Postuar më: 25/09/2019

Denaj viziton bizneset e dëmtuara nga tërmeti në Durrës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, së bashku me kryetaren e bashkisë së Durrësit, znj. Valbona Sako, inspektoi disa prej bizneseve në zonën e plazhit, të dëmtuar nga tërmeti që ndodhi pak ditë më parë.

Ministrja garantoi bizneset se dëmet e shkaktuara nga tërmeti do të përballohen nga buxheti i shtetit, i cili disponon fondet e nevojshme për të mundësuar këtë gjë.

Mjaft e rëndësishme në këtë situatë, theksoi znj. Denaj, është vlerësimi i saktë i dëmeve nga ana e strukturave përgjegjëse shtetërore, në mënyrë që më pas të procedohet me fondet në dispozicion të përballimit të dëmeve.

“Buxheti i shtetit disponon fondet për ta mbështetur të gjithë pjesën e konstatimit të dëmeve, me rimbursim. Ky vlerësim dëmesh duhet të ndodhë këto javë dhe ne pastaj të kemi mundësi që menjëherë të hapim fondin, i cili është i plotë, por do të ketë edhe fonde shtesë. Unë jap garanci që i gjithë ky proces do të mbulohet 100 %”, u shpreh znj. Denaj.

Pavarësisht këtij fakti, Ministrja Denaj u bëri thirrje të gjithë bizneseve për tu solidarizuar me familjet dhe bizneset e prekura nga tërmeti.

“Nuk mungon edhe thirrja për bizneset për tu solidarizuar, për nevojën për mbështetje edhe në aspekt të fondeve monetare në numrat e llogarisë që janë hapur, pasi solidariteti në këto raste ndihmon të gjithë”, tha Ministrja.

Gjatë bashkëbisedimit me biznese të zonës, Ministrja Denaj kërkoi mirëkuptimin e tyre për procedurat që do të ndiqen dhe theksoi nevojën për një mirëkoordinim mes strukturave shtetërore, në mënyrë që vlerësimi i dëmeve të bëhet sa më shpejt dhe më pas të vijohet me pjesën e fondeve për rimbursimin e tyre.

“Ne sigurojmë që fondi i emergjencës ekziston dhe në pamundësi për të qenë i plotë, ne siç e thashë më parë, kemi akoruar disa fonde shtesë për tu vendosur në ndihmë, nga fondi rezervë, për të kaluar te fondi i emergjencës. Në kontekstin e fondeve jemi të qetë. Ajo që ne duhet të koordinojmë është në raport me procedurat për rimbursim sepse edhe nga ana proceduriale është e vështirë që ne të angazhohemi përpara se ekspertët të flasin për vlerën e dëmit për çdo familje”, u shpreh znj. Denaj.