Postuar më: 12/10/2020

Denaj në Vlorë: Krahas turizmit të zhvillojmë dhe industrinë

Vlora tashmë nuk është vetëm kryeqendra e turizmit për vendin tonë, por ajo ka shumë çfarë t’ju ofrojë investitorëve vendas dhe të huaj, pasi vizioni i Qeverisë është që të gërshetojë mundësitë që ofron pozicioni gjeografik me ato që sjell zhvillimi i sipërmarrjeve.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi një takim në Vlorë kryetarin e Bashkisë, Dritan Leli,  dhe një përfaqësi të fondacionit “Besa” me seli në Gjermani, të cilët ndodhen në Shqipëri për t’u njohur nga afër me mundësitë për investime në fusha të ndryshme.

“Aeroporti i ri, porti kargo dhe zhvillimi industrial do të jenë shtyllat e zhvillimit në periudhën afatshkurtër, tha Ministrja Denaj, gjatë këtij takimi, po nuk la pa përmendur

gjithashtu lidhjen infrastrukturore që do të bëhet përmes rrugës së Lumit Vlorë, çka do të bëjë të mundur që të realizohet lidhja me zonën tjetër të Jugut të vendit”.

Gjatë këtij takimi, Ministrja Denaj, theksoi, se Vlora ka pësuar një transformim rrënjësor dhe gjithnjë e më shumë po tërheq, jo vetëm turistët, por edhe sipërmarrës të sektorëve të ndryshëm.

“Pandemia na tregoi se turizmi fitoi falë edhe solidaritetit në rritje të shqiptarëve në rajon, por ne synojmë të shkojmë drejt atij elitar për të përsosur produktin, shërbimin dhe cilësinë”, tha kreu i Bashkisë së Vlorës, Leli.

Sipërmarrësit e ardhur për një vizitë disa ditore në vendin mëmë, nga Landi i Bavarisë, në Gjermani, vlerësuan projektet e  nisura tashmë nga Qeveria Shqiptare për të zhvilluar këto zona nga ana infrastrukturore, gjë që, sipas tyre,  lehtëson qasjen drejt tregjeve më të mëdha.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës, u vlerësua nga sipërmarrësit si një mundësi e shkëlqyer që do t’i ofrohet gjithë rajonit të jugut, për të ndërlidhur atë,  jo vetëm nga toka dhe deti, por edhe nga ajri.