Postuar më: 30/09/2019

Denaj: Vlerësim performancës së institucioneve për kontrollin e brendshëm financiar publik

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me projektin e USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Lokale, organizoi konferencën me temë: “Zhvillimi i Sistemit të Kontrollit të Brendshëm në Njësitë e Qeverisjes së Përgjithshme”.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Denaj tha se Ministrja e Financave dhe Ekonomisë ka mbështetur zhvillimin e sistemit të kontrollit të brendshëm në njësitë e sektorit publik, në funksion të garantimit të një sistemi të financave publike që nxit transparencën, përgjegjshmërinë, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike, për ofrimin e shërbimeve të përmirësuara dhe zhvillimin ekonomik.

Përmirësimi i kuadrit ligjor në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, theksoi Ministrja, ka lehtësuar zbatimin e procedurave në fushën e kontrollit të brendshëm, ndërkohë që në kuadër të rritjes së kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit të administratës publike janë kryer një sërë trajnimesh në fushën e menaxhimit financiar dhe kontrollit dhe auditimit të brendshëm.

Pavarësisht këtij angazhimi të MFE, ende vërehen disa problematika, të konstatuara në raportin e përvitshëm mbi funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, i cili për vitin 2018 u prezantua gjatë konferencës.

Këto problematika konsistojnë kryesisht në: mungesën e ndërgjegjësimit të nivelit të lartë menaxherial mbi rëndësinë e zbatimit dhe rolin e sistemit të kontrollit të brendshëm në përdorimin me efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet të fondeve publike; mungesën e përfshirjes së instrumentave të menaxhimit financiar në realizimin e aktiviteteve të përditshme të njësisë; shtrirjen e shërbimit të auditimit të brendshëm në sektorin publik në të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme etj.

Në këtë drejtim, Ministrja Denaj informoi se së shpejti do të ndërmerren hapa konkretë për të vlerësuar në mënyrë periodike institucionet buxhetore, ku një grup i caktuar institucionesh do të asistohen direkt nga MFE për modernizimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik. Këto hapa përfshijnë një vlerësim të thellë të performancës së institucioneve buxhetore me tregues performance të caktuar, promovim i institucioneve buxhetore me performancën më lartë, si dhe përgatitja e një kalendari trajnimesh në këtë kuadër.

“Prioritete kryesore janë hartimi i një strategjie për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik, zbatimi i procedurave të delegimit në të gjitha njësitë publike, zhvillimi i programeve të trajnimit të vijueshëm të audituesve të brendshëm dhe punonjësve të tjerë në njësitë publike, si dhe implementimi i një plani për rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të lëna nga auditimi i brendshëm”, u shpreh Ministrja Denaj.

Masa konkrete në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të kontrollit të brendshëm janë parashikuar edhe në Strategjinë e rishikuar së Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022.

 

Fjala e Ministres Denaj:

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni  që në emër  të Ministrisë së Financave  dhe  Ekonomisë t’ju  përshëndes dhe  falenderoj për  pjesëmarrjen  tuaj  në këtë konferencë,  të organizuar në bashkëpunim me Projektin e USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Lokale.

Në kuadër të reformave të ndërmarra në fushën e menaxhimit të financave publike, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka si qëllim kryesor mbështetjen e vazhdueshme për njësitë publike në forcimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm.

Krijimi, funksionimi dhe monitorimi i këtyre sistemeve bazohet në përcaktimet e ligjit “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin”.

Ky ligj përcakton kërkesat për mirëqeverisjen në të gjitha njësitë e sektorit publik, si ato qendrore, ashtu edhe ato vendore.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka mbështetur zhvillimin e sistemit të kontrollit të brendshëm në njësitë e sektorit publik për garantimin e një sistemi të financave publike, i cili ka si objektiv kryesor nxitjen e:

  1. transparencën,
  2. përgjegjshmërinë,
  3. disiplinën fiskale
  4. efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për ofrimin e shërbimeve të përmirësuara dhe zhvillimin ekonomik.

Përmirësimi i kuadrit ligjor, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, ka lehtësuar zbatimin e procedurave në fushën e kontrollit të brendshëm.

Gjithashtu, në kuadër të rritjes së kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit të administratës publike janë kryer një sërë trajnimesh në fushën e menaxhimit financiar dhe kontrollit dhe auditimit të brendshëm.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë harton çdo vit Raportin Vjetor mbi funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik në njësitë e qeverisjes së përgjithshme.

Ky raport ofron një përmbledhje vjetore të aktiviteteve dhe rezultateve të arritura nga:

  • përfituesit e fondeve publike gjatë gjithë procesit,
  • zhvillimit dhe forcimit të sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit
  • funksionimit të auditimit të brendshëm.
  • mangësitë e evidentuara në vitin e mëparshëm, duke sugjeruar dhe rekomandime për përmirësime të mëtejshme për njësitë publike.
  • realizohet dhe rankimi i njësive publike mbi bazë performance.

Pavarësisht angazhimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për mbarëvajtjen e procesit të zbatimit të sistemit efektiv të kontrollit të brendshëm, sipas specifikimeve ligjore, ende vërehen disa problematika. Më lejoni të parashtroj disa problematike jo domosdoshmërisht për të kritikuar, por për t’i parë si elementë për të projektuar punën në vijim.

  • Së pari, mungesa e ndërgjegjësimit të nivelit të lartë menaxherial mbi rëndësinë e zbatimit dhe rolin e sistemit të kontrollit të brendshëm në përdorimin me efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet të fondeve publike;

Kur flasim për mungesë ndërgjegjësimi, kuptohet kjo nuk është në të gjitha nivelet, por ne kemi nevojë që të rritet akoma më tej ndërgjegjësimi i nivelit më të lartë drejtues dhe jo të shikohet si një delegim funksionesh në nivelet më të ulëta zbatuese.

  • Së dyti, mungesa e përfshirjes së instrumentave të menaxhimit financiar në realizimin e aktiviteteve të përditshme të njësisë;

Ne kemi shumë materiale, falë edhe bashkëpunëtorëve tanë. E rëndësishme është që këto materiale të jenë praktike, të zbatueshme dhe të plotësohen për një objektiv të caktuar, për të rritur dhe përmirësuar sistemet e financimit të brendshëm dhe auditit, njëkohësisht.

  • Së treti, shërbimi i auditimit të brendshëm në sektorin publik të shtrihet në të gjitha njësitë e qeverisjes.

Në këtë aspekt jemi të ndërgjegjshëm që ka njësi të qeverisjes që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme. Megjithatë, ligji ka parashtruar të gjitha mundësitë që këtë ta ketë në bashkëpunim me institucione të tjera, por në mënyrë absolute të mos vijë i munguar. Prandaj, ftojmë të gjithë drejtuesit më të lartë të mendojnë në detaje se si të zgjidhin këto mungesa në strukturat e tyre apo të rrisin bashkëpunimin, sidomos me strukturat përkatëse në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

  • Së katërti, audituesit e brendshëm duhet të jenë të pavaruar, si në gjykimet e tyre mbi gjetjet dhe rekomandimet e dhëna, por më tej duhet të vazhdojë zbatimi i këtyre gjetjeve dhe rekomandimeve dhe ndjekja në një proces follow-up në mënyrë periodike.
  • Së pesti, në strukturat e njësive të auditimit të brendshëm, sikurse edhe struktura të tjera, evidentohet numër i konsiderueshëm i vendeve vakante apo lëvizje e shpeshtë e stafit. Është shumë e rëndësishme që të rritet qëndrueshmëria e stafit në këto struktura pasi kjo qëndrueshmëri do të bëjë të mundur dhe realizimin e objektivave që përmenda më sipër. Pra, synohet si plotësimi i vendeve vakante me profesionistë të fushës, por edhe mbajtja e tyre për një kohë sa më të gjatë pasi të gjitha proceset, ato trajnuese dhe drejtuese, duhet të sigurojnë për të gjithë drejtuesit e nivelit të lartë këtë garantim të cilësisë që po diskutojmë dhe synojmë.
  • Eelementi i fundit, jo domosdoshmërisht kritikues, por për ta na treguar ku kemi akoma punë për të bërë, është niveli i ulët i zbatimit dhe cilësisë së rekomandimeve. Ka rekomandime të cilat shpesh ndiqen në momentin e parë, vendosen si platformë elektronike, por jo si një platformë, e cila duhet të marrë në thelb qasjen e nivelit më të lartë drejtues për të përmirësuar procese.

Së shpejti do të ndërmerren hapa konkrete për të vlerësuar në mënyrë periodike institucionet buxhetore, ku një grup i caktuar institucionesh do të asistohen direkt nga Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për modernizimin e këtij sistemi.

Do të kryhet një vlerësim i thellë i performancës së institucioneve buxhetore me tregues performance të caktuar.

Do të promovohen institucionet buxhetore të cilat zbatojnë këto tregues dhe do të stimulohen edhe institucionet e tjera për të ndjekur praktikat më të mira dhe do të stimulohebn me trajnime dhe me mbështetje të drejtpërdrejtë ata të cilët cilët janë në nivelin më të ulët të rankimit dhe të performancës, duke synuar që në një hark kohor prej një viti të kemi mundësi që të gjithë të jemi mbi nivelin mesatar të aplikimit të këtyre parametrave teknikë dhe cilësorë me performancën më lartë.

Masa konkrete në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të kontrollit të brendshëm janë parashikuar edhe në Strategjinë e rishikuar së Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022.

Prioritet kryesore janë:

  • Hartimi i një strategjie për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik;
  • Zbatimi i procedurave të delegimit në të gjitha njësitë publike;
  • Zhvillimi i programeve të trajnimit të vijueshëm të audituesve të brendshëm dhe punonjësve të tjerë në njësitë publike;
  • Implementimi i një plani për rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të lëna nga auditimi i brendshëm;
  • Forcimi i sistemit të monitorimit.

Së fundmi, falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti BE, BB, SECO, USAID për mbështetjen dhe bashkëpunim e tyre të vazhdueshëm. Shpresojmë të vazhdojmë partneritetin tonë në kontekstin e zbatimit efektiv të masave të planifikuara.

Në mbyllje, dëshiroj t’iu falenderoj edhe njëherë për pjesëmarrjen tuaj dhe uroj që gjatë kësaj konference, të keni diskutime frytdhënëse për ta çuar këtë “axhendë” të angazhimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në progres të realizueshëm.