Postuar më: 15/10/2020

Denaj: Të angazhuar për rimëkëmbjen dhe  për të plotësuar objektivat e Agjendës 2030

 

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një angazhim të plotë në raport me Agjendën e përbashkët 2030 të Kombeve të Bashkuara, e cila tashmë është kthyer në një axhendë të çdo politikbërësi në rajon dhe më tej. Në Shqipëri koordinimi dhe udhëheqja e procesit sigurohet përmes Komitetit Ndërministror.

Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  në konferencën “Angazhimi i Sektorit Privat në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm”, organizuar nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC).

Ministrja i njohu pjesëmarrësit me masat e marra nga qeveria shqiptare në kuadër të këtij Komiteti, veçanërisht ndaj Objektivit 8 – “Punësim i denjë dhe Rritje Ekonomike”.

“Qeveria është angazhuar plotësisht në të gjitha Objektivat e Axhendës 2030, për një proces që do të marrë kohën e vetë deri në realizimin sa më të afërt të tyre. Angazhimi për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe masat në mbështetje të biznesit dhe qytetarëve kanë  qënë pjesë e këtij vizioni. Së bashku me zyrën e Kombeve të Bashkuara po zbatojmë një program, i cili do të na ndihmojë në këtë aspekt, atë të Politikave Strategjike për Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm, u shpreh Ministrja, duke shtuar,  se  ky program vjen në 5 vjetorin e lancimit të këtyre Objektivave, pikërisht për të na asistuar dhe drejtuar në këtë proces dhe në atë të financimit të nevojave të qytetarëve dhe vendit”.

Ndërsa në lidhje se si po përfshihet sektori privat në këtë program, Ministrja Denaj shpjegoi,  se “Qeveria ka krijuar platforma të dialogut publik – privat ndër vite. Pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, është krijuar Sekretariati i Këshillit të Investimeve, një strukture,  e cila bën qartazi rolin e ndërmjetësit për sugjerime politikash. Në të njëjtën kohë platformat me sektorin privat nuk mungojnë as në kuadër të çështjeve të punës dhe arsimit profesional, përmes Këshillit Kombëtar të Punës apo Këshillit të sapokrijuar të Arsimit Profesional. Të gjitha këto janë platforma të cilat janë ndërtuar vitet e fundit dhe i shërbejnë angazhimit të shtuar të sektorit privat në raport me bërjen e politikave”, tha Denaj.

Gjithashtu Ministrja Denaj e vuri theksin tek mbështetja që qeveria shqiptare po i jep nga vitin në vit  buxhetit gjinor dhe  punësimit të personave me aftësi të kufizuar .