Postuar më: 28/07/2020

Denaj në Lurë: Investojmë në infrastrukturën rrugore, mbështesim zhvillimin e zonave malore

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj së bashku me drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si dhe krerët e Bashkive Mat, Bulqizë e Dibër prezantuan projektin për ndërtimin e segmentit rrugor Perlat – Kurbnesh – Fushë Lurë me gjatësi 42 km.

Një angazhim ky i qeverisë shqiptare që parashikon një investim me vlerë 23 mln euro dhe që do t’i hapë rrugë zhvillimit të këtyre trevave.

Janë 12,000 banorë të këtyre zonave që  pritet të përfitojnë nga ky investim që synojmë jo vetëm zhvillimin e ekonomive familjare, turizmit, por edhe të rikthejmë lurjanët në vendin e paraardhësve.

Gjatë fjalës së saj Ministrja Denaj tha se institucionet janë në fazat e fundit të negocimit të kontratës së financimit për t’i hapur më pas rrugën fillimit të procedurës së prokurimit Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

“Me infrastrukturën e re që do të mundësohet, si një premtim i kryeministrit Rama që synon të bëhet realitet në muajt në vijim, biznesi të ketë mundësi të ndjejë përfitimet dhe të nisë të organizohet për një të ardhme më të mirë. Përmes infrastrukturës, shpirtit të sipërmarrjes të realizojmë kthimin mbrapa të banorëve që janë larguar në vende të tjera dhe të shijojnë vendin e paraardhësve të tyre”, tha Ministrja Denaj.

Ndërsa Znj. Alimadhi, përfaqësuese e Fondit Shqiptar të Zhvillimit tha se ky investim do të përmirësojë ndjeshëm jetën e banorëve të zonës si dhe do të dyfishojë numrin e turistëve vendas dhe të huaj. FSHZH parashikon që punimet të nisin në fillim të vitit 2021.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në fjalën e tij theksoi se : “Është shpresë e madhe fakti që përmes investimit të krijohet mundësi që njerëzit të kthehen në vendin ku kanë rrënjët e tyre në fakt dhe të zhvillojnë jetën, të zhvillojnë turizmin, të zhvillojnë kulturën, të zhvillojnë trashëgiminë e tyre në këto vende”.

Për qeverinë shqiptare zhvillimi i zonave kombëtare të mbrojtura mbetet prioritet  dhe së bashkë me institucionet ndërkombëtare parashikohen të investohen rreth 100 milionë euro për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në disa rajone të vendit.