kërkesë dhe këtë nevojë për të gjithë banorët e prekur dhe në nevojë për këtë bonus.

 

Ju ftoj ta miratojmë,

 

Faleminderit.