Postuar më: 13/12/2018

Dialogu me studentët, moment i rëndësishëm reflektimi në favor të së ardhmes!

Dialogu me studentët, moment i rëndësishëm reflektimi në favor të së ardhmes

 

Momenti që po kalojmë, duke iu referuar dhe asaj që tha Kryeministri, është një moment reflektimi për mënyrën e qasjes që qeveria ka ndaj çdo problemi normal që kjo shoqëri kalon. Në këndvështrim tim personal, duke edhe dalë në retrospektivë të krahasimit jo me vend të “Dhjetorëve”, Dhjetori 1990 ishte një Dhjetor i madh që u pronësua nga studentët e asaj kohe dhe ndryshoi regjimet. Shtyu poshtë në greminë një regjim që ishte kalbur dhe inicioi një proces të gjatë, fatkeqësisht shumë të gjatë, tranzicioni. Ndërsa, protesta e studentëve është një protestë natyrale, me kërkesa racionale, të pastra, në themel të përmirësimit të jetës së tyre si studentë dhe të dinjitetit të tyre si studentë.

Duke i dëgjuar çdo ditë në ato që thonë, qoftë në ekrane, qoftë në protesta, reflektimi i parë është që këta janë një brez që nuk po kërkojnë vetëm për veten e tyre. Janë një brez që po kërkojnë edhe për brezat e studentëve që do të vijnë më pas. Pra, ashtu siç u investua në 1990-ën për të ardhmen, ashtu investohet sot edhe prej këtij grupi shumë të pastër studentësh me kërkesat e tyre dhe është një moment reflektimi shumë i rëndësishëm.

Mora shkas të flas nga ligji i investimeve strategjike për të bërë edhe një kujtesë me të gjithë ne, por edhe me të gjithë qytetarët që na dëgjojnë. Pavarësisht vështirësive që kalon Shqipëria, pavarësisht kësaj proteste e cila është normale dhe natyrale, do të duhet të kujtojmë që këto fenomene ndodhin në të gjitha vendet demokratike dhe ka një diferencë shumë të madhe nga çdo protestë që po ndodh sot në Evropën demokratike.

Është një protestë e qetë, është një protestë me asnjë element dhune, është një protestë larg partive, është një protestë politike, patjetër, sepse kërkon përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të arsimimit dhe është një moment reflektimi për këtë qeveri, për këtë mazhorancë, por edhe për shoqërinë patjetër.

Për një sekond të ndalojmë dhe të kthejmë sytë nga protesta për ta analizuar. Nuk po flas në thellësi, nuk po them që do të analizojmë protestën këtu, tani, me çdo detaj, por një element do ta theksojmë, kjo është një protestë, një thirrje shumë e natyrshme dhe, po ta krahasosh me çdo lëvizje që ndodh sot në Evropë, është shumë e maturuar, është shumë larg dhunës, është shumë brenda realitetit, është shumë e pastër, është shumë natyrale dhe patjetër që meriton vëmendje, patjetër që meriton respekt, patjetër që meriton reflektim dhe patjetër, që meriton edhe plotësimin e kërkesave nëpërmjet një dialogu. Dialogu sjell në tryezë një proces shumë të gjatë reformimi brenda sistemit arsimor, sidomos arsimit të lartë.

A ka vlerë të përmendim sa janë harxhuar dhe sa harxhohen në arsimin e lartë? Unë besoj që në nxehtësinë dhe emocionin e sotëm askush nuk do t’i dëgjonte shifrat. Askush. Çdokush do të thoshte mjaft me shifra se na lodhe. Madje dhe Kryeministri im, kur unë përmend shifra sot, të krahasueshme, nuk i pëlqen sepse mendon, beson dhe është duke bërë thellësisht atë që duhet bërë. Ka shumë punë për të bërë, jemi akoma larg pritshmërisë dhe gara me pritshmërinë është shumë e vështirë.

Megjithatë, ligji i investimeve strategjike më dha shkas të flisja dhe të përmend sot, kur kemi një protestë studentësh dhe ne jemi aleatët e tyre të parë, ndoshta të vetëm sot, të gjithë kërkojnë ta shfrytëzojnë protestën e studentëve. Të gjithë kërkojnë të nxjerrin gështenjat me duart e studentëve, në një “zjarr” që në fakt djeg Shqipërinë dhe nuk sjell asnjë përfitim, aq më tepër për studentët, ndërsa kjo mazhorancë, kjo qeveri, nuk do as të shfrytëzojë, as të fikë, as të ndezë. Është fokusuar tek një dialog për të zgjidhur problemet.

Ka tre ditë që Shqipëria ka lajme të mira në aspektin ekonomik, por në emocionin e protestës që unë e konsideroj realisht normale, në momentin e duhur, në mënyrën e duhur, për të “shkundur” çdo lloj mazhorance apo establishmenti politik të mendojë ndryshe për të ardhmen e vendit. Dhe lajmet e mira kanë mbetur në hije. Unë do t’i them lajmet e mira jo për t’i treguar shqiptarëve se çfarë po bën kjo mazhorancë, po do t’i them lajmet e mira për të sjellë dhe një sens retrospektive dhe perspektive.

Imagjinoni që e gjithë Shqipëria, duke na përfshirë dhe ne të gjithëve, socialistë në të gjithë Shqipërinë, e mbështesin kauzën e studentëve dhe theksojnë e mbështesin dialogun e studentëve. Po një pyetje fare-fare naive: Si ka mundësi që protesta, si ka mundësi që studentët, si ka mundësi që gjithë ajo materie fantastike brenda asaj proteste, mban larg gjithë politikën? Si ka mundësi? Opozita, që kërkon ta shfrytëzojë, ka mbetur jashtë realitetit sepse kërkon ta shfrytëzojë vetëm për një qëllim protestën, t’i vërë zjarrin Shqipërisë që të vijë si zakonisht ndër vite e vite, në hi në pushtet.

Pse nuk e ndjekin qytetarët? Për dy arsye themelore. E para, sepse këta nuk i përfaqësojnë në hallin e tyre të vërtetë, në sinqeritetin e tyre të vërtetë. Dhe e dyta, sigurisht që me hallet e mëdha që ka Shqipëria, ka një trajektore e cila ka lënë mbrapa vitin 2012 dhe vitin 2013. Kushdo do të më kthehet mbrapsht, madje edhe Kryeministri im, do të thotë nuk kanë vlerë këto shifra që thua. Jo, unë i sjell shifrat për të treguar se sa larg është kjo opozitë nga studentët, nga shqiptarët, nga bujqit, nga fermerët, nga punëtorët.

Çfarë doli këto katër ditë? Doli shifra e investimeve të huaja. Shifra e investimeve të huaja është sërish një shifër rekord, larg asaj që ne duam, po larg asaj që dëshirojnë këta, është 9% më e lartë. Dikush do të me thotë mua “çfarë është 9% më e lartë”? “Çfarë na thua, përqindje”?! Jo! Unë jam duke thënë që ky është një moment shumë i rëndësishëm në jetën ekonomike të çdo shqiptari. Shqipëria ka marrë kthesën, me vështirësi, pra ka lënë mbrapa atë kauzë që këta kanë ngitur si ideologji.

E dyta, doli papunësia dhe punësimi. Ka rënë papunësia në 12.2%. Sërish Kryeministri im do më thotë: “Çfarë i ke këto shifra? Ka shqiptarë të papunë atje që duhet t`ju gjejmë punë e të ndihmojmë ekonominë përditë që të punësojë”. Po, por është e rëndësishme ta vendosim edhe në retrospektivë dhe në prespektivë. Ishte 17.6%. Sot janë gati 240 mijë shqiptarë të punësuar, e janë akoma edhe 200 mijë të tjerë që do të duhet t`ju gjejmë punë, e ndër ta edhe këta studentë që shumë shpejt do të dalin në tregun e punës.

E treta, është bërë një krahasim nga një institucion prestigjoz ndërkombëtar, që është koeficienti i ngushtimit të varfërisë. Sërish, Kryeministri im do më thotë: “Çfarë e ke këtë shifër”? Në Shqipëri ka shumë të varfër për të cilët do të duhet të punojmë përditë, 24 orë, por unë e sjell për retrospektivë dhe për perspektivë. Ka qenë gati 0.3%. Po iu shpjegoj qytetarëve, ka një instrument që mat varfërinë në vend dhe jo varfërinë virtuale, por atë reale dhe tregon që është ulur që nga viti 2008 dhe deri sot, është ulur në të paktën 5 vitet e fundit gati me mbi 10 pikë.

Dikush do më thotë: “Për cfarë i përmend këto pikë, po Dibra e ka akoma shumë të lartë”? Po! E ka Dibra shumë të lartë, prandaj duhet të fokusohemi tek Dibra, prandaj kur dilni kundër Rrugës së Arbrit, mendojeni mirë ju të opozitës që jeni duke punuar për t’i bërë ata njerëz më të varfër, kur e refuzoni dhe dilni këtu kundër Partneritetit Publik Privat.

Po, patjetër që Kukësi akoma e ka shumë të lartë varfërinë! Patjetër që diferenca mes fshatit dhe qytetit është shumë e madhe akoma, por viti 2012 si gropa më e thellë e varfërisë në këtë vend, është lënë mbrapa.

Thënë këto, ky është moment reflektimi për gjithçka dhe do t`ju sjell qytetarëve dy shembuj nga protesta, edhe tre po deshët.  Do t`ju sjell 21 Janarin. Ta kujtojnë qytetarët dhe të bëjnë dallim midis këtij Kryeministri, kësaj mazhorance dhe atij ish-Kryeministri që mungon këtu sot dhe atyre që kanë qenë në të njëjtën tryezë më atë, atë ditë. Atje protestuan qindra e mijëra shqiptarë dhe katër shqiptarë nuk u kthyen dot në shtëpitë e tyre dhe ditën e pasnesërme, në këtë parlament, ai ish-Kryeministër ka thënë: “Hajdeni prapë po deshët, prapë do t`ju vras! Ka Kushtetutë këtu!” Shikojini rekordet.

Ndërsa ky Kryeministër, po u lutet studentëve të vijnë të flasin sy më sy për dialog, me pika dhe me kërkesa tashmë të garantuara për zgjidhje, por jo thjesht me një letër për të thënë PO, por për të hapur një proces i cili garanton në themel demokracinë e Shqipërisë, dinjitetin e studentëve, jo vetëm të këtyre që kanë dalë sot në të drejtë të tyre por dhe atyre që do të vijnë studentë më pas!

Kjo është një nga herët e para kur një mazhorancë, në reflektim të thellë, krahason me vëmendje atë që këmi lënë mbrapa dhe atë që do të duhet të investojmë nëpërmjet këtyre studentëve në themel të së ardhmes.

Faleminderit!